Katër sëmundje po “vrasin” heshturazi shqiptarët. Hipertensioni është në vend të parë, ku rezulton se 18% e personave të vizituar përmes check-up-it nuk ishin në dijeni se vuanin nga tensioni i lartë i gjakut. Po kështu, tri sëmundjet e tjera të cilat kanë një numër të lartë të personave të prekur në popullatë, janë: obeziteti, diabeti dhe paradiabeti. Të dhënat janë bërë publike dje gjatë analizës vjetore të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku të pranishëm ishin drejtorja e fondit, znj. Vjollca Braho dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Të dhënat
Gjatë analizës, drejtorja Vjollca nënvizoi ndër të tjera se kontrolli bazë mjekësor i njohur edhe si check-up, ka evidentuar se 37% e njerëzve që kanë marrë pjesë në kontroll kishin hipertension. Rreth 18% e tyre nuk dinin që janë me hipertension, që do të thotë se kemi një shkallë shumë të lartë të sëmundjes në popullatë, që fillimisht, njerëzit nuk e dinë dhe pastaj, nuk kemi kujdesin e duhur për sëmundjen. Ndërkohë, 35% e njerëzve e dinë që janë me hipertension, por në ditën e kontrollit kanë rezultuar me vlerë të lartë tensioni, që do të thotë që nuk mjekohen siç duhet. 4% e personave që kanë bërë kontrollin dhe nuk e dinin, kanë rezultuar me diabet. Teksa 12,5% e personave që kanë bërë kontrollin, vlerësohen si paradiabetikë. Po kështu ka një shkallë të lartë obeziteti (shkallë e lartë risku).
Problematike
Përveç të dhënave, drejtuesit e fondit evidentojnë edhe faktin se procesi i check-up-it ka patur disa probleme, pasi nuk ka funksionuar mënyra e ftesës së grupmoshës 40-65 vjeç përmes zyrave të postës (mungojnë adresat e sakta të personave). Janë përdorur mënyra alternative për të ftuar popullatën në kryerjen e kontrollit bazë, përmes njoftimeve nga mjeku i përgjithshëm, i familjes dhe infermierët. Ka patur mungesa dhe problematika në vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.
Fondi
Po kështu u evidentua fakti se gjatë vitit 2015 është investuar në infrastrukturë, programime e pajisje informatike për realizimin e projekteve. Vlen të përmendet blerja e zyrave të reja në drejtorinë rajonale Fier, në funksion të përmirësimit të kushteve të punës së punonjësve, si dhe ofrimit të një shërbimi sa më cilësor ndaj popullatës. Shpenzimet administrative përbëjnë 2.2 për qind të shpenzimeve të skemës. U shpenzua 87.6 për qind e programit të këtyre shpenzimeve, ose 718 milionë lekë. Ndërsa për 2016-ën synohet zgjerimi i listës së barnave të rimbursuara, futja e pajisjeve mjekësore në listën e rimbursueshme, si dhe përmirësimi i proceseve dhe procedurave lidhur me skemën e rimbursimit dhe sistemin farmaceutik./mapo/