Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Zgjedhjet në Kolonjë, si koka e strucit në rërë!

Nga 27.al 0

Nga Mero Baze

Zgjedhjet në Kolonjë kanë përfunduar dhe sipas gjasave kandidati i së majtës në pushtet, do të fitojë përballë kandidatit të majtë në opozitë. Gara ishte paradoksale për shkak të ikjes nga gara të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, e cila në përpjekje për të shmangur dëshpërimin e elektoratit të saj, ia dorëzoi garën një partie të majtë në aleancë me ta.

Tërheqja nga gara e një partie të madhe, si Partia Demokratike, është një nga gjestet më antipolitike që ka bërë ndonjë herë një parti e madhe në Shqipëri.

Të ikësh nga gara, meqë e di se nuk e fiton atë, do të thotë të braktisësh pjesën më të traumatizuar të elektoratit tënd, që ka rezistuar në bastione të majta si Kolonja.

Militantët më të vendosur dhe më idealistë të Partisë Demokratike, janë pikërisht ata që janë në zona bastion të së majtës si Kolonja, Skrapari, Tepelena, Përmeti apo Gjirokastra. Pikërisht në ato zona, ata janë ndjerë tërësisht në pakicë për 25 vite dhe ëndërra e tyre është të bëjnë beteja dhe të fitojnë një ditë. Ata, ndryshe nga demokratët e Shkodrës që kanë opozitë njëri-tjetrin dhe zihen kush të vjedhë në Bashki, nuk kanë çfarë ndajnë. Ata ndjehen paksa në pushtet, kur vjen PD në pushtet në Tiranë, por ndjehen gjithnjë të anashkaluar në zgjedhjet vendore.

Braktisja që PD i bën këtij elektorati, vetëm që të mos turpërohet Lulzim Basha si humbës, është e rëndë dhe shumë herë më dëshpëruese për ta, se humbja e mundshme e tyre në një garë dinjitoze.

Por një tjetër arsye dëshpëruese, është dhunimi që ju bë demokratëve të Kolonjës, nga banditët e Shijakut dhe Bizhgës. Agron Duka dhe Gazmir Bizhga kanë hyrë në politikë duke vjedhur vota në vitin 2001, si socialistë. Të dy masakruan demokratët në Shijak me banda dhe para dhe u bënë deputetë. Tashmë janë bashkuar sërish 15 vjet më vonë dhe mendojnë që në politikë mund të fitosh sërish me banda dhe para. Kanë marrë banditë të Shijakut, i kanë çuar në Ersekë dhe kanë “spostuar” demokratët e Kolonjës nga mbrojtja e votës, duke i paragjykuar si të shitur dhe duke u hequr si ekspertë të dhunës.

Kjo përveçse do t’u japë një humbje të thellë, do fyejë dyfish demokratët e Kolonjës, të cilët së pari, u shpërfillën si demokratë, dhe tani po shpërfillen dhe si trima, pasi janë zëvendësuar me “trima” nga Shijaku.

Dhe ky është një turp i dytë i Lulzim Bashës që ka lënë dhe demokratët e Kolonjës në dorë të bandave të Shijakut.

Së fundmi, të gjithë ata që mendojnë se humbja do t’i faturohet Agron Dukës gënjejnë veten. Agron Duka është i fituar që ditën që i ka marrë mandatin Lulzim Bashës për të kandiduar ai në vend të tij në Kolonjë. Ai ka startuar si një parti imponuese e PD dhe e ka detyruar PD-në të gjunjëzohet paraprakisht, para se të hyjë në koalicion zyrtar me të. Sado vota të marrë Agron Duka, ai ka marrë në start më shumë se sa meriton si parti, pasi është konfirmuar si partia më e rëndësishme e koalicionit pas PD, si partia që PD është gati t’i lërë vendin në një zonë elektorale.

Të vetmit njerëz të dëshpëruar në Kolonjë, do jenë mbështetësit e PD së Kolonjës, të cilët nuk iu gëzuan dot as shansit për t’u futur në garë, as shansit për të mbrojtur votat e tyre dhe as shansit për të fituar. Përkundër tyre, mbështetësit e Dukës janë të kënaqur, pasi ata do kenë aq vota sa t’i imponohen sërish Lulzim Bashës për zona të lira në zgjedhjet e qershorit.

Ideja se Lulzim Basha do shmangte dëshpërimin e PD, duke mos kandiduar në Kolonjë, tani rezulton si e vetmja ide që e dëshpëron më shumë PD dhe e bën atë një parti të paqenë, që fsheh siglën dhe fytyrën e saj, për të mos parë humbjen me sy. Siç fsheh struci kokën në rërë, duke besuar që nuk e shikojnë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>