Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Papa në xhami: Zoti e historia do të na pyesin ç’kemi bërë sot për paqen

Nga Skenderi 0

Me këmbë të zbathura, siç e kërkon feja myslimane, Papa Françesku hyri sot në xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku, së bashku me shehun e myslimanëve të Kaukazit, Allahshukur Pashazadeh, me të cilin ishte takuar pak minuta më parë privatisht. Ishte vizita e fundit e Atit të Shenjtë, para ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e kryeqytetit, me të cilën i dha fund udhëtimit të tij të 16-të apostolik në Gjeorgji e në Azerbajxhan.

“Fakti që jemi këtu sot, së bashku, është bekim!”, tha Papa, në takimin ndërfetar, ku përveç myslimanëve dhe katolikëve, ishin të pranishëm edhe ortodoksët dhe hebrenjtë e vendit. “Është shenjë e madhe, të takohemi në miqësi vëllazërore në këtë vend lutjeje – vijoi Ati i Shenjtë – shenjë, që tregon atë harmoni, që mund të arrijnë fetë së bashku, duke u nisur nga marrëdhëniet personale dhe nga vullneti i mirë i përgjegjësve”.

 Bashkëpunimi me të tjerët nuk varfëron, por pasuron

Në xhaminë, ku shehu i myslimanëve i dhuroi një kopje të Kuranit dhe një tapet, si ai që përdorin myslimanët për lutje, Papa nënvizoi se “jo kundërvënia, por bashkëpunimi, ndihmon të ndërtohen shoqëri më të mira e paqësore, si edhe të promovohet dialogu dhe kultura. Duke ua hapur dyert mikpritjes dhe integrimit, hapen portat e zemrave të secilit dhe portat e shpresës për të gjithë”.

Duke cituar poetin e madh të Azerbajxhanit, Nizami Ganjavi, Ati i Shenjtë vërejti se bashkëpunimi me të tjerët “nuk varfëron, por pasuron, sepse  na ndihmon të jemi më njerëzorë: të pranojmë se jemi pjesë aktive e një bashkësie më të madhe dhe ta interpretojmë jetën si dhuratë për të tjerët; të shohim si qëllim jo interesat vetjake, por të mirën e njerëzimit; të veprojmë pa idealizma e pa interventizma, pa shkaktuar ndërhyrje të dëmshme e pa detyrime, por gjithnjë, duke respektuar dinamikat historike, kulturat dhe traditat fetare”.

“Pikërisht fetë – nënvizoi më tej Papa Françesku – kanë një detyrë të madhe: t’i shoqërojnë njerëzit në kërkim të kuptimit të jetës, duke i ndihmuar ta marrin vesh se aftësitë e kufizuara të njeriut dhe të mirat e kësaj bote nuk duhet të bëhen kurrë absolute… Feja është e nevojshme për njeriun, për të arritur qëllimin e tij, është busull për ta orientuar drejt së mirës e për ta larguar nga e keqja, e cila qëndron gjithnjë e strukur në portën e zemrës. Në këtë kuptim, fetë kanë një detyrë edukative: të ndihmojnë për të nxjerrë nga njeriu anën më të mirë të tij”.

Feja me shoqërinë, si xhami me drurin në “shebeke”-t azere

Duke folur, më pas, për marrëdhëniet e feve me shoqërinë, Ati i Shenjtë përdori sërish një analogji me vetratat artistike, për realizimin e të cilave janë mjeshtra azerët. “Shebeke”-t e famshme të tyre janë ndërtuar me dru dhe me xham, por pa asnjë lloj materiali ngjitës, pa zamk e pa gozhdë. Është druri, që mban xhamin, nga i cili hyn drita. “Në të njëjtën mënyrë – theksoi Papa – është detyrë e çdo shoqërie civile ta mbështesë fenë, e cila lejon hyrjen e dritës së domosdoshme për jetën: prandaj është e nevojshme t’i garantohet liria e vërtetë. Por, nuk duhet përdorur ‘zamku” artificial, që e detyron njeriun të besojë, duke i imponuar një besim të caktuar e duke e privuar nga zgjedhja e lirë; e nuk duhet të hyjnë në fe as ‘gozhdat’ e jashtme të interesave, të etjes për pushtet e para. Sepse Zotit nuk mund t’i lutemi për interesa të njëanshme e për qëllime egoiste, Zoti nuk mund të justifikojë asnjë formë fundamentalizmi, imperializmi apo kolonializmi. Edhe një herë, nga ky vend kaq kuptimplotë, lartohet thirrja e zjarrtë: kurrë më dhunë, në emër të Zotit! Emri i shenjtë i Tij të adhurohet, të mos përdhoset e të mos tregtohet nga urrejtjet e kundërvëniet njerëzore”.

Ç’perspektivë jete u ofrojmë brezave të ardhshëm

Lutja e dialogu janë rrugët, që tregoi Papa, për bashkëpunimin e paqen ndërmjet feve, pa i hapur portën sinkretizmit e as ndonjë diplomacie, që i thotë “po” gjithçkaje. Paqja e vërtetë, nënvizoi Ati i Shenjtë, bazohet në respektin e ndërsjelltë, në vullnetin për t’i kapërcyer paragjykimet dhe për të shkuar përtej problemeve të së kaluarës, me guximin për t’i lënë mënjanë interesat e njëanshme, për të denoncuar varfërinë, përhapjen e armëve dhe fitimet e arritura, duke shkelur të tjerët. “Britma e gjakut të derdhur lartohet drejt Zotit nga toka, shtëpia jonë e përbashkët”. Duhet të japim sot, përgjigjen, e cila nuk mund të shtyhet më:

“Problemi i vërtetë i kohës sonë nuk është si t’i ndjekim interesat vetjake, por ç’perspektivë jete u ofrojmë brezave të ardhshëm, si t’u lëmë një botë më të mirë se ajo, që kemi marrë në dorëzim. Zoti e vetë historia do të na pyesin ç’kemi bërë sot për paqen; që tani, na e kërkojnë me zjarr brezat e rinj, që ëndërrojnë një të ardhme të ndryshme”.

“Në natën e konflikteve, që po kalojmë, – përfundoi Papa Françesku, duke folur veçanërisht për vendet e popujt e Kaukazit, pasuri për kulturën evropiane – fetë të jenë agime paqeje, fara rilindjeje në mesin e shkatërrimit të vdekjes, jehona dialogu që ndihen pa pushim, rrugë takimi dhe pajtimi për të arritur edhe atje, ku përpjekjet për ndërmjetësim zyrtar duket se nuk japin rezultat”.

/Radio Vatikani/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej