Nga Ismail Kadare
Kuvendimi bënte e ç’bënte kthehej te varri i Krishtit. Donte të dinte për çdo gjë për të, e sidomos për luftën e të krishterëve, që mbronin zbrazëtinë e varrit, pas ngritjes së Jezusit drejt qiellit, dhe të kundërshtarëve të tyre, që këmbëngulin se varri s’kishte qenë kurrë bosh dhe se trupi i Krishtit ishte hequr prej ithtarëve të tij.
Ndërsa meshtari fliste, sytë e pikëllueshëm të Tuz Efendiut nuk i ndaheshin. Më sa kuptoj unë këtë histori, del se gjithë krishterimi juaj ngrihet mbi atë varr të zbrazët, tha, më në fund. Pa të, krishterimi do të binte.
Krishterimi ngrihet mbi besimin tonë të shenjtëria e Jezusit, u përgjigj meshtari.
Tuz efendiu u përpiq të buzëqeshte.
Është e njëjta gjë që do të themi të dy, tha. Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.
Fjalët që thanë pas kësaj, i harruan aty për aty, ngaqë te dy e kishin mendjen gjetkë.
Prift, unë do të bëj një pyetje, për të cilën duhet të më përgjigjesh me zemër të hapur, tha Tuz Efendiue.
Nuk kam gënjyer kurrë, u përgjigj meshtari.
Vonesa e pyetjes ishte e mundimshme për të dy
Më në fund, Tuz efendiu e hapi gojën. Pyetja ime ka prapë lidhje me një varr. Veç jo me atë të Krishtit, por të këtij këtu, dhe tregoi me gisht gropën. Të Kastriotit. Desha të dija, ky varr i zbrazët, ç’do të thotë?
Meshtari e kishte vështrimin e humbur. E po aq, në mos më shumë, Tuz efendiu.
Po ta bëj pyetjen ndryshe, tha ai. Nëse krishterimi ngrihet mbi atë mungesë që thamë, ç’rreh të ngrihet mbi zbrazëtinë e Kastriotit?
Sytë e tyre, pas shmangies së gjatë, u ndeshën më në fund
Ç’rreh të ngrihet? tha meshtari. Ajo që ti vetë e mendon.
I lodhur si rrallëherë, Tuz efendiue u duk se nuk do të mbërrinte dot gjer në bujtinë.
Gjithë pasditen dhe një pjesë të natës, u mor me hartimin e raportit. Dy herë i grisi fletët, për ta nisur nga e para. Asnjëherë përdorimi i osmanishtes nuk i ishte dukur aq i vështirë, për të mos thënë, i pamundur. Gjithë puna ishte te mendimi qendror i raportit, kishte thënë veziri i Rendit. E keqja ishte se pikërisht ai që e tmerronte Tuz efendiun, mendimi se tani që osmanët vënë në gjunjë Shqipërinë, duhej të zhbënin fantazmën e saj, Kastriotin.
(Fragment nga tregimi, Raporti i fshehtë, te libri i Kadaresë, Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit)