62-vjeçari nga komuna e Prishtinës Memli Zhubi javë më parë ka pasur pëlcitje të enës më të madhe të gjakut (arteries) në organizëm.
Ai thuajse pa shenja jete dhe në gjendje shoku ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku iu nënshtrua një operacioni i cili cilësohet se është më i rralli në botë.
Operacioni është kryer në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe ka zgjatur më shumë se gjashtë orë. Për operime të tilla, mjekët e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK bëjnë thirre që qytetarët t’i kryejnë në këtë klinikë, e jo në spitale private apo edhe jashtë vendit.
Asnjëherë nuk ishte ankuar se vuante nga ndonjë sëmundje.
Memli Zhubi 62-vjeçar nga Prishtina, me profesion ekonomist, javë më parë ra në gjendje shoku si pasojë e pëlcitjes së arteries më të madhe në organizëm e cila shpërndan gjakun në trupin e njeriut.
Si pasojë e kësaj ai iu nënshtrua një operimi që zgjati për më shumë se gjashtë orë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK.
Shpresat që 62-vjeçari t’i shpëtojë kësaj patologjie ishin të pakta për mjekët e QKUK’së.
Lidhur me këtë rast ka folur të hënën për Express doktori Bekim Ademi, i cili e udhëhoqi ekipin për operimin e 62-vjeçarit. Ai ka shpjeguar për ecurinë e operimit si dhe rreziqet në të cilat ka kaluar ky operacion.Ademi ka thënë se operimet e tilla janë ndër më të rrallat në botë dhe se shkalla e rrezikut të humbjes së jetës së pacientit është shumë e madhe dhe shkon deri në 95 për qind.“…Rasti është i veçantë për arsye se ka të bëjë me një patologji me një diagnozë mjaft të rëndë.
Memli Zhubi thotë se po ndihet mirë me shëndet.
“Unë kam pas një bindje që nuk punohet në këtë klinikë. Jam bindë pas rastit tim dhe tretmanit që kam pas këtu se me të vërtetë po u kryjke një punë e madhe.
Nuk ka nevojë që të shkojmë jashtë vendit për operim. Tash jam mirë, kam fillu me ec. Unë me profesion jam ekonomist. Nuk kam vuajtur nga ndonjë problem shëndetësor”, thotë për Express pacienti Memli Zhubi.
Megjithëkëtë operimet e tilla në të shumtën e rasteve kryhen jashtë vendit. Rreth kësaj çështjeje doktorët e Vaskulares po bëjnë thirrje që pacientët ta zgjedhin QKUK’në e jo spitalet private apo edhe ato jashtë vendit për t’i kryer operimet e tilla.
“Nëse ky operacion bëhet në klinika private apo edhe jashtë vendit, starti për të kushton diku afro 15 mijë euro.
Kurse tek ne me një blerje të protezës mund të bëhet zgjidhje.
Mesazhi do të ishte një furnizim më i mirë, ngase me operime të tilla shumë para që jepen për shërim jashtë vendit mund të kurseheshin”, ka thënë doktori Bekim Ademi.
Ai kërkon nga institucionet shëndetësore kosovare që ta furnizojnë me proteza Klinikën Vaskulare, në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë që ato t’i blejnë nga spitalet e tjera private në vend apo edhe në farmaci.
http://zeri.info/femrat/176015/qkuk-ja-ben-historine-kryen-operacionin-me-te-rende-ne-bote/