Zgjedhjet e parakohëshme në Turqi ka të ngjarë të shoqërohen me përplasje mes Ankarasë dhe autoriteteve të Austrisë, Gjermanisë dhe Hollandës që kanë thënë se nuk do të lejojnë fushatë zgjedhore në vendet e tyre ku ka një popullsi të konsiderueshme emigrantësh nga Turqia.
“Nuk do e përmend vendin përkatës, por do t’u flas qytetarëve turq në një palestër në Evropë, që zë rreth 10 mijë vetë,” tha presidenti turk.
Gjermania e ka shprehur hapur qëndrimin e saj për synimet e presidentit turk për fushatë, duke thënë se në Gjermani nuk lejohet tre muaj para zgjedhjeve.
Qeveritë austriake dhe hollandeze po zbatojnë rregullore të ngjashme.
“Fjalimet e politikanëve turq në kuadër të fushatës nuk janë të mirëpritura në Austri dhe nuk do të lejohen,” tha Kancelari austriak Sebastian Kurz.
“Nga njëra anë bllokojnë ushtrimin e një prej të drejtave më themelore, nga ana tjetër kritikojnë ato që i quajnë zhvillime negative në demokracinë turke,” reagoi ministri turk për marrëdhënie me Bashkimin Evropian, Omer Celik.