Fati ynë shkruhet ditën kur lindim. Ata që vijnë në jetë në Amerikë, në Europë ose në Japoni kanë lindur me këmishë, s’kanë arsye të ikin gjetkë për të kërkuar një jetë më të mirë. Ndryshe është puna për ata që lindin në Afrikë apo në Lindjen e Mesme…
Më ndodh ndonjëherë të ëndërroj sikur të mund të ndryshoja rrjedhën e jetës sime, të isha i pranishëm disa minuta para se të ngjizesha: të korrigjoja qelizat, molekulat, gjenet, t’i devijoja që të ndryshoja vijën e fatit. Por jo që të lindja i ndryshëm. Jo. Vetëm të lindja diku tjetër. Në një qytet tjetër, në një vend tjetër. Nga e njëjta nënë sigurisht, nga barku i kësaj nëne që adhuroj. Po të lindja në një truall të begatë ku mund të shpresoja një jetë normale, të ndryshme nga ferri ku jetoj, nga i cili po bëj çmos të largohem në moshën njëzetvjeçare”.
Kjo pjese nga romani i Eric-Emmanuel Schmitt te nxit ta lexosh ate pa dyshim. “Odiseja nga Bagdadi”, ka fituar çmimin “Grand Espace” – kritika letrare franceze ka qenë jashtëzakonisht vlerësuese.
Veprat e tij teatrale janë vënë në skenë në mbi pesëdhjetë vende të botës dhe vepra e tij në tërësi është përkthyer në mbi dyzet gjuhë. Veprat teatrale karakterizohen nga kritika si vepra që ecin në rrugën e Samuel Beckett-it e Paul Claudel-it, mes të tjerëve – si autorë që e kanë ndryshuar rrënjësisht konceptin e teatrit të shekullit të njëzetë.
Romanet e tij më të njohur janë Sekti i egoistëve, Ungjilli sipas Pilatit, Odiseja nga Bagdadi, Gruaja në pasqyrë, Helmi i dashurisë e të tjerë. Në shqip janë botuar Oskari dhe zonja rozë, Gruaja në pasqyrë, Odetë gjithkushi dhe histori të tjera, Odiseja nga Bagdadi etj.