Aktori Naun Shundi pohon se artistët punojnë dhe është tallje që iu bëhet kur nuk shpërblehen për figurën artistike. Për aktorin e njohur deri tani është treguar se nga qeveritë nuk ka pasur vlerësim dhe respekt për artistët dhe problemet me jetën artistike nuk janë të pakta.
Në intervistën për “SOT” aktori Shundi flet jo vetëm për projektet në jetën artistike në fushën e teatrit, por ndalet dhe te vështirësitë me të cilat përballen sot artistët. Sipas tij, që në emërtim të ministrisë mungon arti, gjë që është treguar ndër vite që nuk ka vëmendje.
Aktori Naun Shundi pohon se ministria me projektet që pretendon se financon në fushën e teatrit nuk bën gjë tjetër vetëm tallet. Ai shprehet se shumicën e artistëve i tremb fundi i muajit, sepse jetojnë vetëm me rrogën shtetërore. Sipas aktorit mungesa e financimit ka të bëjë me mungesën e respektit, që kanë qeveritë ndaj artistëve.
-Së fundi në skenë ishit në shfaqjen me regji nga Spiro Duni “Pushteti grave”. Për ju çfarë përcolli në teatër?
Unë kisha kënaqësinë, që luajta në këtë shfaqje me regji nga Spiro Duni. Besoj që ata që e kanë parë e kanë shijuar. Unë kam ndjerë frymëmarrjen e spektatorit çdo natë. Kam ndjerë duartrokitjet pas çdo nate. Jam ndjerë i emocionuar sa herë që mbaronte shfaqja, sepse publiku na ka pritur shumë mirë.
-Në fushën e teatrit ju nuk mungoni me projektet tuaja. Sërish po punoni për një vepër. Për çfarë bëhet fjalë?
Kjo është vepër tipike e teatrit absurd. Pra nëse monodrama ishte një tjetër vepër, unë nuk di të them pse u nisa drejt kësaj rruge të absurdit. Por nuk duhet të trembet spektatori, sepse të qenurit brenda një spektakli absurd presupozon që absurdi është rezultat jo qëllim. Në fund të fundit tek çdo jetë njerëzore ekziston absurdi. Çdo qenie njerëzore po të nisësh pyetjet themelore pse vjen në këtë jetë, pse ikën nga kjo jetë, çfarë misioni ka në këtë jetë janë pa përgjigje. Dhe çdo përgjigje e mundshme, që pretendon ti përgjigjet krijon një absurd më vete. Kjo është një vepër për kohën e diktaturës tek ne, por që nuk përmendet asnjëherë. Në skenë janë vazhdimisht 3 personazhe, një femër dhe dy meshkuj, që herë e njohin njëri-tjetrin dhe herë jo. Hyjnë në konflikt të vazhdueshëm mes tyre për gjëra që kanë të bëjnë mbase në një kuptim banal, me gjëra të zakonshme si pse nuk ma solle rakinë, kush paguan, etj, ndërkohë që aty nuk ka lokal. Pra gjithçka mbështet në absurd. Duke qenë e tillë nuk mund të shpjegoj dot fabulën, sepse nuk ka. Teatri absurd nuk bazohet tek fabula, por te rrethanat. Jemi në rrethana të caktuara kur personazhet jetojnë brenda saj. Teatri absurd nuk ka ngjarje, që personazhet të ndryshojnë. Falënderoj drejtorin Hervin Çuli, që ka marr nisma për të ftuar dhe kompani private në teatër. Edhe në rastin tim kjo vepër që do të jetë në skenë vjen në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar.
-Misioni juaj këtë herë si artist vjen me këtë vepër?
Artisti në përgjithësi, ai që pretendon që është duhet të jetë në radhë të parë misionar. Artisti duhet të përcjellë, duhet të jetë në avangardë, duhet të udhëheqë me mendimin e tij, duhet të udhëheqë shoqërinë, opinionin me ato çka thotë, çka bën. Ndryshe ai do të mbetet një kopjues i dështuar, që nuk ia vërshëllen njeri. Pra nëse do e vëmë veten në pozicione misionare detyrimisht duhet të themi diçka. Misioni i artit është të thotë një gjë dhe kur një artist sikundër një kompozitor ulet në piano, një piktor merret penelin dhe hedh në kanavacë ngjyrat, ai do të shprehet. Mua siç duket më vjen si domosdoshmëri e brendshme të them një gjë dhe gjej mënyrën time për ta thënë në këtë formë.
-Çfarë ju shqetëson sot për artin në vend?
Nuk mund ta kuptoj një artist konformist. Arti gjithmonë është kundër. Arti është gjithmonë në opozitë. Në çdo rend shoqëror sado i mirë që është ai, me çdo pushtet, qoftë me atë të kaluar apo dhe këta që do vijnë. Pra po nuk u kuptua kjo është gabim i atyre që drejtojnë. Duhet të mësohen me faktin se arti nuk mund të ekzistojë pa qenë opozitar. Ky është misioni i artit. Meqë më përmendët artin, kush është ministria që mbulon artin? Unë nuk di gjë. Ne e quajmë Ministria e Kulturës. Kaq. Kush është ministria e artit, kush e mbulon? Për artin nuk ka ministri. Pra që në formulim të emërtesës së ministrisë mungon arti.
-Sa bëri ministria për teatrin?
Unë nuk merrem me Ministrinë e Kulturës, sepse nuk e njoh. Nuk është transparente në politikat e saj. Por di të them që Teatri Kombëtar në raport me vitet e shkuara ka pasur suksese me shfaqjet, që kanë qenë cilësore, me numrin e spektatorëve, dhe kjo është meritë e drejtorit Hervin Çuli. Ai ka bërë një punë kolosale për teatrin. Bashkë me bordin ka ditur të zgjedhë vepra të mira dhe regjisorët për t’i vënë në skenë. I ka dhënë një frymëmarrje tjetër Teatrit Kombëtar. Numri i spektatorëve jo gjithmonë është tregues i nivelit të një shfaqje. Por po ta krahasojmë me numrin e përgjithshëm të spektatorëve që e kanë ndjekur teatrin dhe këta që e ndjekin sot, ne si aktorë ndjehemi të kënaqur. Kur spektatori vjen ti si aktor ndjehesh i vlerësuar. Ne luajmë në skenë për atë që na shikon. Tjetër punë që ka probleme sa i takon politikave që kanë të bëjnë me shpërblimin e aktorëve për figurën artistike, që janë zero. Por këtë e ka në dorë ministria. Aktorët vazhdojnë të luajnë të pamotivuar financiarisht dhe kjo është një gafë e madhe. Ne vazhdojmë që të ardhurat e biletave TK t’i derdhim në buxhetin e shtetit, që është një pikë ujë në buxhet. Por pushtetarët nuk kanë dashamirësi për teatrin që të paktën fondet nga biletat t’ia lënë teatrit. Nuk ka kuptim të demoralizosh artistët, ata luajnë në skenë dhe ti si shtet nuk jep asgjë. Prandaj unë pyes cila është ajo ministri që mbulon artin? Deri tani ne nuk kemi në Shqipëri ministri, që mbulon artin.
-Ju pohoni se nuk ka vëmendje për teatrin. Por Ministria e Kulturës me bujë flet për projektin “Turbina”, siç e kanë pohuar edhe “Skena e Re”. Ky projekt për ju?
Projekti “Turbina”, që nga emërtesa më duket një farsë. Kanë gjetur një kapanon atje dhe aty mund të ketë vend për të bërë shfaqje, por nuk është menduar që atje të jetë teatri i vërtetë. Mungojnë magazinat, depot për dekoret, etj. Nuk ka lartësinë e duhur. Është gjetur një hapësirë dhe brenda kësaj është përshtatur teatri, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta. Ajo godinë duhej të prishej dhe të ndërtohej një teatër sipas parametrave. Këto parametra mungojnë. Shqetësimi im lidhet më shumë se çfarë do të bëhet me Teatri Kombëtar aktual. Ne nuk dimë deri tani asgjë zyrtarisht. Fakti që nuk dihet të shqetëson më shumë. Pse nuk del dikush të na thotë, ju si artistë do të punoni kaq kohë këtu dhe ne kemi këtë projekt. Mungesa e kësaj dijeje na krijon panik dhe pasiguri. Është gjynah që tërë këtë trupë aktoriale që ka punuar për vite në teatër ta lësh me ankth.
-Këto ditë po zhvillohen dhe netët e leximit të dramës shqipe. Sa rëndësi ka për ju, pasi deri tani është pohuar mungesa e veprave shqiptare në skenë?
Jemi në netët e leximit të dramës shqipe në teatër dhe mendohet nga këto vepra që do të lexohen bordi artistik do të përzgjedhë. Unë shpresoj dhe uroj që të zgjidhen vepra shqiptare, sepse nuk ka asnjë lloj kuptimi që një Teatër Kombëtar mos të vërë në skenë vepra kombëtare. Unë për këtë shqetësim bashkohem me dramaturgun Luarasi. Madje për mua mbase dhe mund të çedojmë në kualitet, por ta kemi veprën kombëtare në skenë. Asnjë teatër në botë nuk mund ti thotë jo veprave të gjigandëve botërorë, por dhe vepra kombëtare duhet të jetë. Ju thashë që dhe mund të çedojë vepra shqipe, por duhet bërë ky kompromis. Vepra shqiptare ka impakt tjetër me spektatorin. Flet shqip, sepse ka probleme shqiptare. Sado të mundohesh ti ta sjellësh në kohë një vepër të huaj, nuk mund të jetë se sa një vepër shqiptare që flet për kohën sot.
-Ministria ka shpallur një listë të projekteve që mbështet. Ju nuk keni aplikuar për veprën tuaj. Pse?
Nuk kam aplikuar sepse nuk kam besim. Me të dëgjuar e kam që një projekt teatror financohet nga Ministria e Kulturës 2-3 milionë lekë të vjetra. Por me kaq para nëse unë kam një projekt me 6 aktorë, skenograf, regjisor, kompozitor i bie që ata t’i paguaj shumë pak. Kjo është tallje me projektet, ose financoje si duhet. Ky ka qenë shkaku, që unë nuk kam aplikuar. Nuk bëhet një projekt me aq pak para. Nuk ftohet një kompozitor, skenograf me aq pak para që mund t’i paguash me 100 apo 200 mijë lekë të vjetra. Më vjen turp t’i ftoj për shfaqjen.
-E vështirë jeta artistike për ju, mbijetesë pohojnë disa artistë. Ju si e shikoni?
Jeta artistike është shumë e vështirë, sepse përballesh me të vetmen mungesë që ka të bëjë me financimin e artit. Këtu fillon gjithmonë. Nuk ka të bëjë me faktin se ne duhet të pasurohemi. Me aktrim, me regji nuk pasurohet njeri. Nuk njoh unë aktor të pasur, por ne duam të jetojmë në mënyrë komode. Të jemi të qetë dhe të mos na tremb fundi i muajit. Shumicën e artistëve i tremb fundi i muajit, sepse jetojnë vetëm me rrogën shtetërore. Mungesa e financimit ka të bëjë me mungesën e respektit, që kanë qeveritë karshi artistëve. Qeveritë nuk kanë respekt, sepse po ta kishin bërë do t’i respektonim edhe ne qeveritarët.