Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Tahir Muhedini: Do vendos lule në varret e gjyshërve tuaj, por gjyshërit e mi nuk kanë varre

Nga 27.al 1

Fjala e plotë e deputetit të PDIU-së, Tahir Muhedini, mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë pas vizitës së kryeparlamentarit Ilir Meta në Athinë.

Të nderuar shqiptarë,

Unë jam Tahir Muhedini.

Do të pyesni veten, me të drejtë, përse unë paraqes veten sot, kur nuk jam një i panjohur për Ju?

Përse duhet të them emrin dhe mbiemrin tim? Përse duhet ta nis këtë fjalë me një fjali boshe? Përse nuk ju drejtohem me klishenë “të nderuar deputetë“?

Arsyeja është e thjeshtë:

Të nderuar shqiptarë,

Unë jam Tahir Muhedini, i lindur në Tiranë, nga një familje me shumë pak anëtarë, sepse 28 prej tyre u therrën në një ditë më 27 Qershor 1944.

Nga familja e nënës me dhjetra të tjerë të masakruar, ku po përmend vetëm gjyshin tim, myftiun e Paramithisë, Avdulla Hsani.

Unë jam  i lindur në Tiranë dhe pa njohur gjyshërit, ungjërit, emtat e mia.

Jam i lindur në Tiranë dhe s’kam arritur të vendos kurrë, një tufë me lule në varret e të parëve të mi. Çfarë ka ndodhur me familjen time, une nuk e kam thënë asnjëherë në këtë Kuvend të shqiptarëve, por kam pas’ me dhjetra raste të prezantohem kështu në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës apo në Kongresin amerikan.

Të nderuar shqiptarë,

Unë jam Tahir Muhedini, nipi i Sali Hafuz Muhedinit, pasardhës i Abdulla Muhedinit, i Gjylso Muhedinit dhe i shumë të tjerëve, të cilët u vranë dhe nuk e panë kurrë Tiranën.

Ata  u vranë në Çamëri, pse ishin shqiptarë, siç mund të ishin vrarë gjyshërit e çdo shqiptari po të kishte lindur në atë kohë, në atë vend, në Çamëri.

Prandaj, nuk ju drejtohem si deputetë. Ju drejtohem si shqiptarë.

Nuk ju paraqes veten time, por ju prezantoj emrin tim mbiemrin Muhedini dhe peshën që unë mbaj. Dhe çdo emër ka një rrënjë.

Rrënjët e mia janë gjyshërit e mi, njerëz që ishin ajka e qytetit  të Paramithisë në Çamëri, ish-kryetar i Këshillit të Paramithisë ishte Sali Hafuz Muhedini dhe nga nga ana e nënës, myftiu i Paramithisë, Avdulla Hasanaj.

Njerëz që u vranë se ishin shqiptarë, si ju. Se flisnin shqip si ju. Se nuk mohonin Kombin, si disa nga ju.

Mos harroni se deputetë jeni, pse jeni shqiptarë. Mos harroni se deputetë jeni, pasi përfaqësoni shqiptarët. Mos harroni se si shqiptarë kemi disa detyrime, të cilat nuk ka pse Komisioneri Han të na i tregojë. Dhe aq më keq, të ulim stekën që vendosi Komisioneri Han. Dhe aq më keq, të ulim tonin e të drejtës europiane.

Të nderuar deputetë,

Unë kam vendosur, që në shenjë respekti ndaj jush, dy muajt në vijim të shkoj dhe të vendos një tufë me lule në varrin e gjyshërve të secilit  prej jush.

Unë, 139 varre do t’i vizitoj një nga një, sepse jam shqiptar dhe respektoj dhimbjen dhe kujtimin e gjyshërve tuaj.

Këtë respekt, po pati kohë ndonjëri prej jush të ma kthej e vlerësoj. Por, varrin e gjyshit tim nuk keni ku ta gjeni. Tufën me lule nuk keni ku ta vendosni.

Por, jam i sigurt se shpirti i gjyshit tim dhe gjithë parardhësve të tjerë do të jenë të qetë, nëse në vend të tufës me lule, përdorni fjalën Çamëri, të paktën po aq fort sa Komisioneri Han.

Ju politikën e bëni çdo ditë, por një ditë në vit, kur ju qëllon të takoni politikanët grekë, mos harroni që jeni shqiptarë!

Ajo është tufa me lule në varrin e gjyshit tim.

Ju faleminderit!

Tahir Muhedini, një shqiptar që duhet të kishte lindur në Paramithi dhe jo në Tiranë.

Komente (1)

  1. Firmose president .
    Bej nji gje te mire vet..Se aty me sdo te jesh. .
    Si shume te tjere.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej