OSHEE investoi 250 milion dollarë për Selitën, Kodrën e diellit dhe Saukun
OSHEE investoi 250 milion dollarë për sistemin energjitik në Tiranë. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan punimet në investimet për ndërtimin e një fidri të ri dhe rrjeti që përfshin nënstacionin e Selitës, lagjet e Selitës, Kodrën e Diellit, zonën e Kopshtit Botanik, Koshtin Zoologjik, Liqenin e Thatë dhe deri në Saukun e Vjetër.
Bazuar në këtë investim do të ndërtohen 14 kabina të reja ndërsa rreth 30 të tjera do të transferohen nga tensioni 10 kV në atë 20 kv. Projekti parashikon edhe montimin e mbi 200 shtyllave që do të fuqizojnë rrjetin e shpërndarjes. Në këtë zonë llogariten rreth 4500 abonentë ose afro 20 mijë banorë që përfitojnë një shërbim më cilësor me energji në sajë të këtij investimi.
Ministri Gjiknuri tha se sektori energjitik sot është sektori që ka zhvillimet më rrënjësore si nga pikëpamja e institucionalizimit të tregut, nga pikëpamja e transformimit të kompanive dhe nga pikëpamja e investimeve. “Sektori po bëhet lider në të gjithë komponentët, prodhim, transmetim, shpërndarje dhe investime private. Është sektori lider i investimeve, qoftë publike apo private në Shqipëri dhe synojmë që me këto reforma të vazhdojmë ta mbajmë të tillë”, tha Gjiknuri.