Nga Ilir Levonja
Pak pas ndërrimit të moteve, duket sikur zuri fill edhe e famshmja reforma ne drejtësi. Kjo me këtë bumin mediatik që një gazetar studio ikën nga Top Channe-li. Ka edhe reforma të tilla. Si vet reforma, me dorëheqje të dhimbshme a vetlargime për pasojë e intrigave të brendshme midis sojit dhe sorollopit shqiptar.
Viti që iku ka krijuar tek qytetarët një pritshmëri gati kolektive, me mbajtje fryme…, me kallama peshku në duar po presin të mbushin trastat. Peshqit e mëdhenj? Kush janë vallë?. Një kërshëri që na masturbon kolektivisht. Ca për inat dhe ca për qejf. Mirëpo nga ana tjetër këta, peshqit e mëdhenj vazhdojnë ritin… janë në qëndër të vëmendjes, përshembull si presidenti tek fëmijët jetimë, një tradite nga Enver Hoxha. Por me pak garniture si Xingu, me natyrë të qetë në numërin e yjeve. Në promovim dyshekësh të ndonjë firme së cilës mund t’i detyrohet ndonjë kacidhe fushate.
Tjetri nga ballkoni i Surrelit si mbreti i kafshëve nga bregoret e Safarit, Kilimanxharos, duke i treguar horizontin bijëve. Ca fishekzjarre apo arritja e madhe e qeverisë. Më tutje ca opozitarë shik, pranë pemëve plot zbukurime që shqiptarët i adhurojnë duke vuajtuar konceptesh, a ta quajmë pema e Krishtlindjeve apo pema e vitit të ri? Punë e madhe, të dyja bashkë. A ta quajmë plaku i Krishtlindjeve, apo gjyshi i Vitit të Ri?
Po, prapë punë e madhe, rëndësi ka të na gëzojë. Ose që të dyja bashkë. Ndërkohë që statistikat disi të pakënaqura që prurjet e emigrantëve në këtë ndërrim motesh kapnin shifrat 14 milionë në valutë, këshillonin lehtësi investimi, apo të drejtën e votes të shqiptarëve kudo që janë. Ca qoka ku misionin opozitar e kryesojnë deri kuriozitetet e marrëdhëniet yllit me emrin Çiljeta, me shefat e mëdhenj. Por jemi tek reforma me vetlargim, në vitin e madh, këtë të Skëndërbeut.
Në fakt njerëzit e shtypit duam apo nuk duam ne, janë po aq dëmtues, bashkë shkaktarë në stanjacionin ekonomik dhe depresionin e thellë që ka kapur shoqërinë shqiptare, sa vet politikanët tanë. Duhet thënë se firove të këtyre 28 viteve në demokraci u dedikohet edhe një pasion gati militant, i tyre, duke i shërbyer peshqëve të mëdhenj. Se në fund të fundit, peshk i madh nuk është vetëm një, apo ata që lanë pushtetin.
Me nocionin peshk i madh duhet të përfshihet kushdo që qarkullon dhe ndan pushtet, tendera, fonde, që influencon në mbajtjen ndezur të konflikteve, vetos në reforma ligjore etj. Dhe ta dini se, sikur shtypi t’i qëndrojë misionit, apo moralit të tij social mbi të drejtën, peshqit e mëdhenj do ishin me kohë në rrjetat e shoqërisë. Nuk dinë më shumë hetuesit apo investikuesit, sidomos në fushat që përmendëm më sipër, se sa gazetarët tanë. Mirëpo ka vdekur misioni. Ka kudo një shërbim prej të verbri, si e si për të ruajtuar një rehati materiale, për më tepër trendin e kohës duke dominuar studio televizive. Dhe kur vjen momenti, i luftës së brendshme brenda sojit dhe sorollopit, siç është dhe rasrti konkret midis Top Channel-it dhe Edi Ramës, vet largimeve u jepet një pamje gati prej mbërritjes së fundit të botës. megjithëse në këtë virane botë, është vertetur katërcipërisht, qysh kur zevëndësuam perënditë, Krishtin etj., që, nuk ka njeri të pazevendësueshëm. Sidomos kur të ashtuqujaturit vipa janë produkt palësh nga lufta apo konfliktet politike. Sot shqiptarëve nuk u thua dot një emër pasi e kanë me vërtik përgjigjen.
Ky gazetar i Berishës, ky i Ramës, i Lulit apo i Metës. Dhe e vërteta ashtu është, se, të gjithëve u kanë shërbyer gazetarët me dikur gazetat e sot webet e tyre, liderëve dhe luftës, politike në vend, por tmerrësisht pak , ose aspak misionit të gazetarisë. Kush i është afruar, ka përfunduar në një izolim total si ai gazetari nga fshatrat e Korçës që ka frikë nga kamerat, me nofkën e të lajthiturit etj.
Ka mbetur pa gazetë, pa asgjë. Ndryshe, të tjerët japin intervista nga oxhaqe plot zjar vilash, drejtojnë makina të shtrenjta, posedojnë çmime karriere dhe kontribuojnë në emërime deri gjykatësish të lartë, në zgjedhje politike, duke qënë pra kokë e këmbë po aq pengmarrës të shoqërisë, sa padronët e tyre. Kjo është arsyeja që, skandalet e mëdha gjithnjë, aty, janë transformuar në show, duke krijuar një atmosferë stadiumesh me tifozë të majtë a të djathtë. I tillë ishte dhe rasti ish-ministrit të Brendshëm pak javë më parë i tillë dhe soji Balla që langaritjet e një shtetari me mode, i zënë gafil në aferat e drogës, i transformoi plotësisht në luftë politike.
Sot shqiptarët janë deri aty, sa nuk e kanë problem të bëhen kurban për Ramën a Berishën, pavarsisht faktit se droga vjen pikërisht nga sejmenët e tyre. Sot shqiptarët janë gati të martirizohen në një rrënim kolektiv, mjaft që shushunjave të tyre të mos u prishet rehati.
Ndaj gazetarët janë pjesë e këtij mëkati kolektiv. Dhe nëse doni një reformë bashkëhore, normale, jo vetëm tek drejtësia, ajo duhet të fillojë nga termat e punësimit që posedojnë vet gazetarët. Një informalitet kolektiv. Brënda këtij informaliteti, përdorimi, militantizmi është dhe kjo që po ndodh në orët e para të motmoteve, me emra të mëdhenj, me reforma të mëdha etj. Janë zhurma, thjesht e për një arsye, peshqit e mëdhenj sinjalizojnë njëri-tjetrin, ndjekin rrymat, transportojnë, afrohen kur duhet e largohen kur duhet.