Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i shpreh keqardhjen e tij lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”.
Presidenti shqiptar bën më tej të ditur në letrën e tij se “do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të Qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.