Nga Agim Baçi
Ka qenë një interes i përhershëm kërshëria e lexuesit për të ditur nëse ka apo jo ndryshim mes studimit dhe kritikës letrare, meqenëse të dyja fushat merren me evidentim vlerash të një vepre arti. Në të vërtetë, a ka diçka që i dallon ato midis tyre dhe a përbëjnë ato dy këndvështrime të ndryshme apo janë e njëjta gjë?
“Kritikut, si një ‘lexues me shije’ nuk i interesojnë anët teorike të një vepre e as episodet e ligjërimit, por krijimi i një versioni leximi”, shprehet profesori kanadez, Northrop Fraj, në librin e tij “Anatomia e kritikës”, duke theksuar se, ajo çfarë dimë ne për letërsinë, duhet medoemos të shoqërohet me dijen se çfarë është ajo. Përafërsisht, kësaj teorie mund të themi se i afrohet edhe shkrimtari Mark Twain, i cili shprehet se “çdo njeri në një vepër arti merr atë që ka brenda vetes”.
Meqenëse edhe studimi, edhe kritika merren me evidentim vlerash artistike, më shumë se sa rruga që ndjekin, besojmë se mund t’i dallojë destinacioni i tyre, pra kujt dhe si i drejtohen audiencës (Në marrëveshje besoj se një vepër arti mund ta konsiderojmë “një ngjarje” si për lexuesin, ashtu edhe për ata që merren me anën komentuare të saj, pasi vetëm duke e parë si një ngjarje, mund të shpjegojmë edhe më mirë shkaktimin e “reagimit”).
Studimi i referohet veprës përmes gjuhës, duke pasur parasysh jo vetëm atë që është përshkruar, por edhe krahasimin mbi terminologjitë e përdorura, duke rreshtuar logjikisht “rrethanat që sundojnë veprën”. Kështu, studimi, duke iu referuar “gjërave të evidentuara” për ngjarje që rrëfehen në libër, krijon fjalën “sot” për veprën. Pra studimi tenton shpjegimin e strukturës së veprës dhe stilistikës gjuhësore të saj.
Ndërkohë, “logjika e kritikës” ndërtohet mbi përjetimin dhe i referohet situatës së ngjarjes, duke synuar një mekanizëm shijues për të. Pra, për kritikën nuk është e rëndësishme analogjia e evidentuar dhe as pretendon të nxjerrë përfundime të besueshmërisë shkencore, siç ndodh rëndom me studimin. Kritika i referohet situatës artistike për të krijuar një analogji psikologjike të vetën për lexuesin.
Duke qenë se studimi merr shembuj nga vepra për të shpjeguar veprën, ndërsa kritika i merr ato për të shpjeguar fenomene jetësore që na i “kujton” vepra, del se, në një vepër, ajo që mund të jetë vlerë për studimin, mund të mos jetë e tillë për kritikën, dhe anasjelltas.
Për studimin, vepra është një mori çastesh ngjashmërie, ndërsa për kritikën vepra është e tëra një çast. Logjika na kërkon të besojmë se befasinë e vërtetë e ruan një çast i vetëm, me kushtin që të na paraqitet i tillë. Kështu, shembujt për kritikën janë në funksion të ndërtimit të një situate psikologjike, shpesh edhe jashtë veprës. Ndërsa studimi i përdor shembujt për kuptime kontekstuale të veprës dhe tenton sintetizimin e veprës, kritika nga ana tjetër përdor shumëllojshmërinë e kuptimeve të veprës.
Nëse Urtësinë do ta ndanim në dy llojesh: Urtësi Mendore dhe Urtësi Shpirtërore, besoj se studimi do t’i takonte së parës, ndërsa kritika së dytës. Pra, studimi duket se kërkon profesionistët, ndërsa kritika amatorët (Shijet nuk janë profesion!).
Pavarësisht se studimi dhe kritika janë rrugë drejt evidentimit të vlerave (pasi bazohen të dy në “përvojat artistike”), duket se ato shkojnë në kahe të ndryshme. Studimi e përdor “përvojën artistike” si një lloj “kodi rrugor” për të zbërthyer veprën. Ndërkohë që kritika përdor të njëjtën përvojë për të dalë nga vepra, për të ndërtuar një rrugëtim të vetë lexuesit me veprën, duke e futur në mekanizmin e filozofisë dhe jetës së lexuesit.
Pikërisht këtu vijmë te një pyetje tjetër: A rrezikon vetë kritika të shihet si vepër artistike, ose “një imitim dytësor i fuqisë krijuese”, siç shprehet Fraj në librin e tij “Anatomia e kritikës”? Unë besoj se kritika mund të ketë shumë elemente artistike, por “pa të drejtën” për të qenë vetë një vepër arti, pasi në fund të fundit ajo luan brenda hapësirave që janë rrëfyer më parë nga një tjetër autor.
Kritika, në logjikën e vet fillestare, “shfrytëzon” dëshirën e çdo lexuesi për të dëgjuar diçka tjetër rreth ngjarjes që ka lexuar/përjetuar vetë. Kjo e bën kritikën që të qëndrojë në kufijtë e pyetjes retorike: A mundet që lexuesi të përftojë edhe një këndvështrim të ri leximi? Pohimi apo mohimi i kësaj pyetjeje mbetet edhe fati i kritikës.
Gjithsesi as arti, as kritika nuk operojnë me lexuesin si individ, por me individin-lexues, i cili është gati të bashkëbisedojë për shumëllojshmërinë e mundshme të të parit të një “ngjarjeje”, siç ndodh me fabulën e një rrëfimi. “Veprat letrare na ftojnë për liri interpretimi, sepse na propozojnë një bisedë nga shumë rrafshe leximi dhe na vënë përballë dykuptimësive të gjuhës dhe të jetës”, shprehet Umberto Eco në librin e tij “Për letërsinë”.
Ndërkaq, kritika mund të jetë stilistike, sociologjike, psikologjike, semiologjike, impresioniste, filozofike etj. etj. Varet nga qasja që vetë “lexuesi” (kritiku) kërkon t’ua sugjerojë edhe të tjerëve shijet e tij. Por vetë kritiku duhet të pranojë pafundësinë e leximeve, duke synuar që të zbulojë caqe të reja leximesh, të cilat lidhen ne etikën, estetikën, me vlerat e kohës dhe ato të përhershme. Mbi të gjitha, me Njeriun dhe Njerëzoren, që mbeten dy shinat mbi të cilat gjithnjë mund të ecë me një lloj sigurie një “tren gjykimesh”./Mapo/