Një personazh aspak i panjohur për publikun shqiptar, studenti shqiptar në SHBA, Deni Hoxha ka themeluar për herë të parë organizatën studentore shqiptare në Universitetin Harvard.
Me aspiratën për t’u bërë diplomat, Deni është jo vetëm një student me rezultate të shkëlqyera në Universitetin numër 1 në botë, Universitetin Harvard, por edhe po kontribuon në imazhin e Shqipërisë jashtë kufijve të saj.
I kontaktuar nga ATSH-ja, Deni tregon se “Albanian Students Association” është një organizatë studentore në universitetin Harvard.
Kjo e fundit është themeluar për të bërë bashkë shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptarë që janë të interesuar për Shqipërinë e Kosovën.
“Organizatën e kam themeluar unë , së bashku me shqiptarët e tjerë në Harvard. Organizata është krijuar për të lidhur shqiptarët që studiojnë në Harvard dhe për të lidhur studentët jo shqiptarë që janë të interesuar për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët”, tha ai.
Por jo vetëm kaq. Deni thotë se organizata do të organizojë evenimente ku do të flitet për problemet sociale, ekonomike dhe politike që hasin shqiptarët. Kjo e fundit do të realizohet nëpërmjet diskutimeve, debateve, forumeve dhe të ftuarve specialë. Me rëndësi të madhe sipas tij, është promovimi i kulturës shqiptare përmes disa evenimenteve të tjera si filma, muzikë, dhe ushqime shqiptare.
“Do të promovojmë kulturën që të ndryshojmë imazhin negativ që mund të kenë shqiptarët nëpër botë. Organizata është e pavarur dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë organizatë tjetër, por jemi të gatshëm për bashkëpunim”, përfundon Deni, që studion në Universitetin Harvard.
Kush është Deni Hoxha?
Deni Hoxha nuk është i panjohur për publikun shqiptar, por jo vetëm. Në muajin janar të këtij viti, si student në Amerikë ai ndau eksperiencën e tij të studimeve, përpara stafit të Departamentit të Shtetit në Washington, DC. Deni ishte një nga vetëm 4 studentë të përzgjedhur nga të gjitha Shtetet e Bashkuara, i cili foli rreth studimeve (arabisht) në Jordani gjatë verës, nëpërmjet programit NSLI-Y i financuar nga Departamenti i Shtetit.
Në muajin mars të 2017-ës, gazeta amerikane “Telegram.com” sjell historinë e Denit duke përshkruar jetën e tij, si një student shqiptar i cili që prej 2010-ës jeton në Amerikë së bashku me familjen e tij. Po kështu, gazeta foli edhe për dashurinë e tij për të mësuar gjuhët e huaja, si një fuqi e jashtëzakonshme. Deni si moto të tij mban thënien e Nelson Mandelës, ish presidentit të Afrikës së Jugut dhe i njohur ndryshe si luftëtari i lirisë.
Sipas gazetës prestigjoze “Telegram.com”, Deni Hoxha aspiron që një ditë të shërbejë si diplomat i huaj për Departamentin e Shtetit, dhe për këtë shërben edhe mundësia që gëzoi vitin e kaluar duke treguar fuqinë që mbart të mësuarit e gjuhëve të huaja.
Gjatë verës së 2016-ës , ai jetoi dhe studioi arabisht në Jordani, nëpërmjet Departamentit të Shtetit me një bursë që i përfshinte të gjitha dhe në dhjetor u zgjodh një nga 4 studentët që prezantuan eksperiencën jashtë shtetit përpara stafit të Departamentit të Shtetit Amerikan.
Deni gjithashtu është edhe drejtues i organizatës “Team Albanians” ku promovon vlerat dhe turizmin shqiptar jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në botë. Që prej 2015-ës, në faqen zyrtare të “Team Albanias” në Twitter-in, shumica e ndjekësve janë shqiptarë nga Amerika, Anglia, Franca dhe disa nga Shqipëria. Në disa projekte ka bashkëpunuar edhe me Eliza Dushkun apo shqiptarë të tjerë me famë botërore.
Pas prezantimit të Departamentit të Shtetit, Deni u vlerësua për studimin në zyrat e American Councils, ku u takua me presidentin e American Councils Dan E. Davidson, që e përgëzoi Denin për suksesin dhe e falenderoi për punën si përfaqësues i programit NSLI-Y.
https://www.ata.gov.al/foto-i-riu-shqiptar-themelon-organizaten-e-studenteve-ne-universitetin-harvard/