Nga Mero Baze
Me Benin kemi nisur studimet në të njëjtën kohë, por na ka bashkuar gazeta “Studenti”.
Cikli i parë me poezitë e tij ishte mahnitës. Lirika, ku rima labe ndërthurej me kulturën e një njeriu të plotësuar, të fusnin drithmat.
E takova për ta uruar dhe që atëhere nuk u ndamë kurrë. Pastaj botoi disa tregime po aq poetike. Një prej tyre edhe tek “Zëri i Rinisë” ku Remzi Lani ma kujton ende titullin e tij.
Me të më lidhi më shumë një histori problematike për një shkrim të tij.
Në fund të vitit 1987, Ramiz Alia kishte dhënë sinjale në një mbledhje të Sekretariatit, që studentët duhet të flisnin më lirshëm dhe në shtypin e tyre të jepnin mendime të hapura.
Ne na e përcollën hallkat e partisë në redaksinë e gazetës si orientim.
Ja thashë këtë Benit.
Më pa me shumë mosbesim.
-E çfarë lejojnë të shkruash, tha, ka ndonjë kufi?
Nuk dija çfarë t’i thosha, por i dhashë zemër me papërgjegjësinë që më kap në këto raste.
Dhe ai solli një shkrim të gjatë rreth 8 faqe. Titulli ishte “A zhvillohet si duhet Marksizmi në Univeristet”?
Pak a shumë kritikonte stilin e pedagogëve të filozfosë në Universitet, merrte dhe shembuj konkretë, pedagogë mediokër, dhe pastaj hidhte idenë e nevojës së ballafaqimit të marksizmit me linja të tjera të filozofisë.
Ishte dhjetori i vitit 1987. Redaksia e gazetës “Studenti” po ndryshonte. Sokol Terihati kishte ikur në radio “Tirana”. I riu nuk kishte ardhur. Unë isha si “puntorë krahu” që më kishte ngelur në dorë gazeta dhe merresha me të edhe në shtypshkronjën, tek “Poligrafiku”.
Shkrimi i Benit ishte cinik, i pamëshirshëm dhe mbi të gjitha politikisht jo korrekt.
Kosta, që e kishte mbikqyrur nga Komiteti i Rinisë, kishte hequr disa kryqe në krye të faqeve. Unë e mora gjymtyrëshqyer dhe e futa në sirtar.
Në javën e parë të janarit 1988 në redaksi nuk kishte më këmbë njeriu. Të vjetrit kishin ikur, të rinjtë nuk po vinin më dhe unë mora shkrimin e Benit, e redaktova dhe vetë disi më shumë se Kosta dhe vendosa që ta botoj.
Kisha një shpresë të vakët se studentët nuk ishin kthyer dhe nuk do të lexohej aq shumë sa të bënte zhurmë.
Por gjëma thuajse u bë. Të nesërmen Benin e sollën me rroba ushtarake nga Mamurrasi ku ishte në zbor. Ai do përballej me analizën e Komitetit të Partisë në katin e tretë tek godina qendrore e Universitetit. Analiza zgjati nja dy orë.
Biles njëri zbuloi që Beni kishte ngrënë edhe pa rradhë ne mencën e “Qytetit Studenti” duke thënë se jam gazetar i “Student”-it.
Pastaj vazhdoi mbledhja me ata të rektoratit derisa në orën 2 kur ishim pa ngrënë, duruam edhe Bashkimet Profesionale të Prof. Dobrushës, tek palestra e Universitetit. Këtij të fundit nuk i ikte e keqja nga titulli.
Po bëhej serioze. Arbenin e paralajmëruan se mund të ikte edhe nga shkolla, ndërsa shefi i katedrës së filozofisë bëri një artiukull tek “Zëri I Popullit” në faqen 3 kundër këtij shkrimi.
Por ndonjëherë e keqja vjen për mirë. Kjo që në fakt dukej fundi, ishte shpëtimi.
Guro Zeneli, i cili për koicidencë iku nga jeta brenda 24 orëve me Benin, më takoi tek Klubi i Lidhjes së Gazetarëve, poshtë gazetës “Bashkimi” dhe kërkoi të dinte çfarë kishte ndodhur. Bëra pak rolin e viktimës dhe i thashë se na kërkuan shkrime kritike në emër të direktivave të partisë dhe tani po masakrojnë një student.
-Djali i Ulos është ai, më tha?
-Po, i thashë, e njeh?
-Është mësuesi legjendar i Kurveleshit. Mos kij merak pasi do të merrem unë.
Dhe gjërat të nesërmen u mbylën si me magji. Disa nga ata që ishin agresivë, filluan të flasin mire. Një shfaqje tipike e kohës. Por Beni e përjetoi keq dhe për një kohë të gjatë nuk merrte më guximin të shkruante.
*
Ditën e pare të punës si mjek specialist traumatolog, e pati me Doktor Panajot Bogën. U prezantua.
-Arben Runa!
Doktor Panajoti po e vështronte me vëmendje.
-Nga Runaj e Nivicës?
-Po
-Jemi në gjak, i tha.
-Pse, i tha Beni?
-Xhaxhai yt ka qenë me Ballin dhe më ka vrarë vëllain.
-Babi im ka qenë partizan, i tha Beni, që po e merrte me humor.
-E di tha, se ju lebrit kështu bënit, dy me Ballin dy me partinë dhe pastaj kush të fitonte. Por xhaxhai jot ma ka vrarë vëllain.
-Mirë po lidhem t’i them se është gjallë në SHBA, i tha Beni. Sqarohuni vetë.
Këtu u “mbyll” konflikti dhe u bën miq. Por ishte viti 1991.
Shtëpia e Arbenit ka qenë gjatë luftës spital partizan.
Riza Runa që dikur kishte shoqëruar Princ Vidin deri në Gjermani, ishte kthyer në Nivicë, kishte ngritur një fermë të vogël me mollë dhe kishte ndërtuar një shtëpi për vete.
Shtëpinë e vjetër të Runajve e bëri spital partizan. Në përshrkimin që i bën kësaj shtëpie, mjeku italian Franko Benant tek libri “Lufta ime më e gjatë në Shqipëri” përshkruan qartë mizorinë e luftës dhe mbijetesën e njerëzve në dimrin e vitit 1944.
Babai i Arbenit, Ulua, që e mbaj mend gjithnjë thatim, të nevrikosur dhe pa gjetur rehat, kishte dalë partizan dhe më pas kishte shkuar mësues në Kosovë me grupin e mësuesve që ndihmuan në përhapjen e arsimit atje.
Por në vitin 1949, ata u detyruan të rikthen në Nivicë. Dhe tregonte gjitnje sikletin e pllakes qe mbante shtepia e tij, por qe me 5 maj aty njerezit e pushtetit vinin respektonin pllaken, por jo të zotet e shtëpisë.
Arbeni e vuajti këtë me vonesën për të drejtën e studimit, të cilën paradoksalisht ja ka dhënë Gramoz Ruçi. Ndërkohë ishte bërë sekretar për Kulturën në Komitetin e Partisë në vitin 1984.
Por nuk e bëri vetëm për Arbenin. Ai zhbllokoi një listë me 74 nxënës me “biografi të keqe”, që po pengoheshin të shkonin në shkollë. Arbeni ishte ndër ta.
*
Si mjek nuk di të tregoj histori për të. I thosha që nëse do bëhem për thyerje kockash, nuk do arrij gjallë në spital.
Por në fakt nja dy herë arrita dhe isha në duart e tij.
Bezdia më e madhe që i krijoja ishte se e kisha kthyer në një mjek familje për fëmijet e mij dhe fëmijët e çdo shoku tim.
Kjo ja ngrinte nervat në qiell, pasi e pyesja për bajamet, për temperaturën, për stomakun, për herniet. Për kockat se pyeta ndonjëherë.
I vetmi rast kur e kam parë të nxehur si mjek ka qenë vitit 1999, ndërsa ishte lufta në Kosovë. Ushtarët e plagosur vinin në Spitalin Ushtarak dhe ai ishte mjek roje.
Një ditë më pyeti gjithë kërshëri: Kush është Brigada e Koshares e kush e Pashtrikut?
-Nuk e di mire, i thashë, por këta të Koshares i financon qeveria e Kosovës, këta të Pashtrikut janë të UÇK-së.
-Vjen një bandit aty- më tha, dhe shtoi- këta të Koshares mos i prekni me dorë, se janë vrarë kot për Rugovën, këta të Pashtriktut kanë me marr nga 50 franga.
U qetësua të nesërmen. Kishte bërë fjalë me dikë aty nga shefat dhe situata ishte normalizuar.
*
Ndërkohë që Beni po përpiqej të integrohej si mjek në sistemet e tranzicionit, një ditë e thirra për ndihmë si veprimtar i Komitetit të Helsinkit në zgjedhjet e vitit 2001 në Shijak.
E kam përshkruar diku në një libër timin këtë skenë. Makina jonë kishte letrën e Komitetit të Helsinkit, ndërsa në qendrën e Shën-Vlashit, mbaheshin të rrethuar komisionerët e PD nga disa banditë.
Beni zbriti me qetësi dhe pasi u tregoi kartën e Komitetit të Helsnikit hyri brenda. Mua m’u sollën rrotull disa makina që xhironin gomat, por nuk më ngacmuan.
Pasi doli prej shkollës ku “votohej”, Arbeni hyri në makinë dhe ma bëri me shenjë të nisemi.
-Si dukej, i thashë?
-Po dolën gjallë, ja hodhën, tha. Dhe më tregoi se si komisionerët e opozitës, nuk guxonin as t’i raportonin se ç’po ndodhte.
-Dukeshin gjysëm të blerë e gjysëm të frikësuar, tha ai. Nuk e ndaje dot. E sigurtë është që s’kishte zgjedhje.
*
Në vitin 2010 e kishte të domosdoshme të niste punë si kirurg i rregullt në Spitalin Ushtarak. Peripecitë që kishte pësuar e kishin lodhur. Nuk e ndihmoja dot. Për më tepër që njerëzit e pushtetit e dinin se ishte miku im. I thashë të lidhet me Astrit Patozin. Pak ditë më vonë ai ja mundësoi të lidhte kontratë, por ky si i prapë, nuk kishte përtuar t’ia numëronte të gjithë të zezat e spitalit.
Më dërgoi mesazhin e Patozit pak më vonë, që i thoshte pak a shumë se “ty nuk të bëjmë dot derman, por t’i bëjmë hajër spitalit të paktën”.
*
Dy vjet më parë kur Arbeni më tha se ishte diagnostikuar me tumor në mushkëri, për disa ditë nuk isha në gjendje të merrja një vendim se çfarë duhej bërë me të.
Pas një vizite të dështuar në Turqi, onkologu i njohur Shahin Kadare na rekomandoi Instituin Kombëtar të Tumorit në Aviano.
Do të udhëtonim të dy vetëm, ndërsa në mbrëmje Arbeni kishte dhe ditëlindjen. Ishte një ferr i vërtetë ajo se çfarë mund të flisnim.
Që nga aeroporti e deri në hotel, thuajse nuk folëm, përveçse u grindëm se kush duhet të mbante çantat. Pastaj u sorrollatëm nëpër qytezën e vogël të shikonim se si mund ta gjenim spitalin më lehtë nesër dhe përfunduam për darkë në një shtëpi birre.
Aty mendoj se e kalova ngërçin.
-Duhet të flasim për vdekjen, i thashë. Por duhet të qeshim. Gara ishte kush të tregonte më shumë barcaleta për vdekjen. Dhe kështu bëmë.
Garën e fitova, falë faktit që kam dëgjuar dhjetra të tilla nga Filip Çakuli, dhe deri në mesnatë kemi qeshur pa fund. Improvizova një barcaletë sikur mjekja do na thoshte të nesërmen: Ju jeni me tumor dhe nuk kini shumë kohë. Zgjidhni çfarë duhet të bëni!
-A kam kohë të shkoj deri në Karaibe, do t’i thuash ti?
-Jo, do thotë ajo.
-Po deri në Spanjë?
-Jo
-Po deri në Itali?
-Më vjen keq, do thotë ajo, unë di që ky shoku ka shtëpi në Golem, e ke dhe afër.
Qeshëm me lot.
Të nesërmen kishim vizitën. Doktoresha që na priste ishte po ashtu një leksion i ri për përballjen me vdekjen.
Ajo e detyroi Arbenin t’ia përshkruante vetë sëmundjen e tij me qetësi. Ishte si t’ia nxirrje të keqen nga brenda me zor. Dhe ai i tregoi çfarë kishte dhe çfarë mendonte për të.
Mjekja dukej në pamje e ftohtë, e sigurtë në ato që thoshte, por jo e pashpresë.
Pasi mbaroi gjithë ekzaminimet, ja tha qartë: Do të përdorësh një medikament të ri që është “nanoteknologji”, i cili eleminon qelizat kanceroze.
-Italia nuk e ka në protokoll shëndetësor, tha, duke vazhduar: Mund ta blini në Zvicer, ose mund ta porosisni nga ndonjë farmaci brenda Vatikanit. Çmimi ishte shokues dhe i papërballueshëm për çdo shqiptar.
Por ne vazhduam të bëjmë humor dhe me çmimin. Unë e porosisja vazhdimisht të mos niste të lexonte romane të gjata, se mund të mos i mbaronte dhe të mos shikonte filma me seri, se do t’i ngelej merak po të mos e merrte vesh se si mbaronin. Ai bënte humor me mua që bëja si milioner, që kisha lekë për ilaçe.
Falë Gentës që punonte në Ambasadën tonë në Romë, i porositëm ilaçet nga Vatikani dhe erdhën brenda javës.
Pas një muaji rezultati ishte fantastik. Ai mund të lëvizte sërish, të shkonte në punë dhe të sillej si njeri normal.
Kështu e shtyu për dy vjet, falë dhe një mrekullie që ndonjëherë ndodh edhe brenda sistemeve tona të shkatërruara të shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë arriti ta fusë këtë barnë në listën e importeve dhe atij nuk i mungoi asnjë ditë.
Në verë situata ju komplikua dhe për disa muaj e shtyu duke marrë oksigjen ndërsa rrinte shtrirë.
Në përpjekje për ta qetësuar se do të shërohej i shpika një fabulë tjetër. I thashë “do rindërtojmë shtëpinë tënde në Nivicë dhe do të shkosh aty në pranverë.
Aty mushkëritë bëhen nga e para prej ajrit të pastër”.
I tregova dhe një legjendë që e kisha dëgjuar për dikë që ishte shëruar nga tumori, se kishte ndenjur tre muaj në Lufë, një stan malor mbi 2000 m.
Dhe kështu bëra. I dërgoja çdo javë foto nga shtëpia që më në fund pati një çati të re.
Pllaka përkujtimore në murin e shtëpisë ishte një rast që të bëja sërisht humor të zi me të.
-Shtëpia u bë, i thashë, dhe pllakën ta ruajta. Tani disa breza më vonë, njerëzit do kujtojnë se meqë quhet shtëpia e doktor Benit, do të marrin për mjek partizan.
Por një ditë më shkruajti: “Lajmet nga shtëpia kanë qenë të vetmet lajme të mira që më kanë mbajtur pak lart moralin këto kohë…”
Mendova se po ja dilja. Por pak më vonë pasoi nje mesazh tjetër.
“Unë nuk besoj se do të shkoj dot aty. E kemi lënë të mos bëjmë gjëra që zgjasin shumë.”
Sot në mëngjes nuk u zgjua dot më. Vëllai i tij më tha se “nuk pranoi ta çonim në spital”.
*Botuar dje, me datë 28 dhjetor 2017
http://www.gazetatema.net/2017/12/28/grimca-te-jetes-qe-me-lidhen-me-doktor-benin/