Deputetja e vetme e qarkut të Kukësit nga Partia Socialiste, Mimi Kodheli e ftuar në “Tonight Ilva Tare”, thotë se protesta e dhunshme në Rrugën e Kombit nuk e kanë bërë qytetarët e thjeshtë, por politikanë dhe njerëz me precedentë penalë.
“Ata që e organizuan dhunën nuk janë njerëz të dëshpëruar që kemi parë në pamjet filmike, por janë disa të tjerë që kanë hedhur gurin dhe kanë fshehur dorën. Nëse kjo është e vërtetë, këtu ka një problem që i tejkalon problemet e tarifës, e tejkalon këtë ngjarje të dhunës, ka një problem që lidhet me destabilizimin e vendit. Më shqetëson tarifa për qytetarët e Kukësit, e cila absolutisht duhet të rishikohet nga qeveria, për të gjithë ata që kthehen nga kullota për në shtëpinë e tyre në darkë. Të shikohet shumë më thellë ky element që synonte të destabilizonte. Këta elementë kanë qenë politikanë dhe njerëz me precedentë penalë”, tha Kodheli.
Kodheli ka sqaruar arsyet e reagimi të vonuar të saj për çështjen e protestës kundër tarifës në Rrugën e Kombit.
“Unë mendoj se reagimi ka qenë në kohën e duhur. Unë kam qenë në konsultime me kuksianët. Kam folur edhe me kolegët që mbulojnë këtë për të cilën është folur në këto momente. Një reagim i menjëhershëm shpesh herë të bën të ri-reflektosh më mbrapa. Sigurisht nuk kisha dijeni të thella për mënyrën se si ishte realizuar kontrata koncesionare. Mendoj se sa më i matur të jetë mendimi aq më mirë është për të gjithë establishmentin”, ka qenë kjo deklarata e Kodhelit.