Nga Kreshnik Osmani
Jam në fejsbuk sepse kam nevojë për ju. Jam këtu sepse ju ma përkëdhelni sedrën dhe kjo më pëlqen. Më bën të ndjehem mirë. Jam këtu sepse më pëlqen të përkëdhelem herë pas here dhe shumë prej jush e realizoni këtë edhe atëhere kur nuk e meritoj. Jam në fejsbuk sepse kam nevojë t’u them të tjerëve se unë kam shumë miq që me duan në kohërat kur askush nuk do askënd. Jam në fejsbuk sepse herë pas here kam nevojë të shes mend.
Jam në fejsbuk sepse dua të tregoj se dukem bukur kur dal në fotografi. Jam në fejsbuk për t’u treguar atyre që nuk më duan se mua nuk më plas fare për ju. Jam në fejsbuk sepse më merr malli për ndonjë mençuri të rrallë që bredh këtu në këtë rrjet me finesë që të mahnit. Jam këtu në fejsbuk sepse u tregoj atyre që duan të më bllokojnë se unë kam median time nëpërmjet të cilës komunikoj me njerëzit. Jam në fejsbuk për të folur, biseduar e komunikuar me njerëz të cilët nuk më detyrohen dhe nuk u detyrohem asgjë. Jam në fejsbuk sepse kam nevojë të mburrem diku me mbështetjen që më jepni ju. Jam këtu sepse më ndihmon shumë dashuria që marr prej këtu edhe pse nuk kam qenë ndonjë deficitar i madh dashurie në jetë. Jam në fejsbuk sepse këtu mund të fsheh pjesën më të madhe të difekteve të mia. Jam këtu sepse është shumë e vështirë që ti të shohësh anën time të errët këtu. Jam këtu sepse mendohem gjatë dhe shkruaj shkurt dhe ti mendon se unë nuk flas budallallëqe kurrë. Jam në fejsbuk sepse më pëlqejnë disa fytyra të ndritura, të urta dhe të mençura këtu.
Jam këtu sepse mësoj prej kokëmushkave dhe idealistëve që nuk pushojnë së luftuari me errësirën dhe nuk kanë frikë prej askujt. Jam në fejsbuk sepse në emër tuaj kërcënoj shumë kënd. Jam këtu sepse pa ju do të isha më pak i fuqishëm nga ç’jam. Jam këtu sepse kërkoj që të dyfishoj, dhjetëfishoj apo njëqindfishoj numrin e njerëzve që i bën të lumtur diçka që them unë. Jam këtu sepse erreësira dhe pylli në të cilin jetojmë ka nevojë për dritë dhe ngrohtësi shumë. Shumë prej jush jeni poçat dhe energjia që më ndihmon për të ndritur errësirën dhe për të ngrohur të ftohtin e saj. Jam në fejsbuk sepse kam mall për shumë prej jush edhe pse nuk i kam takuar kurre më parë. Jam këtu sepse më merr malli edhe për të poshtrit dhe po të mos i shihja këtu do të harroja se ekzistojnë. Jam në fejsbuk prej shtatë vitesh dhe ta dini ju si kam hyrë. Ashtu zvarrë me morën dhe më futën këtu, kur tallesha me ata që humbnin kohën këtu. Jam në fejsbuk sepse i vetëm kam frikë në mesin e errëirës në të cilën jetojmë. Jam në fejsbuk sepse më duhen armë të përballem me erreësirën, dhe nuk ka armë më të fortë dhe më të sofitikuar se ju. Jam në fejsbuk dhe e harxhoj kohën me ju, sepse shpirti, mendja dhe qenia ime do te ishin një qytet gërmadhë fantazmash që nuk do ta vizitonte askush nëse nuk do të komunikoja me ju.
Të gjitha këto çfarë shkruaj nuk janë kurthi i radhës për më shumë vëmendje. As teoria që thotë se kali i mirë e shton tagjinë e vet. Jam këtu sepse koha nuk me ka kuptim pa njerëzit dhe prej fillimit të botës e deri në fundin e saj njerëzimi do të vazhdojë të përsërisë, se pa njerëzit koha do të ndalej edhe në parajsë. Askush të mos mendojë se ju më harxhoni kohën. Koha ime mban emrin tuaj dhe mbiemrin tim. E thënë më qartë, pa ju unë nuk do të mund të kisha një identitet të plotë. Mund të ndodhë që mund të rrojmë gjatë, por mund edhe të ndodhë që të mos gdhihemi nesër. Nëse nuk jemi më një ditë, tek fytyrat e të gjithë atyre që u kam dhënë kohën, gjendet një pjesë e identikitit tim. Nuk ka rëndësi nëse të gjitha këto që mendoj unë qëndrojnë apo jo. Rëndesi ka që unë ndjej sipas asaj që perceptoj!
https://www.facebook.com/osmanikreshnik