Komisionari për zgjerim Johanes Han u shpreh sot optimist se kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin mund të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme.
“Unë jam optimist se në dy javët e ardhshme do të kemi zgjidhje. Të paktën zgjidhja e cila do të hapte rrugën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedonine. Mendoj se të gjithë pajtohen se kjo do të jetë në të mirë të vendit, për shoqërinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”– deklaroi Johanes Hahn.
Për dallim nga Han, kryeministri Zaev nuk beson se kontesti i emrit mund të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme.
“Komesari Johanes Han është mik i madh i Maqedonisë. Dashtë Zoti të ketë ndonjë informatë që për dy javë do të përfundojë. Unë do të doja diçka të tillë, sinqerisht. Por besoj se jo. Sepse nesër kemi takimin e radhës të dy ministrave për punë të jashtme, e di përafërsisht si do të bisedohet dhe deri ku presim të përfundojmë. Përgjithësisht pres të bëjmë përpjekje maksimale deri në vendimin e Këshillit të Evropës, sepse jemi të sigurt se nëse do të kemi zgjidhje deri atëherë, me të vërtetë do të marrim garancitë më të fuqishme se do të marrim datë për negociata. E dini se automatikisht do të marrim ftesë për NATO”– deklaroi krzministri Zoran Zaev.
Zaev këto komente i bëri në konferencën e përbashkët me ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Xhorxh Robertson, i cili tha se inkurajon palët në bisedime për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar.
“Nuk është qëllimi im të intervenoj, ju e dini se çfarë janë çështjet dhe çfarë ju nevojitet të arrini aty ku dëshironi. Do të varet nga vetë Maqedonia, liderët, Qeveria, kryeministri, opozita, Presidenti dhe vetë qytetarët. Gjithçka që do t’u kërkoja njerëzve është të mendojnë për të ardhmen. Mendoj se disa prej çështjeve me të cilat duhet të përballet Maqedonia, Greqia dhe fqinjët kërkojnë të shikoni në të ardhmen dhe se si gjeneratat e ardhshme kërkojnë nga ne të votojmë dhe të veprojmë sot”– deklaroi Xhorxh Robertson, ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, njofton Alsat M.
Robertson udhëheq delegacionin e lartë të ish diplomatëve të cilët sot në Shkup formuan të ashtuquajturin “Grupi i Ohrit” i cili ka për qëllim që përmes këshillave të ndihmojë Maqedoninë në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE.