Që prej mesditës së sotme, fshati Savër i Lushnjës është përfshirë nga flakë masive. Burime bëjnë me dije se vatra e parë ka nisur nga djegia e bimësisë së thate në tokat bujqësore dhe me pas flakët dogjën 5 hektar hamullore. Në ndihme të banorëve ka ardhur një mjet i vogël zjarrfikës , i cili nuk mundi të beje shuarjen e vatrave të zjarrit.
Banorët me mjete rrethanore, degë të njoma dhe lopata kanë punuar 2 orë për fikjen e zjarrit për ta larguar nga banesat. Ata ankohen se bashkia dhe zjarrfikësja nuk ka ardhur në kohë për t’i ndihmuar në izolimin e zjarrit.
“E fikëm vetë ne si banorë pastaj erdhi zjarrfikësja. Nuk e dimë përse bien zjarret në këtë zonë”, tha një banor.
“Ja me këtë shkurre e fikëm zjarrin me dorë, kemi 3 orë aty. Shikoni zjarrfikësen me 50 litra ujë. Ky është shteti, ja pra ku e keni shtetin. Nëse nuk do ta fiknim zjarrin vetë do të digjej shtëpia. Rrezikohen familjet”, tha një tjetër qytetar.
Pak minuta pas fikjes së zjarrit në 5 ha tokë, është rindezur përsëri vatra tjetër. Shefi i policisë zjarrfikëse madje nuk iu është përgjigjur jo vetëm interesit të banoreve për ndihmë, por as medias për dëmet e shkaktuara. Në një bisede telefonike Fatmir Bozi është shprehur se në fundjave do të bëj pushime dhe nuk duhet shqetësuar. Deri tani Lushnja këtë jave ka pasur 13 vatra zjarri.