Ka than' i moçmi: 

"Nuk mendohemi se po mbytet kombi, por shikojmë se mos i lagen çorapet"

                                                                                       -Fan Noli

Pas vdekjes së Shpresës

Nga Klodiana 0

Nga Edison Ypi

Pas vdekjes së gruas Shpresa, Besimit ngordhalaq i mbetën një tufë me jetimë; Shkëlqimi, Guximi, Krenari, Durimi, Përparimi, Gëzimi, Fatmiri, Zana, Dituria, Pranvera, Kujtesa, Drita. Tani Besimi është katandisur për ibret. Rënkon, kollitet, mezi lëviz, as ha as pi, sytë i kanë vënë perde, veshët i janë taposur, zëri i ka ikur.
Djali i madh Shkëlqimi është nxirë i tëri. Nusja Besa e tradhëton Shkëlqimin me një komshi skilipec, Luanin.
Guximi, bashkë me gruan Lumturinë dhe nipçen Fitimin, ikën larg, ku njerëzit hanë pilaf orizi me shkopa dhe flasin sikur cicërrijnë. Kur marrin në telefon thonë se po u vete mbarë, por nga zëri i fikur dhe numuri i celularit që nuk del në ekran, kuptohet që gënjejnë.
Krenari ikën e vjen kryeulur në Greqi ku ka ndërruar emrin, nga Krenar, e ka bërë Dhjaks.
Durimi u çmend kur pa në një gazetë se i kishin shpikur një pseudonim.
Përparimit ja gjetën kufomën me miza tre ditë pasi kishte vdekur brenda në një kamion duke ikur fshehtaz në Angli.
Gëzimi u ngatërrua me një trafik droge dhe u zhduk pa nam e nishan.
Fatmiri po pret përfundimin e një gjyqi për kthim pronash që s’ka për ta fituar kurrë.
Zana u fejua me një djalë nga Peqini, Shpëtimin, dhe iku në Itali. Fejesa u bë një të premte te pazari i Rrogozhinës mes erës së qofteve dhe duhmave të rakisë. Babai Besimi dyshoi për dhëndërrin me Benz të madh dhe zinxhira floriri në qafë, por s’foli. Tha me vete; Kështu e ka kjo jetë, ai që duket i keq del djal’ flori, ai që duket i mirë del ibret. Pas nja tre muajsh u muar vesh se dhëndërr Shpëtimin e kishin sharruar copa-copa, e kishin futur në një thes, thesin e kishin hedhur në një përrua në Rroskovec. Meqënse Zana kishte nisur të dërgonte ndonjë lek nga trotuaret e Milanos, askush s’e zuri në gojë sharrimin e Shpëtimit. Mbetën në pritje që kur Zanës ti mbushej surrati me rrudha të kthehej në fshat ku me paret e kurvllikut të ndërtonte vilë me pishinë.
Dituria ka mbetur beqare. Vijnë për ta parë Diturinë nga katundet e tjera, por asnjërit si mbushet mendja ta marri për grua. Dituria është e zbehtë, ata e duan faqekuqe. Ajo është delikate, ata e duan të bëshme. Ata e duan të shkathët, ajo është e javashme. Ata e duan nëpërkë, ajo është Zonjë. Dituria beqare pi ndonjë kafe me djalin e xhaxhait, Kujtimin, edhe ai beqar. Dituria i ngrys ditët para pasqyrës duke parë se si muzgjet ja shtojnë nuret.
Pranvera nuk merret vesh kur hyn e del, kur ikën e vjen.
Kujtesa është harruar, ca thonë në Australi, ca në Arabi.
Drita është futur në një shpellë prejku refuzon të dali para se të vdesi.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej