Dy dhjetorët dhe politika

Lexo edhe

Nga Luljeta Progni

Lëvizja studentore e këtij dhjetori është pa asnjë dyshim, lëvizja më e rëndësishme studentore pas asaj të dhjetorit të vitit 1990. Në këto 28 vite të pluralizmit politik, nuk mbahet mend ndonjë lëvizje studentore kaq masive sa kjo e fundit.

Pa dyshim që dy dhjetorët ndryshojnë ndërmjet tyre në shumë detaje, por e vërteta është se thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!“ është e përbashkëta thelbësore. Që Shqipëria të jetë si gjithë Evropa mbetet ende aspiratë.

Studentët e nënëtëdhjetës ishin në kushte frike e terrori përballë diktaturës, që deri atëherë kishte vrarë e persekutuar mijëra shqiptarë, e frika dhe pasiguria për jetën, ishte e pashmangshme.

Studentët e sotëm protestojnë në kushtet e pluralizmit politik, pa asnjë frikë për jetën, ndërsa ajo që kërcënon aspiratat e tyre, është politika. Pikërisht, kjo krijon pengesën kryesore për të përfshirë apo për ta konsideruar si aleat të mundshëm të kauzës ndonjë prej forcave politike në lëvizjen e tyre.

Nga ana tjetër politika është e përfshirë në lëvizjen e studentëve edhe me mosmiratimin e tyre. Disa prej studentëve duket qartë se nga cila frymë politike vijnë e për llogari të cilës palë janë në atë shesh, madje në disa sheshe të ndryshme, me sllogane e qëndrime të ndryshme.

Por, përfshirja e politikës, ose më saktë regjimit komunist, nuk ishte e pazakontë edhe në dhjetorin e vitit 1990, përkundrazi shumë prej zhvillimeve të lëvizjes studentore devijuan sipas skenarëve që studentët as që i kishin ëndërruar.

Përpjekjet për ta shndërruar protestën e studentëve dhe intelektualëve në kapital politik të grupeve me interesa të ndryshme nga ajo e lëvizjes së pastër, i gjejmë në rrëfimet e disa prej protagonistëve kryesorë ditët e para të dhjetorit ’90.

9 Dhetor 1990, kur studentët po hartonin kërkesat

Akli Fundo, një prej studentëve në drejtimin e lëvizjes studentore, flet për mosmarrëveshje mes grupit të drejtuesve të lëvizjes, përsa i përket momentit të hartimit të kërkesave. Fundo shprehet se drejtuesi i lëvizjes, Azem Hajdari, ishte thirrur në një takim në ambjentet e Qytetit Studenti mbrëmjen e 9 dhjetorit nga ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, i cili ishte bashkë me një prej intelektualëve që ishte shfaqur atë ditë pranë studentëve, Sali Berishën. Pas takimit, dëshmon Fundo, Hajdari u kthye tek pjesa tjetër e drejtuesve të protestës dhe deklaroi, se kishte marrë garancinë; kërkesat do të plotësoheshin. Për këtë arsye, Hajdari hodhi idenë e kthimit në auditor të studentëve. Kjo solli reagime mes drejtuesve të protestës prej shkeljes së dy vendimeve dhe pas një debati, Hajdari u tërhoq.

“Azem Hajdari ka ardhur atë pasdite në atë mbledhje ku ishim ne, pas një takimi që kishte pasur me Skënder Gjinushin dhe Sali Berishën. Kur erdhi Azemi tek ne, pra te godina 15, na kërkoi që të vendosnim të shkonim në mësim. E kemi diskutuar në atë grup prej 50 vetash. Ka patur një rezistencë të fortë ndaj Azemit, pra u kundërshtua. E kundërshtuam, sepse ai po shkelte dy vendimet tona më të rëndësishme;  e para, që nuk do të pranonim në asnjë rast të takoheshim me asnjë zyrtar tjetër, përveç Ramiz Alisë dhe e dyta, kërkesa për të shkuar në mësim, ndërkohë që ne e kishim vendosur, që nuk do të shkonim në mësim. Me sa kuptova ishte vetëm pasojë e ndikimit që kishte patur nga ai takim. Azemi na tha, se kishte marrë informacon që pedagogët do të shkonin në mësim dhe se atje do të zgjidhej problemi ynë. Ne e kemi kundërshtuar këtë qëndrim të Azemit dhe ai është kthyer menjëherë tek qëndrimi ynë. Megjithatë, unë jam larguar nga ai grup organizator në shenjë proteste ndaj thyerjes së dy vendimeve, për të cilat ne ishim të prerë që nuk do t’i thyenim. Bashkë me dy shokët e mi Niko Kaçiroti dhe Abdyl Demirazi, jemi larguar, duke dhënë dorëheqje nga ai komision”, rrëfen Akli Fundo në një intervistë të vitit 2013, për librin “Pardesytë e Bardha”.

12 Dhjetor 2018, kur skadoi ultimatumi për qeverinë

Çfarë duket se e bën dallimin mes ngjarjeve të dy dhjetorëve, është pikërisht pjesa gri e studentëve, ata të papërfishirë në asnjërën prej partive politike.

A është zëri i kësaj pjese gri të studentëve, edhe pse pa megafonët e huazuar nga magazinat e partive politike, më i fortë se i atyre që i përkasin grupimeve të të rinjve që aderojnë në një prej organizatave si, FRESSH, FRPD, LRI apo edhe “marksistëve” të Arlind Qorrit?

A janë gati studentët e grupimit gri që të organizohen në një strukturë demokratike me një përfaqësi që nuk do ta shiste kauzën e tyre për asnjë lloj kapitali politik, apo do të joshen me ndonjë kioskë tek liqeni?

Në fund të fundit, a janë gati këta studentë që përveç 8 kërkesave të tyre të mbajnë mbi supe një lëvizje që shkund ata që na kanë qeverisur, qeverisin dhe do të qeverisin, që ligje të tilla në dëm të opinionin publik dhe qytetarëve shqiptarë të mos votohen më?

Kjo, do të duket ditët në vazhdim, nëse studentët do ta kapin kohën e humbur dhe do të qartësojnë synimet. Fakti është se qeveria e Ramës nuk do të jetë më e qetë edhe sikur lëvizja të shuhet, propaganda bajate për arritjet e qeverisë tani do jetë më e pavlerë, premtimet boshe do jenë më të pakta dhe tenderat e anuluar më të shumtë. Në ktët këndvështrim, protesta e studentëve ka arritur shumë më tepër se 8 pikat e tyre të papranueshme ende nga kjo qeveri.

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *