Nga Enkel Demi
Unë hyra në radio, atëherë kur polici qëndronte në derën e studios dhe të qëmtonte lejen që merrje nga drejtori për të shkuar në studio dhe të flisje në mikrofon. Njerëzit më njihnin nga zëri dhe jo prej figurës. Isha thjesht i lumtur, shumë i lumtur. Në atë kohë Adi Krasta sipas nesh u çmend. Vendosi të fusë kamerat në radio. Përherë të parë kam dalë në televizor duke qenë në radio. E mbaj mend sot e kësaj dite çfarë thashë: “Po dëgjoni “Heshtje jo!”. Tani në mikrofon Alma Sulaj”. Dy fjali dhe për një javë në shtëpinë time flitej vetëm për këtë. Më merrnin në telefon dhe më thonin që kisha emocione. Nana qahej, se kisha dalë pak. Shokët e mi që isha i kuq dhe gagaç. Adi që qeshte thoshte: “Ke shkëlqyer!”. Duhet pak në televizion që të shkëlqesh.
Më pas Aldon Lipe më mori asistent në emisionin që shpiku për fëmijë, “Telebuçko” me regjinë e Ylli Pepos. E pashë televizionin pas kamerave. Aldo më tha që duhet të vishesha mirë, se do merreshim dhe me prindërit e fëmijëve. Të vetmen xhaketë që sajova ia hoqa të vetmit kostumi që kisha, një gjë blu dimërore prej cohe të leshtë. Ishte pranverë dhe në studio bënte vapë, por duhet të duronim në një ceremonial që coha e leshtë e ktheu në torturë.
E ndava mendjen se kurrë nuk do të dilja në televizor, as do të punoja për të, pasi isha i lindur për radio, prandaj mbaja flokë të gjatë, mjekërr dhe pija e bëhesha rrumbull.
Shumë vjet më vonë, pasi kisha përshkruar tre televizione kombëtare u riktheva sërish, por kësaj here si djali plangprishës. Më thirrën për televizion, por unë u fsheha në radio. Atje mora një kthinë që e quajta zyrë, atje ndërtova studion dhe bëra një emision me bandën “Gaspër Çurçia”, ndoshta programin më të bukur timin. Nuk ka rëndësi se ç’thonë të tjerët që më kujtojnë Luftën e Kosovës, “Kombinat Show”, zgjedhjet, Kutinë, Gjeniun, “C’est la vie”, unë jam dashuruar me këtë program, sepse për të parën herë më lanë të ndërtoja një emision të përmasës sime, pa zhurmë, pa tam-tame, por që nuk lodhej të tregonte qytetin, Shqipërinë, më mirë akoma shqiptarinë.
Kështu që lëshova rrënjë në Radio Televizionin Shqiptar. Megjithëse nuk merrja paratë e Klanit apo Topit e ktheva RTSH-në në mënyrë jetese. Shkoja në shfaqjet e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, në Festivale, shihja programet, filmat. Më duronin tekat dhe kurrë nuk më kërkonin t’u duroja tekat. Më përkëdhelën sedrën dhe më bënë të ndjehesha i veçantë. Nuk më morën nje herë të vetme në telefon dhe të më thonin thuaj këtë, fto këtë ose hiqe atë. E me thënë të drejtën vetë isha i bindur që do më thonin. Bëra një intervistë me koleksionistin Gjergji Thimio dhe e hodha në një usb, se u binda që nuk do ta jepnin, do e hiqnin nga transmetimi. Ai emision u pa si herët, shkaktoi debate, akuza, kurse mua më mbeti usb-ja, në xhep, se as i vajti mendja kujt ta hiqte, kurse mua më doli huq vendimi kalorsiak që të jepja dorëheqjen e ta transmetoja bisedën diku gjetkë.
Tani, në shtëpi nana ime sheh shpesh kanalet tipike të RTSH-së së digjitalizuar. Qëllon që i dal unë sa në një festival, sa në një talk show.
– Ja këtu ke qenë pak i shëndoshë, po të shpërthen këmisha… po pse je veshur me të ngushta?
Dhe unë qesh, sepse shoh flokët që i kisha më të shumta, më të zeza. Nuk duhet shumë që njeriu të bëhet nostalgjik. Pak stinë televizive dhe ti ndjehesh më i plakur, kurse RTSH-ja vazhdon vit pas viti dhe është atje, herë si ari i përgjumur, herë si çunak i panginjur që ha me grykësi feta madhështore audience. Këtu e prish, sepse xhelozët hidhen si hienat dhe fshehin të dhënat, e përdhosin, e përflasin, e presin në besë tek paria që kujton se gjindja sheh stacionin e restorantit, ku ulet me pronarët e mediave. Ata duan t’ia marrin ato pak para dhe ta telendisin. I kanë vjedhur pronat, studiot, antenat, njerëzit, por nuk e kanë mundur. Kur vjen Festivali, “Rubrika Sportive”, lajmet, “Trupi dhe Shëndeti”, tani me arsimin, telefilmat e prodhuar nga ajo vetë, ndeshjet e Kombëtares, Europianit, Botërorit, Olimpidat e ku e di unë se çfarë, ata e kuptojnë dhe hanë veten me dhëmbë. Ti vetë e kupton që ajo është, ca vende bosh e pastaj vijnë të tjerët. Prandaj, e shajnë, prandaj dashakeqët bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Një kryeministër pyet: “Pse akoma gjallë është gërdalla?” dhe dëshiron ta mbyllë. Një tjetër kryeministër e kërkon për borizan dhe nis ushtarët e partisë te lajmet. Një president, një kryetar kuvendi, shefa partish e kështu me rrallë i kërcejnë mbi shpinë si pleshtat në garën kush hidhet më përpjetë duke përdorur si trampolinë atë, RTSH-në.
Në fakt, janë thyer ca mite që njerëzia ndoshta nuk i besonte. Tani ke në telefon një app që quhet “RTSH Tani”, më mira dhe praktikia në treg. Gërdalla qenka moderne!
Ka një arkivë, në të cilën gjen fjalën e fundit të teknologjisë së kohës. Arkivistët e komercialëve duan të shkojnë atje me pushime.
Ka një mori kanalesh pa lekë, të cilat mund të ishin fare mirë një pay tv, por më mirë kështu që askush mos të diskriminohet, se dëshiron të shohë televizor. Ministrja e Kulturës nuk ka lënë film pa parë të RTSH Shqip, ndërsa fëmijët po bëjnë shkollë…, por prapë do e keqkuptojnë, do e përflasin. Duket kjo është magjia e RTSH-së si “Malena” në filmin e Giuseppe Tornatore (Meqë ra fjala e keni tek RTSH Film).
Por, nuk do mjaftohen me kaq; do vazhdojnë ta pengojnë që mos të hyjë në tregun komercial, atje ku bëhen qokat, por vihen edhe gjobat. Me ligje mizore, në kundërshtim të plotë me dialektikën e zhvillimit të tregut të lirë po kërkojnë t’ia lidhin këmbët.
Fjala vjen, më duhej në një nga programet e mia ta shtroja studion me parket, dërrasë. Duhet të shpenzonim gjithsej 90 mijë lekë, shumë më pak se për një banesë. Por, për kaq duhet të bënim tender, se ligji marrok nuk të lejon të bësh blerje të drejtpërdrejtë. Dhe ku? Në Shqipëri që shitet e blihet pasuria publike, tokat, minierat, pronat a ndërmarrjet me telefona çakërqejf darkash me verë të shtrenjtë. Nejse, mua më duhej parketi dhe u shpall tenderi. Jo një herë, por tre. Dhe e fitonte gjithmonë njëri në Kukës, i cili e kishte shtrojën, por ngjyrë të bardhë. Neve na duhej në ngjyrën natyrale të drurit megjithë nyje, por ai e fitonte, se vetëm ai hynte në garë, pasi për të tjerët nuk ia vlente as të bënin letra për një shumë të këtillë. Ndërsa tek televizionet e tjera ndërtohen studio miliona euro, ne nuk blejmë dot as 90 mijë lekë dërrasë.
Prandaj, kur pyesin: “Po pse ata nuk e bëjnë Arditin, Fevziun, Portokallinë?”, duhet ta dinë se është një rrjetë merimangash që ia kanë ndërtuar me ligj që mos të bëhet, mos të funksionojë, që ta lënë jashtë tregut, mundësisht bori propagande.
Unë, tani jam një njeri që kam zënë vend në atë arkivën, ku më thërrasin me një click. Kam bërë dy festivale, megjithëse askush nuk e dinte që vuaja nga agora fobia dhe rrija gjithë natën shihja sallën bosh që të më mësohej syri. Në fakt, paskam bërë tre festivale, se kam udhëhequr me Hygertën Festivalin e Këngës Popullore. Kam bërë emisionin e sportit për Europaleague, por për çudi dhe një palë zgjedhje. Them çudi, se ma kërkoi Thoma Gëllçi, “komunisti”, njeriu që në gazetari më kishte përballë. Asnjë sms sërish, asnjë porosi. Prapë nuk më tha njeri që duhet të shënoja diçka në këtë ditëlindje. U kujtova vetë, se me gjasë bashkë me Edi Ogën të mërkurën duhet të drejtoja një mbrëmje gala për këtë ditëlindje të gjashtëdhjetë. Pra, e mbajta mend, por do të kisha shkruar njëjtë për Petrit Becin, Mirela Oktrovën, Rezart Agën, jo se janë të njëjtë, jo se janë e njëjta prerje, përkundrazi, por sepse njeriu një gjë nuk duhet ta humbë, mirënjohjen, të cilën e kam të këtillë edhe për Skënder Buçpapajn, edhe për Bardhyl Pollon, ani se në at’botë thashë në RTSH vetëm dy fjali. Të tjerë duhet të kujtojnë me ndershmëri dhe sinqeritet Agron Çobanin apo Edi Mazin. Unë kujtova të mitë.
Tani dikush që do ketë patur durimin shembullor për të më lexuar deri në fund mund të thotë: “Po pse o Kel ike? Pse nuk je më në RTSH?”. Përgjigjia ime është diku lart në këtë shkrim, ku me siguri kam përmendur paratë. Por, sërish nëpër këtë shënim kam folur për rrënjët që kam lëshuar, ndaj nuk i dihet kthehem, sepse më kanë premtuar që do të ma hapin derën.
Të paktën, jam nga ata njerëz që e ndjek, nuk e keqkuptoj, nuk e shaj, por dua më shumë prej RTSH dhe tek kjo “më shumë” e kam për zemër të bëj pjesë edhe vetë.