Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar një letër Kryeprokurores së re të Përkohshme, Arta Marku ku i kërkon informacione për hetimet mbi Ramën.
Kjo forcë i kërkon Markut informacion mbi akt-padinë ndaj kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku ai i bëri thirrje policisë të përfshihet në zgjedhje.
“Lëvizja Socialiste për Integrim ka dërguar pranë institucionit Tuaj një material të detajuar me nr. 142/2 prot. datë 17.06.2017, me lëndë: “Përcillen shqetësime mbi veprimet antiligjore dhe thirrjet antikushtetuese të Kryeministrit të vendit gjatë mitingut elektoral në Kuçovë, për pjesëmarrje die aktivizimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në fushatë dhe aktivitet elektoral në mbështetje të Partisë Socialiste”, ku provohet shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga ana e Kryeministrit Z. Edi Kristaq Rama.
Kërkojmë nga ana Juaj, të na informoni mbi hetimin e kësaj çështje nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme”, shkruhet në letrën e LSI.