Në ditën e parafundit të vitit 2019, autoritetet shëndetësore në Wuhan të Kinës lëshuan një njoftim urgjent. Spitalet në atë qytet kishin parë disa pacientë me një “pneumoni nga shkaqe të panjohura.”
Institucionet mjekësore duhet të shtojnë planet e tyre të emergjencës, thuhej në njoftim. Një vit më pas, më shumë se 1,6 milion njerëz kanë vdekur nga COVID-19.
Shtetet e Bashkuara kanë gati një të pestën e tyre, me rreth 4% të popullsisë së botës. Para pandemisë, ekspertët i konsderuan Shtetet e Bashkuara si vendi më i përgatitur për të përballuar një shpërthim. “Ne gabuam,” tha Lawrence Gostin, drejtor i Institutit O’Neill për Ligjin Kombëtar dhe Global të Shëndetit në Universitetin George Town, pjesë e ekipit që hartoi rënditjen.
Një seri dështimesh i renditen Shtetet e Bashkuara mes vendeve me numrin më të madh të rasteve të reja të infektimeve dhe vdekjeve për frymë. Disa nga momentet kryesore ku gjërat nuk shkuan siç duhej gjatë vitit.
5 shkurt – CDC dërgon teste të gabuara
Mjeti i parë që mjekët kanë nevojë për të kontrolluar çdo shpërthim sëmundje është furnizimi adekuat me teste të sakta për të përcaktuar se kush është infektuar. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara dështuan herët dhe shpesh.
“Në vend që të mbështeteshim në testet që tashmë ishin provuar, si testet nga (Organizata Botërore e Shëndetit), të cilat po viheshin në dispozicion të Shteteve të Bashkuara,” tha Gostin,
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) “vëndosën që të prodhonin testet e tyre. Gjë që rezultoi në një test të gabuar.”
Një problem gjatë prodhimit me një nga përbërësit bëri që testet të mos ishin të sakta. Rregulloret i ndaluan laboratoret e spitaleve dhe universiteteve që të prodhonin testet e tyre deri me 3 mars, kur administrata e Presidentit Trump hoqi kufizimet.
Nënpresidenti Mike Pence premtoi se miliona teste po prodhoheshin në javën e dytë të marsit.
Por mungesat e furnizimeve, radhët e gjata dhe pritjet e pafundme për rezultatet zgjati për muaj të tërë dhe ende nuk është zgjidhur përfundimisht. Kjo bëri që virusi të dilte jashtë kontrollit.
3 prill – Trump nuk i jep rëndësi e maskave
Duke mos marrë parasysh këshillat e zyrtarëve të shëndetësisë dhe inkurajuar njerëzit që të mos merrnin parasysh këshillat e tyre, Presidenti Trump ka ndihmuar në përhapjen e virusit, thonë ekspertët.
“Nuk ishte një administratë që ishte e mësuar të merrej me ekspertët,” tha Howard Markel, historian i mjekësisë me Universitetin e Miçiganit. Zoti Trump “jo vetëm që nuk i vlerësoi ata por as nuk i respektoi.”
Për shembull, kur CDC rekomandoi për herë të parë me 3 prill që njerëzit të mbroheshin në publik me maska pëlhure, zoti Trump lexoi njoftimin nga zyra e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, dhe pastaj e zhvlerësoi atë.
“Është mbi baza vullnetare. Nuk mendoj se unë do ta bëj një gjë të tillë,” shtoi ai. Qëndrimi i presidentit Trump ra ndesh me drejtuesin e Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive Anthony Fauci nëse ilaçi kundër malarias ‘hydroxychloroquine’ mund të trajtonte COVID-19. Në mënyrë të përsëritur zoti Trump e mbështeti ilaçin para se të bëheshin studime përfundimtare.
Zoti Fauci ishte skeptik.
Studimet më vonë do të tregonin se ilaçi nuk funksionoi. Në një moment, Presidenti Trump shkoi deri aty sa të sugjeronte injektimin e dezinfektuesve ose përdorjen e rrezeve ultra-vjollcë brenda trupit të njeriut. “Politikanët nuk kanë receta për arsye të forta,” tha zoti Markel.
17 prill – ÇLIRIMI I MIÇIGANIT
Në vendin e polarizuar polikisht gjatë vitit zgjedhor 2020, madje edhe pandemia vdjekjeprurëse u bë politike. Kur përhapja jashtë kontrolli e infektimeve i detyroi komunitetet që të mbyllen, politika ngatërroi ekuilibrin e vështirë mes mbrojtjes së shëndetit dhe ekonomisë. Presidenti Trump dhe republikanët kryesisht anuan nga ekonomia.
Zoti Trump mbështeti protestat kundër kufizimeve si rezultat i koronavirusit në disa shtete. Ndërsa demonstruesit e armatosur qëndronin në shkallët e kapitolit në Lansing të Miçiganit me 17 prill, Presidenti Trump shkroi në Twitter
“ÇLIRONI MIÇIGANIN”.
“Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara kërkon rebelim kundër këtyre masave, nuk është gjë e vogël,” tha Gostin.
“Kjo është një goditje shkatërruese për aftësinë e udhëheqësve të vendit dhe agjencitë publike të shëndetit për të luftuar aktualisht pandeminë.”
“Jo vetëm që ishte e papërshtatshme, por ishte potencialisht shumë e rrezikshme,” shtoi zoti Markel.
Ai theksoi se më vonë autoritetet shkatërruan një komplot për të rrëmbyer guvernatoren e Miçiganit. Madje edhe maskat, një prej disa masave efikase parandaluese, u bënë pjesë e politikave partiake.
Presidenti Trump refuzoi përdorimin e maskës para gazetarëve ndërsa vizitoi një fabrikë makinash në maj, sepse siç u shpreh ai,
“Nuk doja t’i jepja shtypit kënaqësinë për ta parë atë.”
“Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend në botë ku maska është simbol politik,” tha Gostin.
“Kjo për shkak se Shtëpia e Bardhë e politizoi atë. U bë një çështje mes shteteve republikane dhe demokrate, kur në të vërtetë ne të gjithë po përpiqeshim të mbronim njëri-tjetrin.”
Festat në Shtetet e Bashkuara Udhëheqësit nuk ishin të vetmit për t’u fajësuar. Duke mos përfillur paralajmërimet publike për shëndetin, amerikanët vazhduan të përhapin infektimet me virusin COVID-19.
“Duket se si vend jemi të paaftë për të bërë gjërat e vogla që do të na mbanin të sigurtë, si maskat apo distanca fizike,” tha Gostin.
Festat janë periudha të rrezikshme, kur njerëzit nuk mund të rezistojnë pa u mbledhur pa masa të mjaftueshme paraprake. Për shembull, infeksionet po binin gjatë fundit të majit dhe pastaj erdhi festa që kujton të rënët në luftë.
Pamjet nga plazhet dhe pishinat e tejmbushura me njerëz pa paska pushtuan rrjetet. Infektimet filluan të rriten përsëri dhe vazhduan deri nga mesi i korrikut.
“Pamë një rritje të madhe të infektimeve pas festës që kujton të rënët, pas festës së punonjësve dhe tani pas Ditës së Falenderimeve,” tha Gostin. “Dhe do të shohim përsëri pas Krishtlindjes.” Rastet e përditshme të infektimeve të reja i kanë tejkaluar rekordet e mëparshme. Vdekjet e përditshme kanë arritur kulmin e muajit prill.
14 dhjetor – Transportohet doza e parë e vaksinës
Pavarësisht shumë dështimeve, ekspertët vlerësojnë administratën e Presidentit Trump për derdhjen e miliarda dollarëve për zhvillimin e vaksinës. Administrata e quajti programin për zhvillimin e vaksinës “Operacioni Shpejtësia Marramendëse” (Operation Warp Speed) për të cilin kritikët thanë se nuk ngjalli besim se produktet e dala do të ishin të sigurta.
Por ekspertët thonë tani se gjithçka u bë me rigorizitet përmes një procesi rekord që mori më pak se një vit për të ofruar një vaksinë, për të cilën agjencitë rregullatore thonë se është e sigurtë dhe efikase.
Ndërsa përfundon viti i pandemisë, vaksinat që mund t’i japin fund pandemisë kanë filluar të shpërndahen kudo./VOA