Grupi hetimor ka rindërtuar skemën e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë së Shtetit Artan Cuku. Ish-drejtori i policisë së Vlorës është qëlluar nga dy persona ende të paidentifikuar në shesh-pushimin e pallatit në të cilin ai banonte, pak minuta pasi ishte shkëputur nga familjarët e tij.
Për këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka mbledhur urgjentisht drejtuesit e Policisë së Shtetit, drejtorin e përgjithshëm Haki Cako, dhe dy prokurorë të krimeve të rënda.
Hetimet mbi ngjarjen tashmë i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po punon me grupin e posaçëm hetimor dhe specialistë të Drejtësisë së Tiranës. Policia ka shoqëruar deri tani 11 persona që janë pyetur për rrethanat e krimit. Mësohet se një nga atentatorët është fiksuar nga kamerat e sigurisë.