Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Na mbaroi djathi në shtëpi

Nga 27.al 1

Nga Enkel Demi

Kur nana tha se mbaroi djathi në shtëpi mendja më shkoi që ky lajm kaq tronditës mund të na çojë mbrapsht gjithë vitin. Në 1 janar jemi të tërë në gjendje knock down. Barqet e ngritura përpjetë dhe një gjysmagjel që do të përtypet më datë 1, 2, 3. Të nesërmen e festës së ndërrimit të moteve, njeriu vazhdon ritin për inerci. Vazhdon dreka me copat e mbijetuara të shpendit, përsheshi që ngrohet, pilafi, sallata ruse. Hapen do shishe të tjera me verë, ullinjtë e zhytur në vaj me feta limoni, vezët e ziera me djath në vaj ulliri dhe rigon përsipër.

– Mbaroi djathi, tha nana. Ky ishte kumti që më ngriti me vrull për të dalë, të gjej copën e djathit që mos të na mbijë tersi qysh ditën e parë të motit të ri.

Nuk kam bërë mirë hesapet. Blen njeriu, merr masa si çdo shqiptar deri në ditën e fundit të dhjetorit. Një thes me miell, dy thasë patate, ca teneqe djathë, zogj, pula, gjela, mish i grirë dhe me copa, vaj, makarona, oriz, sheqer. Ndërrimi i viteve ka nevojë për rezerva ushqimore të vërteta.

Rrugët janë krejt të zbrazura e tek-tuk sheh prindër që tërheqin fëmijë të veshur si për festë, të cilët po shkojnë të hanë drekën tek nënëdaja. Të gjitha shitoret mbyllur.

– Kot del, më tha nana, xhan-xhin është jashtë, nuk ka shpirt të gjallë. Unë nuk i zura besë dhe nisa shëtitjen time gjithë merak. Mbyllur shitorja me ushqime e Bardhës, mbyllur furra e bukës e Xhevit, mbyllur zarzavatet e Metit, mbyllur klubi i Rremës, mbyllur dyqani i madh i firmës së madhe, hapur bimca e Lirit. Çunat e lagjes kanë marrë nga një kafe, një kupë raki dhe po shullëhen në rrezet e diellit me jakat e ngritura përpjetë pas qafës. U ula me ta, porosita një kafe, kupa e rakisë erdhi pa e kërkuar. Pyetja e parë:

– U gëzuat?

– U gëzuam.

Heshtje. Më pas Rimi cyt më tej bisedën:

– Dobët shumë këtë vit. Ka ra Kartagjena fare. Me zor bleva 80 mijë lekë fishekzjarre.

Të gjithë ramë në një mendje që këtë vit ishte dobët shumë. Shamë qeverinë, ndërsa kupa e parë u zbraz. Erdhi e dyta, por nuk shtyhet thatë. Liri paska ca ullinj, Gimi u ngjit deri në banesën e tij dhe mori dy copa djathë të mbështjellë me letër. Një ma dha mua, një e hodhi në pjatën e ullinjve. Më ka bërë nderin e jetës. Ma hoqi tersin nga shtëpia dhe rakia shkonte për së mbari. Pse e kemi fqinjësinë dhe shoqërinë? Ja për këto ditë. Shijojmë rrezet e diellit dhe dikur çohemi. Erdhi vakti i drekës, na pret gjysmagjeli dhe të tjerat. Megjithatë këtë vit është dobët, si ka qenë përherë qysh kur mbaj mend ndërrimin e moteve. Dobët shumë…

Komente (1)

  1. Ça muhabetit mo ej

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>