Nga Rexhina Biba
Tashmë jemi mësuar, që në çdo 8 Mars të dëgjojmë gra që urojnë njëra-tjetrën, burra që një herë në vit kujtohen të tregohen të kujdesshëm për partneren, ose gra që dalin festojnë nëpër dreka, darka ose club-e, një herë në vit. Lumturohem kur shoh gra të lumtura, por kur e mendoj më gjatë kjo ditë më trishton…
Më trishton fakti që këto gra festojnë vetëm një herë në vit dhe 365 ditë të vitit nënshtrohen, më trishton fakti që këta burra urojnë gratë vetëm një ditë në vit dhe 365 të tjerat i shohin si “shërbyese” dhe mbi të gjitha më trishton fakti që me këtë frymë po rriten dhe brezat e ardhshëm.
Por, prapë kthehem dhe them se ky është rasti më i mirë, pasi ka dhe nga ato që nuk festojnë fare 8 Mars, nuk shohin fare dritën e diellit asnjë ditë të vitit dhe nuk marrin asnjë fjalë të ëmbël nga babai, bashkëshorti, apo djali as në 8 Mars. Ka akoma dhe më keq se kaq…
Ndoshta shumë nga ne, pasi janë sistemuar në qytete e kanë harruar realitetin nëpër fshatra, por nëse i hidhni sytë disa kilometra larg qendrës së qytetit ku jetoni do të shihni një tjetër jetë. Do të shihni që shumë vajza adoleshente, në moshën më të bukur të jetës i mbyllet jeta, sepse babai që i ka edukuar me idenë se burrat vendosin për jetët e tyre do vendosi dhe fatin e tyre, duke i martuar më burra shumë vite më të mëdhenj se ato dhe vajzat duhet t’i nënshtrohen dhe të zbatojnë çdo kërkesë të tyre. Disa kilometra larg qytetit tuaj ka ende vajza dhe gra që mendojnë se ato nuk duhet të dalin të punojnë, pasi do të quhen “të përdala”, sepse kështu e ka rritur babai dhe po kështu vazhdon t’ia ngulisë në kokë dhe bashkëshorti. Disa kilometra larg qendrës së qytetit tuaj ka ende vajza që bëhen nëna në moshë shumë të vogël dhe edukojnë fëmijët e tyre me të njëjtën frymë që ajo është edukuar. Mbi të gjitha, disa kilometra larg qendrës tuaj të qytetit ka ende gra që dhunohen çdo ditë nëse i kanë hedhur më shumë kripë gjellës, ose nëse nuk ia kanë hekurosur këmishën burrit në momentin që atij i duhet, ose për një milion arsye të tjera idiote.
Ndërsa tani le të kthehemi në qendrën e qytetit tuaj. Pa më thoni pak, a paguheni ju njësoj me burrat ndërkohë që bëni të njëjtën punë? A njihni dhe ju të paktën një grua, që pasi ka lindur fëmijë është hequr nga puna, pavarësisht se me ligj është e ndaluar? A jeni diskriminuar të paktën një herë në jetë, në ambientet e shtëpisë, shkollës, punës apo në shoqëri vetëm se jeni gra? A jeni rritur dhe ju me idenë se vajzat duhet të luajnë me kukulla, ndërsa djemtë më makina ose që vajzat duhet të jenë të bukura, ndërsa djemtë super-heronj? Më thoni, sa gra janë vendosur në krye të një shteti, ose thjesht sa gra janë në qeveri në raport me numrin e burrave? Dhe në fund, më thoni, kaq shpejt a harruat Liljana Rukon, që e hodhi burri nga dritarja e tualetit sikur të ishte një leckë? Po gjyqtaren Fildeze Hafizin që u vra mizorisht në mes të rrugës nga ish-bashkëshorti? Dhe Ariela Muratin që u vra para pak muajsh në një tjetër rrugë të kryeqytetit plot me njerëz vetëm se nuk pranoi të lidhej me vrasësin, kaq shpejt e harruat?
Këto janë pak raste nga qindra e mijra të tjera që ndodhin çdo ditë në Shqipërinë tonë me një shoqëri maskiliste të dhunshme.
Prandaj unë sot nuk e ndiej të festoj, por shpresoj shumë që një ditë dhe mua të më festojë shpirti dhe zemra për vajzat dhe gratë e vendit tim. Ajo ditë do vijë kur ne të mos dhunohemi më, kur ne të mundemi të shprehim atë që mendojmë pa frikë, kur ne të marim vendin që meritojmë në punë, shoqëri e mbi të gjitha në familje!
Shpresoj që gratë dhe vajzat të mos kënaqen vetëm me një ditë në vit, të kuptojnë që meritojnë të vlerësohen, të respektohen, të bëhen të lumtura dhe të kënaqen 365 ditë të vitit. E kur kjo te ndodhë une do te jem e para qe do të dal të festoj, jo vetëm për 8 Mars, por do ta bëj festë çdo ditë të jetës sime…