Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Toleranca nuk mjafton! Duhet dashuri…

Nga 27.al 0

Nga dom Gjergj Meta

Predikuesit e tolerancës duhet të bëjnë një hap mbrapa. Toleranca nuk është gjë tjetër vetëm se një slogan i atyre që nuk janë të aftë të duan dhe ajo nuk mjafton. Sot, nuk kemi nevojë të tolerojmë, por të duam, sepse mbi këtë terror do të fitohet vetëm nga aftësia jonë për të dashur e për të qarë për të tjerët.”

Janë fjalët e një mendimtari bashkëkohor egjiptian, Wael Farouq, menjëherë pas atentateve në Egjipt të dielën e kaluar.

Në Egjipt përgatitet të shkojë edhe Papa Françesku në fund të këtij muaji. Menjëherë pas atentatit të së djelës Salla e Shtypit e Vatikanit ka konfirmuar përsëri Udhëtimin e Papës. Pa asnjë tërheqje dhe me vullnet të plotë Ati i Shenjtë do të shkojë në takimin me autoritetet egjiptiane, me kreun e Kishës kopte Papa Tawadros II, me Myftiun e Madh të Egjiptit dhe me udhëheqës të tjerë fetarë të vendit. Një vullnet ky i Papës Françesku, i cili është i bindur që “urrejtja nuk mundet me urrejtje dhe se mbi terrorin nuk fitohet me më shumë terror”.

Përgjakja e kryeqytetit egjiptian gjatë meshës së të krishterëve koptë në të Djelën e Larit, pikërisht në fillim të javës së mundimeve të Krishtit, është një nga aktet në vazhdimësi të asaj të keqeje që në gjuhën mediatike quhet “Daesh”, pra i “ashtëquajturi shtet islamik”. Qëllimi është i qartë përsëri edhe një herë, përdorimi i frikës për të mbjellë përçarje dhe ligësi ndërmjet frymorëve njerëzorë, në jetën shoqërore dhe sidomos në jetën e një vendi aq të rënduar si Egjipti.

Kohët e fundit Egjipti, përveçse si një nga vendet me probleme politike dhe shoqërore në Lindjen e Mesme, njihet edhe si vendi që në më shumë se një rast, nëpërmjet fatwa-ve të Këshillit të dijetarëve islamë, i udhëhequr nga Myftiu i Madh i Egjiptit, ka dhënë orientime shumë interesante në lidhje me raportin e myslimanëve me të krishterët. Mjafton të kujtojmë se kohët e fundit, pikërisht në mars të këtij viti “Shtëpia e fatwa-ve” (Dar al Ifta al Misryah) e kryesuar nga Myftiu i Madh kishte marrë një pozicionim të qartë kundër një numri të madh sentencash të dijetarëve islamë, sidomos nga vendet arabe, të cilat ishin kundër të krishterëve dhe sipas kësaj “shtëpie” ishin rreth 90 % (në një numër prej 5500 fatwa-shë) e tyre të tilla.

Mund të thuhet, dhe këtë e thonin edhe dëshmitarë të asaj dite të përgjakshme, se ka një vullnet popullor, një vullnet të njerëzve të thjeshtë që duan paqen me të gjithë, me të krishterë e me myslimanë. Edhe në Shqipërinë tonë gjithashtu, përveç ndonjë fondamentalisti andej e këndej, jeta e njerëzve të thjeshtë është e mbushur plot me dëshirë për të jetuar bashkë dhe në paqe, për të festuar e gëzuar së bashku duke e lënë ndërgjegjen e secilit të lirë për të besuar. Këtu nuk bëhet fjalë për t’i ra mohit të vërtetës, por për të jetuar në paqe. Kur ne pretendojmë se jemi mbrojtësit e të vërtetës me fanatizëm, kthehemi në diktatorë e fondamendalistë. Është e vërteta që na mbron dhe na kërkon neve dhe ajo nuk imponohet me forcën e bombave me dhunën e prerjes së kokave, por paraqitet me dialog dhe dëshirë për bashkëjetesë në paqe.

Prandaj, që kjo logjikë të ecë përpara, pra ajo e paqes, kërkohet dashuri dhe një dashuri vepruese në ndihmë të njëri-tjetrit. Dashuria është përtej tolerancës. Ja çfarë thoshte përsëri në një shkrim të tijin egjiptiani Wael Farouq, menjëherë pas atentatit në Kishën Kopte: “Shumë myslimanë dolën në ndihmë për të dhënë gjak, kanë hapur dyert e xhamive për t’u kujdesur për të plagosurit dhe kanë qarë me lot të nxehtë, ndërsa tërhiqnin të lënduarit në Kishë. Njerëzia e tyre ka fituar mbi propagandën e urrjetjes. Myslimanë dhe të krishterë kanë qëndruar bashkë, në spital, në xhami, në Kishë.”

Atë propagandë urrejtjeje që vjen nga ata, të cilët përjashtojnë të tjerët dhe mendojnë se kanë fenë e vërtetë për fat të keq e pësojnë shumë sish që më pas kthehen në armë vdekjeprurëse për të tjerët.

Këto ditë ne, të krishterët anembanë botës do të mblidhemi për të kremtuar Pashkën e Ngjalljes e do të lutemi jo vetëm për veten tonë, por pikërisht të Premten e Madhe do të lutemi për të gjithë botën, për besimtarë e jo besimtarë, për myslimanë e hebrenj, për ateistë e agnostikë. Askush nuk na pengon ne të gjithëve, pavarësisht nga besimi apo mosbesimi, të ëndërrojmë e të punojmë për një botë më të mirë, një botë në paqe, të bukur e plot dinjitet, ku njerëzit nuk vriten pse luten apo pse besojnë ndryshe.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej