Në prag të festave të fundvitit, me mbrëmjen e Krishtlindjes që kremtohet sot dhe më pas darka e ndryshimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarëve të blejnë e të konsumojnë gjelat “firmato” të Baldushkut.
“E kemi kthyer në traditë për 3 vite me radhë, që gjeli i detit të Baldushkut është i pazëvendësueshëm në tavolinën e çdo qytetari të Tiranës. Ashtu siç ka rroba firmato dhe makina me logo të shtrenjta, gjeli “firmato” i Shqipërisë është gjeli i Baldushkut”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës, sepse kështu kontribuojnë edhe në rritjen e ekonomisë lokale.
Veliaj tha se tregu i ngritur në Baldushk është i certifikuar dhe funksionon me standardet e higjienës, duke u kthyer në furnizuesin kryesor të gjelit të detit për familjet e Tiranës në darkën e Krishtlindjeve dhe Vitit te Ri.