Në një gjykatë në Londër është bërë ballafaqimi i parë me dyer të mbyllura, midis përfaqësuesve të Çelsit dhe ish-mjekes së ekipit, Eva Karneiro, e cila e ka paditur klubin dhe ish-teknikun Murinjo për diskriminim në rastin e pushimit të saj nga puna. Karneiro ka pretenduar që trajneri i atëhershëm t’i kërkojë ndjesë publike, ose në të kundërt do të vazhdojë betejën e saj ligjore në gjykatën e punës. Trajneri portugez nuk mori pjesë në seancë, ndërkohë që palët kanë kërkuar të gjejnë një akord ekonomik për të evituar vazhdimin e çështjes. Gjithçka ka ndodhur në gushtin e vitit të kaluar, pas ndeshjes ndaj Suonsi, kur “special one” e ka akuzuar mjeken për vonesë në rifutjen në fushë të Eden Hazard pas një dëmtimi, gjë që solli edhe largimin e saj nga skuadra.