Kreu i PD, Lulzim Basha ka njoftuar se duke filluar nga nesër, ai dhe përfaqësuesit e forcës politike që ai drejton, do të nisin një tur takimesh për pasojat që do të sjellë vendosja e TVSH-së mbi biznesin e vogël.
“Që nesër unë dhe PD do të nisim tur takimesh për vendosjen e TVSH mbi biznesin e vogël. Do rriten çmimet për konsumimin e qytetarëve, do futet në krizë biznesin e vogël dhe efekti i tretë do të jetë fatura e tatimeve, 150 mijë lekë kosto shtesë për cdo biznesë për kontabilitetin”, tha Basha.
Basha theksoi se PD e konsideron një çmenduri rritjen e çmimeve anembanë vendit, në kushtet e gjendjes ekonomike të vështirë të vendit. Sipas tij, “e sigurtë është që prej janarit çmimet e konsumit do të rriten. Kjo ndodh kur 30% e shqiptarëve nuk paguan dot shportën e ushqimeve bazë”.