Pas vlerësimit të Komisionit të Venecias për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për vetting në drejtësi dhe projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Kosova do të nisë me zbatimi ne këtyre dy proceseve.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media më 18 qershor, ku bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, folën për opinionet e Venecias.
“Vettingu është i domosdoshëm, porsi edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias”.
Sipas tij, gjithçka që kërkohet nga Qeveria e Kosovës do t’i dërgohet Kuvendit në afat rekord.
Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Ndërsa për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, Komisioni i Venecias sipas Kurtit, ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave. Ekzekutivi kishte thënë se subjekti i Byrosë do të ishin të gjithë zyrtarët publikë, ndaj të cilës ekzistojnë dyshime se pasuria e tyre është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky komision ka votuar të dy opinionet, atë për vetting-un dhe tjetrin për byronë, dhe se tash i hapet rrugë reformës në drejtësi.
“Që të dyja këto nisma të rëndësishme janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias në seancën e djeshme [17 qershor] dhe tashmë kemi marr dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vetting-ut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme”.
Opinionet e Komisionit të Venecias pritet të bëhen publike të martën, më 21 qershor.
Sipas ministres Haxhiu, në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas.
“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori, përmes një mekanizimi të jashtëm, pra nivele të larta duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive”.
Duke cituar opinionin e këtij komisioni, ministrja e Drejtësisë tha se “Komisioni konstaton së në kontekstin e Kosovës një vetting efektiv do të kërkonte kombinimin e masave të ndryshme që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”.
Ndërsa sa i përket projektligjit për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Haxhiu thotë se sipas komisionit “konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm”.
“Pra Komisioni i Venecias njeh mekanizmin për konfiskimin me bazë civile dhe jep se si një mekanizëm i tillë do të duhej fuqizuar dhe i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar dhe më pas konfiskimin përfundimtar do ta bëjë gjykata”.
“Vetting do të ketë dhe atë të plotë, duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë”.
E pyetur se si do të zgjidhet drejtori i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, ajo tha se Venecia ka rekomanduar që të rishikohen emrat e komisionit përzgjedhës, mirëpo për ta fuqizuar institucionin është rekomanduar që në komisioni që dërgon emrat të ketë përfaqësues të institucioneve të pavarura.
Projektligji për Byronë kërkon votimin e shumicës së thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për vetting me ndryshime Kushtetuese, ku kërkohen dy të tretat e votave, Haxhiu tha se duhet konsensus dhe se shpreson në bashkëpunimin e partive opozitare.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi.
Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”. /REL