Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ka deklaruar këtë të hënë se, Sherefedin Shehu është figura e duhur për zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës.
Gjithashtu Paloka nuk kurseu një mesazh të qartë për ata që sipas tij mbajnë emrin e PD-së, por që në të vërtetë punojnë kundër fitores.
Sipas Palokës edhe ata do të trajtohen njësoj si kundërshtarët politikë.
Pjesë nga prononcimi për gazetarët
Paloka: Mbledhja e grupit sot ishte për organizimin e punës në Dibër, gjithë grupi do jetë i angazhuar në këtë fushatë, pa përjashtime. Të gjithë janë të gatshëm sepse kjo mbledhje kishte kryesisht këtë qëllim, jo vetëm të informonte grupin por dhe të shihej gatishmëria e deputetëve sepse periudha nuk është periudhë fushatash, por pushimesh. Por gjithë grupi është i gatshëm dhe do të angazhohet në fushatën e Dibrës, ku unë jam i bindur se ne do korrim fitore.
Si e komentoni kandidaturën e PS?
Paloka: Nuk kam koment për kandidaturën e PS, do ta shohim si do të sillet në fushatë. Për mua nuk ka rëndësi emri që ka krijuar deri më sot, nëse ai do të jetë pjesë e lojës së Edi Ramës për të marrë atë që nuk i takon, nëse do të hyjë me poshtërsi dhe pislliqe në këtë fushatë, sigurisht që do marrë përgjigjen e merituar në çdo aspekt. Nuk dua të paragjykoj, për ne ka rëndësi që dibranët të kenë përfaqësues të tyre atë që meritojnë të kenë dhe jo një përfaqësues të Edi Ramës. Ky që përfaqëson PS, nuk e di a është konçidencë që ka mbiemrin Rama, por për ne pak rëndësi ka. Aty nuk duhet të ketë më, askush nuk duhet të përfaqësojë më në Dibër Edi Ramën në pushtet.
Zgjedhjet në Dibër i pezullova unë, jo në kokë time, sigurisht me vendim të Kryesisë së PD, meqenëse erdhi kjo situatë ne pezulluam zgjedhjet në PD, zgjedhje që do zhvillohen pas fitores të Bashkisë Dibër. Sigurisht kjo fushatë do të na shërbejë edhe që gjithësecili, nga anëtari më i thjeshtë i PD deri tek funksionari më i lartë të tregojnë sesa vlera kanë dhe vlerat më mirë sesa një fushatë nuk ka kush ti tregojë. Kush do ta vetëpërjashtojë veten, kush do të largohet apo ca më zi të rreshtohet në krahun kundërshtar do të marrë përgjigjen si një kundërshtar i PD.