Nga Alfred Peza
Të ishe shqiptar dhe të fitoje Festivalin e Sanremos, 27 vjet më parë, dukej një ëndërr po aq e parealizueshme, sa edhe mundësia për një audiencë private me Zotin. Gjithsesi, na e kishte bërë pak më tokësore këtë mundësi, fakti që një tjetër shqiptare, Anna Oxa, e kishte fituar këtë festival më 1989, duke e përfaqësuar Italinë edhe në Eurovizion. Ermal Meta e bëri realitet në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës, dhe ne nuk po dimë si ta përjetojmë këtë fakt: Të gëzohemi apo të trishtohemi!
Pse e them këtë?
Italianizimi i emrit dhe fakti që babai i Anna Oxas, Qazim Hoxha nga Kruja, (as mbiemri i njëjtë me Diktatorin nuk e ndihmoi deri më 1990), një i arratisur nga Shqipëria, e bënte pothuajse të paditur për shqiptarët, origjinën e vërtetë të këngëtares. Ajo kishte lindur në 28 prillin e 1961, në kulmin e regjimit komunist, në Bari. Në regjistrat e gjendjes civile të qytet të portit përballë Durrësit, në anën tjetër të Adriatikut, ajo figuron me emrin Iliriana Hoxha.
Vetëm shumë vite më vonë, kur i duhej që t’i shtonte perandorisë së tij financiare dhe gurin e diamantit të kurorës së triumfit, Behxhet Pacolli duke plotësuar egon e tij prej mashkulli shqiptar, ndihmoi në fakt për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të faktit se, këngëtarja e famshme ishte një shqiptare “24 karat”. Kosova sapo ishte çliruar dhe Pacolli kishte tjetër hall, të cilën po rreket ende ta plotësojë, për tu bërë “Berluskoni” i politikës në Prishtinë.
Por këto pak rëndësi kishin tashmë, sepse Shqipëria ishte hapur, komunizmi kishte rënë dhe dhjetëra mijëra emigrantë kishin pushtuar Italinë, në përpjekje për të realizuar ëndrrën e tyre të dikurshme në perëndim, që e kishin ëndërruar aq shumë kur mësonin e këndonin fshehurazi, të gjitha këngët e festivalit të Sanremos. Në vitin 2002, Anna Oxa u divorcua nga Pacolli, ndërsa një vit më pas, në skenën e Teatrit të Aristonit në qytetin e luleve, u ngjit në skenën e madhe, një shqiptare e lindur dhe e rritur në Shqipëri.
Elsa Lila me “Valeria”-n, duke na përshëndetur shqip nga skena e Sanremos live, sikur na tha se ëndrra u bë realitet. Një ëndërr që për të vijoi deri më 2007, kur u ringjit sërish në atë skenë magjike, me këngën e saj të njohur, “Il senso della vita”. Ndërsa për shqiptarët e tjerë shërbeu si një këmbë tjetër për urën e shpresës, se e gjitha çfarë ndodhi nuk ishte thjeshtë një rastësi fatlume, e cila mund të mos përsëritet më kurrë.
E gjitha nuk ishte një mirazh, për aq kohë sa gati dhjetë vjet më vonë, Ermal Meta e vazhdoi historinë shqiptare të Sanremos, duke e çuar madje edhe një shkallë cilësore pak më lart. Pasi që në debutim, fitoi vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm. Ndërkohë që, këtë radhë, triumfoi mbi të gjithë, duke u bërë fituesi i edicionit të 68 të festivalit, me këngën “Non mi avete fatto niente”.
E sigurt është pas kësaj se, Ermal Meta nuk do të jetë i fundit, sepse skenat e mëdha dhe arenat gjigante italiane, kanë qenë dhe do të mbeten gjithnjë të hapura për shqiptarët e talentuar. Jo vetëm në art, por edhe në sport, arsim, biznes. Mjafton të shohësh, sesi Igli Tare shpallet drejtori më i mirë teknik i ekipeve të futbollit të Seria A, për të kuptuar se asgjë nuk është rastësisht, as për shqiptaret, por mbi të gjitha, për italianët në raport me mundësitë që u kanë dhënë të talentuarve tanë. Numri i sportistëve shqiptarë në Itali, por edhe kudo në Europë, e deri në SHBA, Azi e Australi, sot është i pafund, të cilët ia kanë dalë të luajnë në ligat, klubet dhe ekipet përfaqësuese më të mira të botës. Sikundër artistët shqiptarë, kanë pushtuar e po pushtojnë gjithnjë e më shumë majat e klasifikimeve, aktiviteteve më prestigjioze dhe skenat më të mëdha të botës.
Por nuk është vetëm arti dhe sporti, por gati në çdo fushë tjetër sot, në biznes, shkencë, teknologji, arsim, show biznes, menaxhim etj., ku gjen shqiptarë që ia kanë dalë të triumfojnë duke shijuar suksesin. E gjitha, falë talentit, ambicies, mrekullisë së lirisë, shfrytëzimit maksimal të hapësirave dhe mundësive që të jep sistemi dhe konkurrenca që i kanë bërë të kalojnë në një përmasë tjetër, cilësore e të pamenduar ndonjëherë më parë.
Mjafton të kujtojmë edhe një detaj të fundit, për të kuptuar më mirë pse shqiptarët ia dalin kaq mirë nëpër botë, duke u bërë pothuajse të parët kudo ku po garojnë, ndërsa Shqipëria, por edhe Kosova si dy shtetet shqiptare në Ballkan, mbeten të fundit në listën e shteteve në Europë: Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Italisë, deklaroi një vit më parë se, në Gadishullin e Apenineve veprojnë 31 mijë biznese shqiptare, ose sa 20% e bizneseve që kemi brenda Shqipërisë.
E kush mund ta mendonte këtë në 2 korrikun e 1990, kur pushtuan ambasadat e huaja në Tiranë, duke rrëzuar, për herë të parë, Murin e Berlinit shqiptar në Tiranë? Kush mund ta mendonte në marsin e 1991, kur pushtuan anijet në Portin e Durrësit, duke nisur udhëtimin drejt “tokës së premtuar” përtej Adriatikut, nëpërmjet imazhesh të një arratie biblike? Kush mund ta mendonte këtë,në gushtin e po atij viti, kur anijet e mbetura përcollën me dëshpërim drejt stadiumit të Barit, të tjera ëndrra dhe shpresa të vrara, për 50 vjet më radhë në Shqipëri?
Kjo histori në formën e një mallkimi gati të pabesueshëm, ku në dhé të huaj shumë ia dalin dhe triumfojnë, ndërsa në Shqipëri pothuajse kurrë, na ndjek nga pas prej shekujsh. Sepse e gjithë historia jonë, është pothuajse e mbushur me shembuj, raste, emra, personazhe, figura, familje dhe fise shqiptare, që ia kanë dalë të drejtojnë perandori, shtete, mbretëri, qendrat e besimeve fetare, universitete, të themelojnë qytete, akademi, alfabete, të fitojnë çmimin Nobel e të bëhen modele frymëzimi për botën mbarë, e për brezat përgjithmonë. Ndërsa këtu, nuk dihet nëse do ia kishin dalë. E sigurt është që nuk do ishin bërë kurrë, ata që ishin e janë.
Si është e mundur që, për shqiptarët duket sikur ka veç dy alternativa: Ose të parët, ose të fundit, e rrugë tjetër të mesme jo?
Ose të parët për mirë, ose të parët për keq.
Ose të parët si individë, ose të fundit si shtet.
Ose të parët nëpër botë, ose të fundit në shtëpinë tonë.
Ose të parët në lavdi, ose të fundit si komb e si shoqëri.
E ndërsa individi shqiptar ia del të jetë i parë në Sanremo, në San Siro e në çdo “san” tjetër, deri ndoshta në San Fracisko, Shqipëria mbetet ende në pjesën e fundme të listës së atyre pak shteteve, qoftë edhe të rajonit, sa i takon avancimit drejt proceseve të integrimeve europiane. E treguar kjo, edhe si një pasqyrë ku mund të shohim stadin e zhvillimeve tona të brendshme, në raport me popujt, shtetet, shoqëritë dhe kombet e tjera në Europë.
Kaq mjafton për të kuptuar se ku është problemi. Çështja është se si do të zgjidhet ai. Nëse do të duam një ditë, që edhe këtë shtet dhe komb, ta ngjisim në lartësinë e individëve tanë më të suksesshëm e të talentuar. E në mos deri atje lart, të paktën, për ta futur Shqipërinë dhe shqiptarët në Ballkan, në mesin e artë të atyre shteteve dhe popujve që jetojnë në normalitet dhe në harmoni me veten dhe të tjerët. E ku individi ka si garanci, një sistem meritokracie e vlerash, që pavarësisht se kush vjen e ikën në udhëheqje, t’ia dalë të realizohet e të ikë i qetë nga kjo botë, si një shqiptar i mirë!
https://alpenews.al/alfred-peza-ose-te-paret-ose-te-fundit-mallkimi-qe-ndjek-shqiptaret/