Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Dibra, problemi nuk është më vetëm Luli

Nga Media 0

Nga Flamur Kuçi

Dibra rezultoi jo vetëm një humbje dramatike, por një leksion me kosto të lartë për PD. Mësimi që PD duhet të nxjerrë nga këto zgjedhje, jo thjesht për rezultatin e thellë, jo vetëm për thyerjen e besimit në një zonë tradicionalisht të djathtë, jo vetëm për ogurin që ky rezultat përbën për zgjedhjet e ardhshme, është jetik për vetë PD-në.

Fushata e Dibrës ishte kryekëput një manual se “çfarë nuk duhet bërë” jo vetëm për kaosin, konfuzionin dhe klimën përçarëse ku qendra futi degën e PD Dibër (trajtim që i ka rezervuar një pjese të mirë të degëve të PD në rrethe), jo vetëm për faktin që kryetari tregoi besim më shumë se në anëtarësinë lokale të PD, në ata drejtorë që në Kuvendin e PD u kish drejtuar gishtin si shkaktarë të humbjes së 2013 (për ata që nuk kujtohen; në Kuvendin e vitit 2014, Basha bëri sikur kërkoi ndjesë në emër të atyre drejtorëve që “bënin sehir pas xhamave të zyrave apo të makinave…”, por që çuditërisht ishin garancia e votës në 2016), jo vetëm se mbështeti “fillimin e ringritjes” tek ministrat dhe deputetët shkaktarë të rënies së PD, jo vetëm për trajtimin absurd që drejtuesit e PD i bënë zgjedhësve në Dibër duke i akuzuar “në bllok” për shitje vote, por për papërgjegjshmërinë që po tregon establishmenti drejtues i PD për të ardhmen e kësaj force politike.

Dibra nuk ishte as incident, as rastësi dhe nuk mund të lexohet si e tillë. Ajo nuk mund të fshihet apo të justifikohet siç po tenton establishmenti drejtues. Në vend të një analize reale të fenomeneve në PD, mbështetësve nuk mund t’u servirësh shit-blerjen e votës si guri i themelit të rezultatit politik. Është fataliste dhe apolitike për PD, nëse bën këtë fenomen themelin e analizës së humbjeve të saj. T’u thuash shqiptarëve që “në sajë të fushatës sonë nga 14 000 vota minus që planifikonim dolëm vetëm 4 000 vota minus”, praktikisht po u thua që, ne, 1 milion shuplakave do u kthejmë faqen tjetër.

Nga ana tjetër, as opozita e luksit, për mos të thënë e pseudokritika e pilotuar, që nuk e ngriti zërin asnjëherë pëgjatë proceseve degraduese, por përkundrazi mbështeste mbytjen e zërave të kritikës reale, nuk bind duke tentuar të reduktojë problemin tek Luli. Si rezultat i mungesës së proceseve reformuese, PD ka problem më themelor dhe nuk e ka luksin ta reduktojë problemin vetëm tek koka e kryetarit.

Nuk mund të bësh opozitë dhe të ngjallësh besim duke ofruar si “shpresë” përfaqësuesit e degradimit politik të PD. Nuk mund të bësh opozitë dhe të ngjallësh shpresë duke shpalosur luksin e “zengjinëve” të ish pushtetit përballë mjerimit të njerëzve të thjeshtë. Nuk mund të bësh opozitë dhe të ngjallësh shpresë duke mbajtur frymën tek përçarja e mazhoracës dhe duke i shkelur syrin njërit segment të pushtetit.

PD ka të domosdoshëm një proces reflektimi mbi fenomenet që kanë çuar në degradimin politik të kësaj force. Opozita sot nuk ngjall besim, dhe kjo është çështja kryesore që shqetëson jo thjesht mbështetësit e PD, por të gjithë opinionin publik. Zgjedhësit çohen në dëshpërim nga mungesa e alternativës. Sepse, është dëshpëruese që përballë qeverisjes më problematike në këto vite, opozita nuk fiton dot asnjë nga betejat politike në opinionin publik.

Të pretendosh që jo vetëm për 2017, PD-së do i mjaftojnë thjesht ca ide të reja, por pa reformuar të gjithë infrastrukturën që mbart degradimin politik të opozitës, është jo vetëm fyese, por edhe tinzare. Një opozitë nuk mund të bëjë përpara, nëse ka për objektiv të jetë simetrikja e një pushteti problematik. Një opozitë nuk bën përpara, nëse në vend të alternativës ofron justifikimin. Një opozitë nuk bën përpara nëse në vend të besimit ofron pasigurinë tek elektorati i vet. Një opozitë nuk bën dot përpara nëse pretendon që elektorati të ketë kujtesë elefanti dhe thjesht të harrojë abuzimin e zengjinëve të rinj, me të cilët pretendon të vish në pushtet.

Përkundrazi, PD duhet të lexojë mesazhet e njëpasnjëshme të elektoratit që pretendon një hapje dhe reformë të thellë, pasi tashmë problem nuk është thjesht Luli.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej