Kryeministri Zoran Zaev në një konferencë për shtyp ka hedhur hije dyshimi mbi largimin e paraardhësit të tij, Nikola Gruevski nga Maqedonia, ku edhe po kërkohet për mashtrim.
Në prononcimin e tij për mediat, Zaev u shpreh se qeveria dhe instancat përkatëse duhet që të nisin hetimet nëse Gruevski është larguar në mënyrë vullnetare nga vendi apo është rrëmbyer.
“Ne do të bëjmë gjithçka që Nikolla Gruevski vuaj dënimin këtu në Maqedoni. Dhe publikisht po parashtroj pyetjen, duke ditur këtë, si kanë ndodhur gjëra, a e ka lëshuar vullnetarisht zoti Gruevski Maqedoninë, para se gjykata ta ketë lëshuar urdhërin për arrestimin e tij apo edhe mund të jetë rrëmbyer, pres përgjigje edhe nga Gruevski dhe nga Hungaria. Është e udhës që si shtet t’i bëjmë këto pyetje”, tha Zaev.
Dyshimet se Gruevski është rrëmbyer , Zaevi i arsyetoi me atë që Gruevski është arratisur me veturë diplomatike nga ana e ambasadës.
Ai tha se të gjitha dëshmitë që i posedojnë do t’i dorëzojnë në Hungari, por edhe tek Bashkimi Evropian. Ndërsa shtoi se në lidhje me këtë rast ka bashkëpunim të mirë edhe me autoritetet shqiptare edhe malezeze.