Ditën e sotme, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se të paktën një vdekje është raportuar në lidhje me një shpërthim misterioz të sëmundjes së mëlçisë që ka prekur fëmijët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. OBSH nuk ka dhënë detaje të shumta për vdekjen e fëmijës.
Gjithashtu, OBSH ka bërë me dije se është në dijeni për të paktën 169 raste të hepatitit të rëndë me origjinë të panjohur të raportuar te fëmijët në 12 vende të ndryshme.
Rastet janë raportuar te fëmijët e moshave nga 1 deri në 16-vjeç dhe 17 prej të sëmurëve kanë kryer transplant të mëlçisë. Autoritetet shëndetësore në mbarë botën po hetojnë një rritje misterioze të rasteve të rënda të hepatitit te fëmijët e vegjël.
Që nga data 21 prill OBSH ka raportuar raste akute të hepatitit me origjinë të panjohur në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Spanjë, Izrael, Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë. 114 nga 169 rastet ishin vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas OBSH një virus i zakonshëm i ftohjes i njohur si adenovirus ishte zbuluar në të paktën 74 raste. Infeksioni Covid-19 u identifikua në 20 prej të testuarve dhe 19 raste u zbuluan me një bashkë infeksion Covid-19 dhe adenovirus.
OBSH tha se po monitoronte nga afër situatën dhe po punonte me autoritetet shëndetësore britanike, shtetet e tjera anëtare dhe partnerët.
Nga ana tjetër, zyrtarët shëndetësorë të SHBA-së kanë ngritur alarmin mbarëkombëtar, duke paralajmëruar mjekët që të jenë në vëzhgim për simptomat e hepatitit pediatrik, ndoshta të lidhura me një virus të ftohjes, si pjesë e një hetimi më të gjerë në rastet e pashpjegueshme të inflamacionit të rëndë të mëlçisë tek fëmijët e vegjël.
Së fundmi, edhe pse rastet e lehta pediatrike nuk janë të padëgjuara, hepatiti i rëndë te fëmijët e shëndetshëm është diçka e rrallë.