Nga Edison Ypi
Rruga Kadare
Vringëllime shpatash, klithma jeniçerësh, urdhëra pashallarësh, spasma epileptikësh, ura që rënkojnë, çetë mokrarësh, mbledhje kolektivi, idhtarë partish, kosovarë që venë në plazh, kuaj të hazdisur, mushka zevzeke, gërrvima karrocash, rrena gazetash, dallavere deputetësh, zhurma benzash, myzeqarë me Versace, malësorë me tirqe, Gjorgu i fandaksur duke ikur nëpër bjeshkë, gjyqe gjaqesh, hakmarrje, pusira, dekrete mbretërorë, hajdutë mbi Toyota, koka të prera në sepete me akull, të vdekur me të gjallë mbi kalë, ruse të ëmbëla, turkesha të pabesa, zonja të rënda nëpër Ballo ose nëpër baltovina, gjaksa që kalojnë natën në hane të rrezikshme, malësorë të heshtur me gojët si brava të ndryshkura, Skënderbeu mbi një shkëmb në Reps, Mao Ce Duni duke përshëndetur mirditorët, Ismail Qemali te tuneli i Kalimashit, Alush Tabutgjati eksploron Kosovën me Navigator elektronik, Dy prostituta ukrainase me pajton drejt Durrësit.
Lasgushi mbi një Rolls Royce duke bërtitur “mespërmes për Shqipëri”, Mark Zavalina, kandidat për deputet duke ikur për fushatë elektorale në Maqellarë, Ebu Qerimi brenda një karroce të mbyllur duke parë një ëndërr me sy hapur, Ganimete Cuka duke vajtur në Gjakovë ku ka hapur një Sallon Bukurie, Zonja Nurihan me dy celularë në secilin vesh; Në njërin po flet me Zonjën Mukades që u shemb mbi trotuar e vdekur kur një partizane i thirri nga pas “shoqe”, në tjetrin me ambasadorin e Francës i cili po e siguron për të disatën herë se sot është më e bukur se kurrë, Besnik Struga duke ngrënë groshë Dibre në një restorant në Kukës kërkon të gjejë me Google Map vendin ku nëndetset e Pashalimanit u shitën për skrap, Kryeveqilharxhi duke pirë lëng shege llogarit me laps e letër tarifën në Euro të kalimit të autostradës Tiranë-Prishtinë.
Atë rrugë sot e thërresin “Rruga e Kombit”.
Që më vonë të mos thonë se në këtë vend ka vetëm;
Rrugë, shkolla, sheshe, me emra terroristash;
Të persekutuar të diktaturës që llafosen si nëpër soc libra, shkruajnë me gjuhën e Zërit të Popullit, simpatizojnë Violeta Manushin;
Hajdutë që e vjedhin, vrasësa që e përgjakin, budallenj që e turpërojnë, idiotë që gdhihen e ngrysen në fejsbuk;
Por edhe njerëz që kanë shkruar kryevepra Letërsie që i ka zili bota;
Që nesër të thonë, S’lanë dreqni’ pa bërë, ama e bënë edhe një punë të mirë;
Për nder të gjeniut me ndikim iluminues të pakrahasueshëm nën diktaturën më të egër dhe më të shëmtuar të planetit, pas pak ajo rrugë do quhet “Rruga Kadare”.