Nga Enkel Demi
“Me zë dhe me figurë”…
Kjo ishte shprehja që përdori Edi Rama, në at’botë udhëheqës i opozitës, në mënyrë që të motivonte turmat për të shkuar më pas deri në ngjarjen tragjike të 21 janarit. “Me zë dhe me figurë” i drejtohej Sali Berishës që mbante në qeveri Ilir Metën, pasi u kap në një përgjim, në një aferë korruptive me ish-ministrin e ndjerë, Dritan Prifti. Këtë filmim Ilir Meta dhe Sali Berisha e hodhën poshtë dhe e vlerësuan si montazh, por më parë Ilir Meta u kujdes të jepte dorëheqjen.
Kaq nuk i mjaftoi opozitës së atëhershme, e cila e pakënaqur nga sjellja e kryetarit të qeverisë e ngarkoi mërinë, derisa mbërrijmë tek 21 janari, i cili është triumfi i papërgjegjshmërisë politike në radhë të parë të një qeverie, e cila duhet të kishte shpallur zgjedhje të parakohshme dhe rithemelimin e shumicës. Njerëz të rëndësishëm të qeverisë dhe Partisë Demokratike ia propozuan këtë variant Sali Berishës, por ai zgjodhi tjetër rrugë, i bindur në falsitetin e filmimit. Kjo rrugë ishte vetëm e tatëpjetë, e cila nisi për fat të zi me katër viktima në bulevard dhe përfundoi në vitin 2013 me humbjen e thellë të demokratëve.
Por, shprehja “Me zë dhe me figurë” mbeti lajmotivi i kësaj kasaphane.
Pas gjashtë vjetësh në pushtet Edi Rama, autori i “Me zë dhe me figurë” shkon në studiot televizive dhe thotë që përgjimet nuk janë prova. Të tilla nuk ishin as në vigjilje të 21 janarit, por ja që u trajtuan si prova të rënda madje, sepse ishin “Me zë dhe me figurë”.
Pas kaq vjetësh përgjimet e sotme nuk tregojnë një individ politik, por një sistem të tërë, i cili votat e vjedhura i ka si desert pas një darke të rëndë, sepse biznesi më i rëndësishëm është droga, krimi, mafia na raporton gazetari gjerman Peter Tiede. Ky i fundit sipas Basir Çollakut nuk do mjaftohet me kaq, sepse ka të tjera përgjime. Por, nuk është i vetmi. Shkrimtari i mirënjohur Kim Mehmeti shkruan se “bombat” e Tiranës janë më të rënda se “bombat” e Shkupit që “hodhën në erë” Gruevskin, autoritar ballkanik, i cili mori udhët e arratisë.
Në shiritat e tjerë priten Taulant Balla, eksponentë të tjerë të Rilindjes, madje përfliten familjarë të kryeministrit. Pra, nëse Edi Rama do vazhdojë me metodën e relativizimit të natyrës Ulsi Manja apo kanosjet me Prokuroren që ka zgjedhur me ato vota të vjedhura, ka gjasë që të provokojë veç një situate qesharake, mërinë në rritje të të pakënaqurve, të cilët është afër mendsh që nuk i zë më as gardhi i PD-së, as i PDIU-së, as i LSI-së.
Vendi mund të shkojë me gjithë mend drejt një përplasje, por për këtë nga dje nuk ia ngjeshim dot më fajin opozitës.
Një pushtet që vjedh, pastron para duke prishur teatrin, ndërtuar kulla, shemb shtëpi, planifikon rrugë sikur me qenë prej floriri, ta çon dëshpërimin në urrejtje.
Një pushtet që të rras brenda për një faturë të papaguar energjie, të shkrin në dru, pse mban në protestë flakadanë, të ngjall ndjenjën e vetëmbrojtjes, e cila për dreq është e dhunshme.
Një shtet që e merr kriminelin e ul në bash të vendit, e lë të vjedhë vota, të terrorizojë njerëz se ty të duhen votat pra, heq e vë njerëz nga puna, se nuk janë rilindas, që bën ligjin në hipoteka e bashki dhe në fund fare e merr shoferin e grupit e ta bën deputet, e shndërron popullin në kryengritës.
Kryengritja, revolucioni janë triumfi i instiktit të kafshës, i dhunës, kaosit që mbjell vdekje.
Tani, në këtë moment që po kalon vendi jemi në pikën të shpëtojmë ç’të mundim. Nuk hyjnë në punë as strategjitë e komunikimit, as intrigat. Por, Edi Rama përsëri po mundohet të kapet tek Propaganda, tek e vetmja komardare që e kishte shpëtuar deri më tash, por që një farë Peter Tiede ia shpoi.
Gazeta e mikut të tij të shtrenjtë, Karlo Bolino, “shqiptarja.com” hedh idenë se në përgjimet e blerjes së votave nuk është vetëm Rilindja, por edhe partitë e tjera. Pra, në radhë të parë Rilindja më në fund pranon që ka vjedhur votat, por në radhë të dytë thotë se jemi të gjithë njësoj, të gjithë pis, i njëjti gjiriz.
Jo, nuk janë të gjithë njësoj, madje sikur ta marrim të mirëqenë pretendimin e mikut të afërt të kryeministrit. Vjedhja e votave është rrjedhojë e përgjimit të trafikantëve të drogës, pra Rilindja është në fillim organizatë e strukturuar kriminale droge, pastaj vjedh votat. Prandaj, gazeta “Bild”, të cilën po mundohen ta shesin si mike të opozitës, siç është “shqiptarja.com” për qeverinë, flet për një shtet të kapur nga mafia. Nëse shteti do të ishte grabitës votash, nuk është se do merrej “Bild” me këtë punë, sepse ky është hall shqiptarësh, të cilët nuk e kanë për herë të parë. Mafia e shndërruar në shtet është hall që i kalon kufinjtë e vendit, madje të rajonit. Holanda ka kaq kohë që i bie daulles, Gjermania po e sheh nën hundë se si paratë e drogës po financojnë klane mafioze në ekonomi dhe terrorizëm.
Tani, çështja është si shpëton Edi Rama nga ky makth dhe bashkë me veten Shqipërinë.
Një zgjidhje është munduar të japë Eduard Zaloshnja. Profesori i matjes së opinionit konsiderohet si njeri larg shijes opozitare, por sot shkruan që zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme të bëhen në pranverën e ardhshme, në mënyrë që brenda këtij viti të rregullohet ligji zgjedhor, infrastruktura e tyre, por dhe u jepet krahë e mbështetje reformave të tjera.
Në thelb propozimi rrugëdalës i Zaloshnjes i avitet paketës së opozitës, por nuk sqaron me çfarë qeverie shkohet deri në pranverën e ardhshme, me qeveri kalimtare apo jo?
Gjithsesi, ky propozim është platformë e mirë për dialog, por para se të mbërrijë tek kjo formulë Edi Rama duhet të shpëtojë veten e bashkë me të Shqipërinë.
Duhet të bëjë atë që i kërkonte Sali Berishës, kur krijonte shprehjen “Me zë dhe me figurë”; të japë dorëheqjen. Në këtë mënyrë për herë të parë i jep garancinë e mbijetesës shëndoshë e mirë të Edi Ramës në këtë mutsihane që sajoi po vetë Edi Rama. Por, me këtë rast shpëton Shqipërinë, sepse e shfryn mërinë dhe nuk e nxjerr gjindjen në instiktin e kafshës që ndodh në çdo kryengritje.