Nga Marjon Gorica
Prej javësh tashmë në Tiranë oshëtijnë zëra, shpesh herë duke bërë dhe rrëmujë të pa shoqe mediatike, e gjitha për një arsye të vetme, për parkun. Është një iniciativë tanimë e një grupi personash, të cilët më së tepërmi duan të reklamohen mediatikisht sesa të mbështesin një nisëm të tillë. Jam i sigurt që një pjesë e atyre personave, të cilët kanë protestuar deri më sot nuk kanë patur asnjë informacion mbi një investim të tillë në zonën e liqenit artificial . Më vjen keq tek shihja persona që dhunoheshin, madje shpesh herë dhe me njëri-tjetrin. Më vjen akoma më tepër keq kur këta “demonstrues” përvetësonin protestën duke larguar njerëz të tjerë. Dhe unë mund të jem kundër tij e të dal të protestoj, apo kushdo tjetër të kërkojmë të drejtën tonë. Kush janë ata që të na largojnë neve? Jam njohur jo keq me investimin tek parku i liqenit, një investim vërtet i madh, me një vlerë goxha të konsiderueshme. Mbase unë mund të isha kundër këtij investimi, por ja që nuk ndodh kështu. Nuk i kundërvihem këtij investimi për shumë arsye, dhe pse disa mund të më mendojnë si militant apo simpantizant i Erion Veliaj me kompani, por nuk është aspak kështu. Jam pro parkut, jam pro investimeve që zhvillojnë infrastrukturën në zona të ndryshme, jam pro ambjenteve për mundësi qetësimi, çlodhje apo argëtimi. Jam pro parkut për fëmijë. Sot në Tiranë mungojnë parqet publike. Shumë prej nesh e dinë mjaft mirë që parqe dhe kënde lojërash ndërtohen në ambjente ku ka gjelbërim dhe ajër të pastër, fundja të gjithë atë kërkojnë e pikërisht ky vend është i përshtatshëm për vetë faktin, sepse njerëzit nesër do të kenë një arsye më tepër për të dalë nga parku i liqenit. Deri më sot përveçse të ecësh apo të vraposh në atë zonë nuk ke arsye tjetër për ta vizituar. Duke qënë shumë pranë qendrës së Tiranës, në një zonë kyçe, me qindra prindër do të nxjerrin aty fëmijët e tyre, për të luajtur e të dëfrehen paksa. Unë jam një i ri që prej vitesh e frekuentoj zonën e liqenit për veprimtari fizike, eci e vrapoj në atë park çdo ditë duke zhvilluar një veprimtari të përditshme në atë zonë, kam konstatuar që vërtet ka nevojë për një dorë zhvilluese, ka nevojë për rehabilitimin e pistës së vrapimit. Ka nevojë për hapjen e “shtigjeve” të reja nëpër mes parkut e kjo jo vetem duke qënë në baltë, por do të ishte mirë rrugica asfalti apo pllaka, pasi në rast rreshjesh për ditë të tëra nuk mundet të kalosh përmes parkut. Duke u krijuar një park i tillë dhe vizitueshmëria e kësaj zone do të jetë më e madhe. Prej kohësh kam konstatuar që punojës të Gjelbërimit pranë Bashkisë së Tiranës po punojnë duke rehabilituar situatën me pemët dhe shkurret dhe kjo duhet vlerësuar. Nga kreu në fund të liqenit ka një ndryshim total, më parë vetëm në disa zona mund të shihje ujin e liqenit , ndërkohë sot të ofrohet një fushëpamje e qartë dhe arrin të dallosh mjaftueshëm dhe vijën fundore të ujit. Jam pro parkut, dhe për faktin se aty është fituar një tender për investim, është fituar një tender projektues e shumë e shumë veprime të tjera dhe çdo veprim e ka një vlerë, por këto vlera janë të ardhura tonat. Kështu që në rast se sot ndërpriten punimet për ndërtimin e këtij parku, fondet që kanë shkuar për kompanitë projektuese ikin dëm, pasi projekti i tyre kurrë nuk u zbatua dhe çfarë fituam ne? Në rast se ky projekt dhe investim ndërpritet këto kompani tenderuese a duhet të marrin një fond likujditeti? Patjetër që po, dhe pikërisht ky fond a do të rëndojë sërish në xhepat tanë? Do të rëndojë dhe me një arsye më tepër, do të na rëndojë si një investim i pa bërë. Pra, para të humbura për kapriço të një, dy apo tre ish-militantëve që dalin e bërtasin dhe jo pikërishtë për parkun, por sepse pushteti nuk ju ofroi gjë atyre. A e dini që dëmtimi i atyre rrjetave dhe rrethimi prej disa herësh i këtij kantieri krijon përfitime nga fondet rezervë? A e dini që ato makineri e pajisje që u dëmtuan dëmshpërblehen? Pra a e kuptohet ku ka degraduar kjo situatë? Të vjen më shumë keq, kur e mëson që aty ka persona që gjithë jetën e tyre nuk kanë dalë një herë të shëtisin në atë park apo të vrapojnë në të, qoftë dhe vetëm një herë. Parku të bëhet, sepse duhet.