Edhe pse kanë kërkuar që të jenë të pranishëm në mbledhje, artistët e Teatrit Kombëtar janë refuzuar nga ana e Bashkisë.
Pas tensioneve me Policinë Bashkiake, një pjesë e artistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, kanë mundur që të hyjnë në mbledhje.
‘’Duam rregulloren, pse po përjashtohemi”, është pyetja e ngritur nga ana e aktorëve.
Pika më e nxehtë e rendit të ditës së sotme është ajo që kërkon që të vendoset për përcaktimin e procedurës për negocimin me zhvilluesit privat për marrveshje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat e Bashkisë së Tiranës. Kjo sipas këshilltarëve të opozitës bëhet për të përshpejtuar procedurat për tjetërsimin e hapësirave të Teatrit Kombëtar, duke ia kaluar një kompanie private.
Ndërkohë që jashtë sallës zhvillohej një protestë e aktorëve lidhur me fatin e Teatrit Kombëtar, Bashkia e Tiranës kishte vendosur që të mbyllte derën për ta. Edhe pse artistët kishin bërë kërkesë që të ishin prezentë në këtë mbledhje, vetëm 2 prej tyre do të futen në një moment të dytë.
Këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së braktisën mbledhjen, teksa thanë se Erion Veliaj nuk ka votat e mjaftueshme për të kaluar vendimet.
‘’Opozita në këshill, PD e LSI, vazhdojmë të mbajmë marrëdhënie të kushtëzuar me këshillin bashkiak. Kjo është kushtëzuar nga prania e përhershme e 6 individëve me mandate false. Ata sillen sikur janë këshilltarë dhe votojnë si të tillë. Prania e tyre hedh në erë legjitimitetin e këshillit bashkiak.
Pse duhet prania e tyre? Kjo duhet për të përgatitur akte si ky që janë sjellë sot për vendim. Dy janë absolutisht kriminale: projekti i sponsorizuar nga një mafie e re, ajo e naftës në Tiranë, për të betonizuar Parkun Rinia. Kjo votë kërkon 3/5.
Vendimi i dytë: Prishja e Teatrit Kombëtar. Këto vota ata sot nuk i kanë, asnjë ditë nuk do t’i kenë për sa në këtë këshill do të jetë kjo opozitë. Ne do bëjmë barrikadë për këto dy krime mafioze. Çdo gjë që ndodh në atë sallë është e kompromentuar. Sot grupi që mbështet PS është minorancë”, u shpreh Çollaku pas daljes nga mbledhja e Këshillit.
Nuk i lënë të hyjnë në mbledhje, artistët përplasen me Policinë Bashkiake: Na trego rregulloren!