Në lidhje me çështjen e administratorit të LSI në njësinë 2 Elez Gjoza, Zv/kryeministrja Ledina Mandija sqaron se i ka kërkuar informacion Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në lidhje me kallëzimin ndaj Gjozës.
Në njoftim gjithashtu se Mandija i ka kërkuar menjëherë që kjo çështje të futet për diskutimin në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Task –Forcës.
Njoftimi i zv.kryeministres Mandija
Nisur nga shqetësimet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim në adresë të zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task-Forcës “Për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” të krijuar me VKM nr. 473, datë 01.06.2017, se kallëzimi i bërë në organin e prokurorisë nga Policia e Shtetit në ngarkim të z. Elez Gjoza është bërë pa kryer një vlerësim të thelluar të rrethanave të faktit, për cënimin e figurës të z. Gjoza dhe me qëllim pengimin e fushatës zgjedhore të LSI, zv.Kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar menjëherë që kjo çështje të futet për diskutimin në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Task –Forcës.
Mandija i ka kërkuar prej disa ditësh informacion urgjent Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për procedurën e ndjekur dhe veprimet e kryera nga Policia e Shtetit për verifikimin e rastit në fjalë si dhe kopje të plotë të kallëzimit drejtuar organit të prokurorisë të shoqëruar me provat apo materialin shoqërues.
Kryeministrja Mandija thekson edhe njëherë se Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral.