Nga Ergys Mërtiri
Njeriu modern është qenia më e trishtueshme që ka ekzistuar ndonjëherë. Ai është një qenie e konvertuar në instrument të qëllimeve të të tjerëve. Gjithmonë në vrap e tension, megjithëse ka shpikur makina, trena e avionë për të shkurtuar distancat, kurrë nuk gjen pak kohë për veten e tij. Gjithçka në shoqeritë e sotme është ndërtuar për t’i bërë njerëzit të mos mendojnë, mundësisht fare, por sidomos, të mos mendojnë për veten. Po të mendonte, qoftë edhe fare pak, çdokush do ta kuptonte që i gjithë sistemi ku jetojmë, është kundër nesh. Ne kemi ndërtuar kampin tonë të përqëndrimit, duke menduar se po krijojmë rehatinë tonë. Kemi ndërtuar burgun tonë duke menduar se po fitojmë lirinë.
Moderniteti prodhoi nocionin e kohës së lirë (që nuk ka ekzistuar më parë, pasi dikur koha nuk ndahej në: e zënë dhe e lirë) e megjithatë, as këtë nuk ia lë njeriut ta shpenzojë për vetveten. Industria e argëtimit është makineria qe ia vjedh njeriut kohën e presupozuar për të pushuar. Si rrjedhim, këtë kohë, nuk ia kushtojmë vetvetes por, televizionit, kompjuterit, apo agjencive të tjera të argëtimit. Edhe gjatë kohës së lirë jemi subjekte të tregut, ose peshq në rrjetën e industrisë dhe marketingut.
Për rrjedhojë, njeriu i sotëm jeton në perferi të vetvetes. “Njeriu modern, – thoshte dikush, – i ka djegur duart në zjarrin që ka ndezur për të harruar vetveten”.