Anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve u paraqitën në Kryesinë e Kuvendit, ku kërkuan mbledhjen urgjente të këtij komisioni.
Deputeti Eduard Halimi ka deklaruar se çdo minutë që kalon, Edi Rama dhe Saimir Tahiri e shfrytëzojnë për prishjen e provave të krimit.
“Kërkojmë menjëherë, që tani mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo minutë që kalon shërben për të shkatërruar provat e krimit që lidhin Tahirin me Edi Ramën. Çdo minutë që kalon i shërben krimit dhe është kundër drejtësisë dhe kundër qytetarëve. Ndaj i bëjmë thirrje Gramoz Ruçit që të fillojë menjëherë mbledhjen e Këshillit për të shqyrtuar menjëherë, tani kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm”, deklaroi.