Nga Rea Shundi
Shkollat Shqiptare, së bashku me lokomotivën e ndryshimeve të vazhdueshme, janë të drejtuara nga Europianizimi dhe kulturat mikse perëndimore. Prania e psikologëve është parë domosdoshmëri si për të qënë në rregullt nga ana ligjore, por edhe nga ajo funksionale. Rëndësia e tyre qëndron tek profili i veçante i punës që kryejnë, që përfshin mësuesinë, konsulencën dhe terapinë. Megjithatë, duke u marrë me fëmijë, përgjegjësia e tyre është e tillë që ata nuk mund të fokusohen vetëm në plotësimin e nevojave të tyre profesionale. Gjatë punës me grupe njerëzish, vihet re dobësimi i linjave e rregullave, për t’u shkrirë në atmosferën e së tërës.
Pra ne jemi drejtuar drejt përmirësimit të rezultateve, që mund të vijë vetëm duke bashkëpunuar më mirë. Problemi që del është ruajta e peshës së secilit, pra ecja përgjatë një fije të hollë, me pergjegjësitë, kënaqësitë e detyrës dhe përfitimeve nëpër anë. Për nxënësit, aq më tepër ata të gjimnazeve, një figurë e fortë udhëheqëse dhe orientuese është jetësore. Gjatë kësaj moshe, ata janë në zgjatje për t’u kapur pas njohjes, së vetvetes e botës, së njerëzve dhe natyrës së realitetit. Secili ka natyrën e tij të ndryshme, dhe të kuptuarit e të vlerësuarit të veçantive kërkon më shumë durim dhe përkushtim. Dhe duke qënë se jemi të gjithë në të njëjtën lokomotivë, gabimet e të çarat diku bëhen më të dukshme, marrin përmasa dhe mund të zhvillohen tek fëmijët ende të paplotësuar. Një gjë në dukje e padëmshe, me justifikim “janë fëmijë”, është në fakt burimi i të gjithë problemeve të tjera. Pra prania e psikologut duhet jo vetëm të jetë e vazhdueshme, por shumë mirë e koordinuar, e saktë dhe e mirëmenduar. Por për fat të keq, shumë pak ose aspak prej tyre janë në zbatim.
Sistemi i shkollës mund të funksionojë, kur organet përbërëse të tij janë të mirëkoordinuar. Mbase ne, duke e përfytyruar shkollën si piramidë, si institucion të mëkëmbësuar nga rendi hierarkik, vëmendjen më të madhe ia kemi dhënë majës, duke e lënë pas dore një pjesë shumë të rëndësishme të tij, siç është dhe roli i psikologut. Kjo mënyrë e vazhdueshme e të menduarit ka sjellë pasoja në unifikimin e së tërë strukturëse, si rrjedhojë, dhe në bashkëpunim. Kështu, secili është i orientuar drejt vetes dhe qëllimeve personale në radhë të parë, duke lënë në vend të dytë përgjegjësinë morale ndaj të gjithëve.
Për të mos thënë që, në përpjekje për të krijuar një ambient të këndshëm pune, thyhen barrierat e nevojshme ndarëse midis rangjeve. Dhe ndonëse ky parim është dukur i drejtë, nuk është ai ndaj së cilit duhet të synohet. Në shkollë, në radhë të parë, mësohet. Mungesa e disiplinës ose thyerja e pranueshme e rregullave mund të çojë vetëm në një çrregullim e konfuzion të përgjithshëm. Nëse fëmijët nuk mësojnë rëndësinë e strukturës, është njëlloj si të jemi duke i mësuar të vënë në punë një pajisje pa e njohur atë më parë. Kështu mendoj që kemi elementin më të dukshëm nisës të çrregullimeve në sjelljen e fëmijëve. Po kush merret me vazhdimin?
Duke ndjekur parimin e kësaj strukture, është psikologu ai që merret. Ne çdo institucion caktohen specialistë, me qëllimin e ruajtjes së balancit mendor të punonjësve të tjerë dhe, në rastin e shkollës, të nxënësve. Por problemi që shtrohet, është nëse vërtet prania e tyre është e përfitueshme. Dhe nëse do të ishte ashtu, përse një pjesë e madhe e nxënësve rezultojnë të painformuar në lidhje me rolin e tyre? Duke pyetur madje, dalim në përfundimin që pjesa më e madhe vazhdojn t’i qëndrojë besnik konceptit të ngushtë, që një psikolog është i nevojshëm vetëm nëshfaqjen e njëneuroze.
Kurse për ta ndrequr këtë keqformim, nga ana tjetër, shkolla në tërësi me indiferencën e saj, kontribuon në zhvillimin e problemit. Psikologët mund të përpiqen, mësuesit po ashtu, por gjithmonë ndihet se boshllëku i madh nuk mund mbushet. Në një konkluzion, mungon vërtetësia. Që një brez i tërë të ushqejë një frymë të re të të menduarit, më shume se libra, nevojiten njerëz të mirëqenë, të cilët të ushqejnë virtyte morale, të buruara nga të tyret.
Është fenomen i njohur dhe burim debatesh në Shqipëri, caktimi i pozicioneve të bazuara në njohje e jo në kualifikim. Ndonëse kjo nuk nënkupton që të gjithë të punësuarit nuk e meritojnë punësimin e tyre, nuk e përjashton faktin që nuk mund të përparojnë të vetëm. Për t’i shtuar edhe një problem tjetër, është ruajtja e vendit të punës. Mësuesit e psikologët nuk kanë siguri për atë që bëjnë, dhe domosdoshmërish u duhet të gjejnë taktika të tilla. Sistemi që është krijuar nuk mund të shkatërrohet nga disa elementë të rinj, sado të motivuar mund të jenë ata. Zgjidhja e tyre më pak e kushtueshme mbetet nënshtrimi. Megjithatë, në vetvete secili lufton të jetë i zoti. Në rrethana më të zbutura kjo është gjendje e zakonshme e të punuarit në grup, por sot në shkollë po shndërrohet në një luftë të vërtetë për mbijetesë.
“Puna e mësuesit është puna e perëndive”, thuhej shumë kohë më parë nga grekët e lashtë. Edhe sot kjo shprehje është shumë e njohur. Edukimi është term i gjerë, që nuk përfshihen vetëm dijet teknike e teorike, por dhe ato praktike. Dhe dijet praktike arrihen duke u përfshirë në rrethin e njerëzve, si një i tillë. Këtu mund të marrë zhvillim problemi i barrierave, nëse nuk trajtohet siç duhet. Të prekur nga ana tjetër, bëhemi të gjithë.
Për të çuar një nxënës te psikologu, ai duhet të kualifikohet më parë si në nevojë për një. Kategoritë janë shumë të limituara e të ngushta dhe, përgjithësisht, ata që përfundojnë atje, janë ata “më të pashpresët”. Për të konkretizuar një rast të tillë, po e thjeshtëzoj kështu:
“Gjatë orës së mësimit, një nxënës nuk përgjigjet kur i thërritet emri. Ai nuk ka mësuar dhe nuk merret me punë. Mësuesi tregohet i duruar dhe qetësisht e pyet për arsyen. Nxënësi revoltohet dhe tëdy përfundojnë në një debat agresiv. E gjithë klasa vihet në tension dhe mësuesi, si i pafuqishëm, thërret ndihmën e policisë e të psikologut. Nxënësi merret prej të dy forcave dhe çohet në një dhomë trajtimi e pyetjesh. Të gjithë janë të një mendjeje dhe kundër nxënësit, pasi ai është agresori. Ai refuzoi të sillej sipas normave dhe, si pasojë, duhet të marrë ndëshkimin e merituar.
“A është ky nxënës ndryshe nga të tjerët dhe çfarë mund të bëhet për të?”
Sido që të jenë përgjigjjet, psikologu duhet ta dijë. Kjo vjen nga kualifikimi i tij, që i ka mundësuar edhe titullin. Dhuna ndaj të tjerëve, luhatjet e sjelljes apo çrregullimet e frikshme të humorit; të gjitha janë shenja të një fëmije me probleme. Psikologu ka një gisht për ta drejtuar dhe një bllok për të shënuar. Në të shkruhet diagnoza e saktë, si rrjedhojë e këtyre simptomave të mirëvrojtuara. Nxënësi mund të vijë këtu sa herë të ndiejë se ka dëshirë për të folur. Dhoma e psikologut është gjithmonë e hapur.(Kuptohet, gjithmonë gjatë të hënës e të mërkurës, dhe vetëm kur ai nuk e ka pushim. Por ai është aty, e po të dojë dhe dikush tjetër, është gjithmonë i mirëpritur.)
Jashtë dyerve të dhomës, psikologu është sërish një njeri i punësuar, një mësues, një familjar. Drejtoria e ka parë të arsyeshme që, në rast të mungesës së një mësuesi të lëndës, ai duhet të jetë gjithashtu i gatshëm për zëvendësim. Kështu zhvillohet një orë e hapur në klasë. Meqë teknikisht mësuesi i duhur mungon, mundet që edhe të bëjnë diçka ndryshe. Psikologjia është të mësuarit për jetën, thuhet, dhe ata atë vendosin të bëjnë. Diskutojnë rreth problemeve familjare, rreth shoqërisë, mësimeve. Diskutojnë ata që duan, ata që janë të vëmendshëm dëgjojnë. Të tjerët marrin pjesë në diskutimin e tyre për jetën, të pandikuar nga prezenca e tij.
Në fakt, ata vërtet po mësojnë. Po mësojnë të sillen të lirë, nën sistemin e rregullave. Po mësojnë se mësuesi mund të jetë psikolog dhe psikologu mësues, prind e dikur nxënës. Sa lehtë qenka, mendojnë ata, të flasësh me psikologun. Se ndoshta disa e kishin keqkuptuar, se psikologjia nuk ka asnjë lidhje me psikiatrinë!
Ora e mësimit mbaron dhe të gjithë rimarrin pozicionet fillestare. Megjithatë, disa do të donin ende të vazhdonin diskutimin e mëparshëm. Ata mund të organizonin një orë tjetër të lirë, por në kuadrin e temës së mësimit. Mësuesi nuk do të ishte në kundërshtim, nëse nxënësi qëpërgjithësisht nuk ka mësuar fillon e flet për pushimet e tij në Athinë. Athina është pjesë e gjeografisë.”
Situata të tilla mund të eskalojnë në shumë drejtime, por rruga që i çon është po ajo. Mungesa e figurës së mësuesit, e autoritetit, si pasojë e pasigurisësë tij, së mungesës së kualifikimit apo përqendrimit, nuk duhet të lejojnë kurrsesi që përgjegjësia ndaj nxënësve të bëhet më pak e plotë. Në një vend ku parimet morale duhet të jenë shtylla udhëheqëse, nuk mund të tolerohen devijime moskokëçarjeje dhe përtacie. Të gjithë kanë peshën e tyre dhe pranimi i mirëqenies së saj është vetëm fillimi i kompromisit për tëqenë në një linjë të përbashkët, dhe aspak synimi final.
Në një kohë ndryshimesh të vazhdueshme, të pasurit një shtyllë të tillë për t’u mbajtur është domosdoshmëri, dhe shkolla, si më e pakta, duhet ta mundësojë. Nxënësit nuk duhet të ndiejnë “lirimin e litarit” duke hyrë nëambientet e saj, por duhet ta ndiejnë atë t’i shtrëngohet më fort, pasi jeta e tyre është përgjatë saj. Dhe nëse dëmet që sistemi i prishur i shkollës shkakton i tejkalojnë ato që ajo ndreq, psikologu nuk mundet veçse të përpiqet. Gjithçka nis diku, dhe mund të nisë vetëm te njerëzit.
E, në fund të fundit, unë besoj që të gjithë përpiqen. Të gjithë synojnë për më mirë, për të vepruar të paktën drejt diku. Sepse e mira tërheq, ashtu si dhe e vërteta. Dhe i gjithë ky proces nuk do të dukej si ideal, nëse çdokush do të ndalonte së kërkuari për shfajësime e dikë për t’i hedhur peshën e ndërgjegjes së tij. Nëse kërkojmë njeriun e mirë, nuk mundet ta gjejmë jashtë vetes. Dhe duke e pranuar këtë si të vërtetë, do të mundet dhe të shohim fytyrën tonë prapa pasqyrës.