Ata postojnë meme anti-Trump në Facebook duke e paraqitur si Nazist me kryqin nazist mbi kokë, si dhe kokën e tij si të ishte organi seksual mashkullor. Njëri e quante “Ftyrqir Fon Shkopkllouni”. Për Ditën e Punës, citonin komunisten amerikane Angela Davis, një fituese e Çmimit të Leninit për Paqen e cila disidentin nobelist sovietik Alexandër Solzhenicinin e denonconte si armik të të të drejtave të njeriut në vendet komuniste.
Të shkon mendja që individët që gjithashtu postojnë video në të cilat Trump shpallet “derr” apo “qen” e kanë vendin në ndonjë celulë të dhunshme të Antifas diku. Po nuk është ashtu. Këta janë punonjës të qeverisë federale në Zërin e Amerikës (VOA). Rrogat e tyre me gjashtë shifra paguhen nga taksapaguesit amerikanë.
Me drejtuesit e kohës së Presidentit Obama ende në kontroll të VOA-s dhe të agjensisë motër, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit (Broadcasting Board of Governors – BBG), një grup i vogël manaxherësh partizanë si dhe disa reporterë të njëanshëm që e urrejnë Presidentin Donald Trump me një pasion gati fetar e kanë transformuar atë që dikur ishte një vegël efektive e SHBA-së kundër totalitarizmit, në një tribunë të tyre partiake. Në këtë mënyrë, kanë frikësuar dhe ua kanë lidhur duart pjesës tjetër të punonjësve në VOA. Ata e shkelin tashmë rregullisht Kartën e VOA-s të 1976, një ligj në SHBA i hartuar për ta mbajtur VOA-n jopartiake. Në zellin e tyre për të ndihmuar Hillary Clinton që të fitontë në 2016, VOA sulmoi edhe Bernie Sanders me raportime të njëanshme. Mbështetësit e Sanders e akuzuan VOA-n për fyerje antiligjore nga “media e pushtetit”.
Kam punuar për Zërin e Amerikës, gjatë viteve të tij më të suksesshme të Luftës së Ftohtë. Pata fatin të intervistoj udhëheqësin e sindikatave të Solidarnostit polka, Lech Wałęsa, kur ishte nën përgjim nga policia sekrete. Ai si shumë të tjerë po luftonin për sindikata punëtore të pavarura – jo për ato zyrtare të komunistëve të cilat mbështeteshin nga Angela Davis dhe regjimi kukull i sovietikëve në Poloni. Në Amerikë, Solidarnosti gëzonte mbështetjen e plotë sit ë Presidentit Ronald Reagan ashtu edhe të presidentit Lane Kirkland të Federatës së Punëtorëve AFL-CIO. Ishte Kirkland, që e ftoi Solzhenicin për të mbajtur një fjalim për udhëheqësit e punëtorëve amerikanë, ku i burgosuri i gulagëve demaskoi Angela Davis si një heroinë të propagandës sovietike Sozhenicini tha se ajo nuk kishte lëvizur as gishtin për të mbrojtur të burgosurit politikë që vuanin pas Perdes së Hekurt.
Në programin e saj të Ditës së Punës, VOA as që e identifikoi Angela Davis si komuniste. Duhej ta kishte bërë, sepse dëgjuesit e huaj e meritojnë të vërtetën për mbështetësit e ideologjive vrastare, qofshin ato komuniste apo fashiste. Në vend të kësaj, VOA e prezantoi si një mikeshë të klasës punëtire dhe si feminist. Për sindikalistët e Solidarnostit dhe gratë në vendet e regjimeve komuniste, asgjë nuk ishte më larg nga e vërteta. Zëri i Amerikës është bërë sot konfuz për historinë, deri në pikën që po nënkupton se aktivistët e dhunshëm të Antifas mund të paraqiten si luftëtarë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Zëri i Amerikës as që ka shpresë të përballojë propagandën e sotme armiqësore të Rusisë nëse është kaq injorant për historinë dhe mbetet nën një administrim disfunksional. Disa gazetarë në studio e VOA-s e shohin Presidentin Trump pothuajse po aq negativ sa kriminelët e vrasjeve masive të shekullit XX. Duke e krahasuar Trump me Leninin, Stalinin, dhe Maon, VOA ka dëshmuar se nuk e di më se çfarë kanë qenë vërtet komunizmi apo fashizmi.
Në vitet 1980, ne luftonim kundër krahasimeve të ngjashme absurde ndërmjet politikanëve të Perëndimit dhe fashistëve famëkeqë të Luftës së Dytë Botërore, duke demaskuar keqinformimin e shpërndarë nga sovietikët. Kanali RT i propagndës së Putinit tani përdor shumë nga teknikat e KGB-së për të diskretituar dhe përçarë Perëndimin.
Për fat të keq, manaxherët dhe BBG-së dhe VOA-s së sotme nuk janë të zotët për të mposhtur propagandistët e Putinit. Ata u akuzuan së fundi se kishin ndëshkuar pesë gazetarë të VOA-s në gjuhën kineze sepse kishin pranuar të intervistonin një denoncues publik që ofronte të zbulonte korrupsionin brenda Partisë Komuniste të Kinës. Kreu i administratës së agjensisë e shkurtoi intervistën dhe i akuzoi disa nga gazetarët e Zërit të Amerikës në Gjuhën Kineze se nuk i kishin dhënë minutazh të barabartë zyrtarëve komunistë që të shprehnin pikëpamjet e tyre për denoncuesin në fjalë.
Minutazh të barabartë për komunistët në VOA është rruga më e sigurtë për të siguruar mposhtjen e Amerikës në luftën e ideve. Zëri i Amerikës pa timon dhe partiak është një rrezik për sigurinë kombëtare. Ai duhet reformuar.
/Illyria