Nga Kreshnik Osmani
Po lexoja një shkrim timin të para dy ditëve të cilin e kishte botuar një nga shumë të perditshme shqiptare (bëhet fjalë për këtë shkrimin e fundit për largimin e dhimbshëm të Adelës nga jeta). Tek komentet poshtë shkrimit (feedback) përveç atyre që e komplimentonin, kishte edhe të tjere që nuk ishin dakord dhe kjo është normale fare. Por, ishte edhe një ushtri me njerez që thonin se isha pallë, hajvan, debil, kafshë, injorant, etj, etj. nga epitetet më të frikshme të fjalorit shqip-shqip. Interesant ishte fakti se këta që nuk linin të zezë pa thënë, citonin se nuk më njihnin dhe se nuk më kishin dëgjuar kurrë më parë dhe kjo ishte një arsye e mjaftueshme që une të isha pallë. A e kuptoni ç’u kanë bërë njerëzve?! A e ndjeni se jetojmë në një shoqëri të rrezikshme të ngarkuar me stres, varfëri, tmerr, mjeri, urrejtje e çmenduri?!
Që të mos jesh dakord me dikë jemi në rregull. Por si mund te shash me libër shtëpie dikë që nuk e njeh?! Si është e mundur që të të shajnë motrën, famijen, njerëzit e shtëpisë, stilin, fisin, racën për fajin e vetëm se ta boton shkrimin një gazetë me lexueshmëri të lartë?! Si është e mundur që të urresh me fuqinë e shpirtit dikë që nuk e njeh dhe nuk e ke parë kurrë vetëm se ai ka bërë një shkrim?!
Nuk kam asnjë problem sigurisht me askënd sepse nuk më bëjnë përshtypje këto historitë me sharje, por desha të them sesa i frikshëm është realiteti në të cilin jetojmë. Ti nuk ke qenë asnjëherë në asnjë detyrë shteterore. Nuk je paguar asnjë cent kurrë në jetën tënde nga taksat e këtyre njerëzve. Nuk ua ke ngarë e keqtrajtuar as motrat, as gratë, vajzat, as familjet, as nuk i ke sharë, as nuk i ke vjedhur kurrë, as nuk i ke urryer, as ke qenë kurrë përgjegjës për jetët e tyre të bukura apo të shëmtuara e megjithatë të nxijnë, të degjenerojnë të grijnë , të shkrijnë, të grisin, të pështyjnë.
Kjo situatë është e rrezikshme sepse ky lloj tensioni dhe stresi prodhon vetëm kancer. Kanceri nuk është asgjë më shumë se një qelizë e çmendur që riprodhohet në mënyrë idiote aq shpesh, aq fort dhe në mënyrë aq të çrregullt sa mbjell enjtje, gunga, masa malinje dhe vdekje kudo që shkel e prek. Më pas përhapet nëpërmjet enëve të gjakut për t’u shpëngulur tek organet e tjera dhe në këtë moment nuk ka më terapi t’i bëjë derman. Shoqëria jonë është e sëmurë rëndë dhe sëmundja e tyre malinje mbahet nën kontroll prej një oligarkie të frikshme politike e financiare të pashpirt e cila kontrollon mendjet dhe jetët e tyre nëpërmjet çmendurisë, sepse vetëm si të çmendur mund t’i kontrollojnë më mirë. Skllevërit duhet të jenë të çmendur. Nuk duhet të mendojnë. Nuk duhet të kenë norma, ndjenja, emocion, dashuri, mendim, qetësi, shpirt, zemër, frymë, urim, mirësi, lumturi. Skllevërit duhet të jenë gjithmonë në gjendje lufte me jetën, me paqen, me njerëzit dhe me shoqërinë. Ti përpiqesh herë pas here me atë tënden, herë duke ia dalë mbanë e herë duke mos mundur ta bësh këtë, por kur nisesh t’ua heqësh skllevërve prangat, mendojnë se po u vjedh byzylykët. Zot, mbushi zemrat dhe mendjet e tyre me paqe, qetësi e lumturi. Në çmendinë, nuk mund të gjykosh askënd, por vetëm shpresohet dhe lutet për shërim!