Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Nuk di ta marr rrogën në bankomat!…

Nga Media 0

Nga Gjergj Marku

Duke medituar pas një ngjarje të rëndë në qytetin tim.

Këto radhë nuk dua të lexohen si predikim i dikujt që na qenka “burrë për shpi”, nga të përkryerit. Jo, nuk jam! Kam plot gjëra, që nuk i bëj si duhet prej vitesh e vitesh, dhe sidomos nuk jam i dhënë në punët e shtëpisë.

Ama kam kuptuar diçka nga ajo çfarë më ka mësuar jeta dhe fakti tjetër që edukimi im shkollor ka pas të bëjë me lëndën e psikologjisë apo pedagogjisë, dhe natyrisht profesioni i gazetarit, të më ketë “shtegtuar” sa andej-këndej dynjasë, per t’u njoh me fenomene, njerëz të rregullt e te çrregullt, burra shpie dhe shkatërrues shtëpie; me persona plot edukatë e kulturë, ashtu si dhe kriminelë të pashpirtë; me rob të dlirtë ashtu si dhe rob të vesit ekstrem!

Ndër të tjera, kjo gjerësi njohjeje, më ka fut “tutën” për disa gjëra, ku duhet me u ruajt fort. Sepse, ne burrat kemi diçka të keqe që femrat dhe grate nuk e kanë. Ne rrijmë gjatë, po shumë gjatë ama, jashtë dhe larg dyerve të shtëpisë. Kemi qejf klubin apo bastoret!… Kur futemi në klube dhe shtojmë dozën e rakisë apo pijeve të tjera të shtrenjta, të ndezur në muhabete “burrnie”, harrojmë se pas derës së lokalit na pret një derë tjetër shumë më e rëndësishme, ajo që na mban në jetë si familje, derën e shpisë!

Nga sa me ka rënë të njoh në jetën time të gjatë gazetareske kryq e tërthor kësaj dynjaje të madhe, diçka e kam kuptuar fort mirë, nëse ka gjë që si burrë nuk duhet të kem gjë në dorë, janë lekët e shpisë! Sepse vija re krejt të kundërtën tek ime shoqe, dorën e kursyer dhe një kujdes të jashtëzakonshëm për të mbajtur rregullin në shtëpi.

Mbase, dikush thotë, është punë tipi, qëndron dhe kjo. Por “tipi” nuk besoj se e përjashton rregullin; gratë janë shumë me nikoqire se burrat për hallet e shtëpisë dhe ia dalin të mbajnë gjithçka nën kontroll, edhe kur familja ka burime të ardhurash të majme, edhe mesatare, edhe të zakonshme, edhe me fare pak, pesë kacidhe!…

Ndaj gjëja më e mirë që mund të kem bërë në jetë, është fakti se kurrë nuk kam mbajt llogaritë e bisnesit të vogël privat vite me parë dhe as të marr rrogë në bankomat (nuk di madje as kodin), e as të kem mbajt financat e shtëpisë, sepse e njoh “dorën time të lëshuar”.

Natyrisht, për gruan është një barrë më shumë, krahas qindra punëve te tjera që ka në një familje. Por, do të ishte kthyer në një barrë akoma më e madhe dhe shkatërruese, nëse lekët e fituara me mund e djersë, të përfundonin nga vesi i keq i burrit në bastore apo kazino!..
Burra, kam të drejtë veç në këtë pikë, t’u them më shumë shpirt, ndiqni pak a shumë këtë shembull!…

*Reagim i gazetarit nga Rrësheni pas ngjarjes, ku një grua ekzekutoi bashkëshortin

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej