Nga të gjitha këto sa parashtruam dilet në përfundimin se projektuesit e gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri janë kisha greke, Kryepeshkopi Damaskinos, Mitropoliti i Paramithisë Dhorotheos dhe Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu, i cili nga viti 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Kishës Autoqefale të Greqisë. Pjesëmarrës në këto maskara është edhe kryepeshkopi i Greqisë Serafeim, cili atë periudhë ishte ushtar i EDES të Napoleon Zervës.
Nga Arben Llalla
Kisha Autoqefale Ortodokse e Greqisë dhe Patriarkana e Stambollit, Fanari, gjithnjë janë përpjekur për shuarjen e gjuhës shqipe, kombit shqiptar dhe ortodoksisë tradicionale shqiptare. Shqiptarët ortodoksë dhe myslimanë kanë qenë në presionin e Fanarit të Stambollit për asimilimin e tyre.
Qysh në shekujt XVIII-XIX, misionarë me veshje klerike ortodokse predikonin për zhdukjen e gjuhës shqipe. Njëri nga këta ishte Kozma Etolos i lindur 1700-1714 (vit dhe datë të saktë nuk ka) në rajonin e Etolisë, në fshatin Mega Dhendron, afër qytetit Thermo. Ai u dorëzua murg në Malin e Agios Oros ku kreu shkollën Teologjike. Emri i tij i vërtetë ishte Kosta Anifanti dhe prindërit ishin nga Epiri i Jugut, Çamëria. Familja e Kozmait ishte shumë e varfër. Babai i tij ishte hamall dhe mbante thesët e fshatarëve nga fusha për në shtëpitë e tyre për të siguruar bukën e gojës. Shën Kozmain në trevat e Epirit, ku banonin shqiptarët bënte propagandë kundër gjuhës shqipe: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t’i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra.” (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit)1.
Me këtë teori Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Këtë shpjegim e thonë të gjithë studiuesit grekë të biografisë së tij.
Një tjetër klerik ortodoks që ishte kundër gjuhës shqipe ka qenë Mitropoliti i Kosturit, Fillaretis, i cili me origjinë ishte nga Azia e Vogël. Mitropoliti Fillaretis shpërndau një broshurë ku mallkonte gjuhës shqipe në vitin 18923.
Mitropoliti i Korçës, Foti Kallpidhis me prejardhje nga Azia e Vogël, propagandonte kundër gjuhës shqipe dhe patriotët shqiptarë e vranë më 9 Shtator 1906, si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve, të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallamo- Negovani të masakruar nga grekët më 12 Shkurt 19054.
Në shkurt 1914, ushtria greke bashkë me andartët-forca paraushtarake hynë në Shqipëri duke bërë masakra dhe shpallën Autonominë e Veriut të Epirit. Këto forca udhëhiqeshin nga dy Mitropolitë, të cilët më tej ishin pjesë të kabinetit të Qeverisë të Autonomisë së Veriut të Epirit të udhëhequr nga Zografo5. Njëri ishte Mitropoliti i Konicës, Spiridon Vllehu. Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, Spiridon Vllehu më 1913, bashkë me Mitropolitin e Drinopolis dhe Pogonias, Vasileos ishin në krye të ushtrisë greke, kur kjo ushtri hyri në Janinë më 21 shkurt 19136. Ishin po këta dy klerikë të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë, Mitropoliti Spiridon dhe Mitropoliti Vasileos pjesë të kabinetit qeveritarë të Gjeorgjio Kristaq Zografos të Aneksimit të Jugut të Shqipërisë. Sipas të dhënave, Mitropolitit Spiridon Vllehu shkroi edhe aktin e shpalljes së aneksimit të Jugut të Shqipërisë-Autonomisë së Vorio Epirit7. Mitropoliti tjetër që mori pjesë në nënshkrimin e aneksimit të Jugut të Shqipërisë ishte edhe ish-Mitropoliti famëkeq i Kosturit, Germanos Karavangjeli, cili ishte transferuar në vitin 1914 në Korçë8. Në një fotografi e bërë më 21 shkurt 1914 në Gjirokastër shihen dy Mitropolitët, Spiridon Vllehu dhe Vasileos në mesin e ushtarëve dhe andartëve grekë që kishin bërë masakra mbi popullsinë shqiptare. Mitropoliti Germanos Karavangjeli, kur ka shërbyer Mitropolit i Kosturit, mori pjesë direkt në masakrat e ushtrisë greke ndaj popullsisë shqiptare në Kostur, Follorinë dhe fshatrave përreth tyre.
Kur ushtria e Greqisë, pushtoi Shqipërinë gjatë luftës italo-greke nëntor 1940- prill 1941, Mitropoliti i Janinës Spiridon vizitoi trupat ushtarake greke që ndodheshin në Gjirokastër dhe u bënte presion që të dorëzoheshin pa kushte tek gjermanët9.
Më 20 Prill, 1941, e Diela e Pashkëve, gjenerali i Korpusit të Parë, Panajot Dhemestihas, gjenerali i Korpusit të Dytë, Gjeorgjio Bako, ish-Mitropoliti i Vellas dhe i Konicës, i zgjedhur në vitin 1916, Mitropolit i Janinës, Spiridon Vllehu, nënshkruan dorëzimin dhe bashkëpunimin e ushtrisë greke të Epirit me gjermanët.
Sipas gazetarit Taso K. Kondojanidhi, gjeneralët ushtarakë e zgjodhën Mitropolitin e Janinës, Spiridon kryeministër i qeverisë së Meçovës. Meçova është qendra e vllehve të Epirit të Jugut.
Në prill 1943, Dhorotheos Naskari zgjidhet Mitropolit i Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës. Në vitin 1929, ai u shugurua nga Mitropoliti i Korinthit, Damaskinos i cili më 1941 u zgjodh kryepeshkop i Greqisë. Pas vitit 1931 shërbeu si prift në një nga kishat greke në Stamboll. Në vitin 1942, punonte në sekretariatin e Sinodit të Kishës Autoqefale të Greqisë.
Në verën e vitit 1943, Kryepeshkopi i Greqisë Damaskino dërgon punonjësin e sekretariatit të Sinodit të Athinës, priftin Serafeim për t’i dhënë një letër personale Napoleon Zervën. Pas kësaj Serafeimi 30 vjeçar vesh rrobat ushtarake të EDES nën komandën e Zervës12. (Prifti Serafeim, ose më mirë Visarion Tika, ka lindur më 1913, në fshatin Artesiano të Kardhicës. Nga ushtar i EDES të Napoleon Zervës që kryen masakra mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, ai do të bëhej Mitropolit i Artës më 1949, Mitropolit i Janinës më 1958. Nga viti 1974-1998, do të ishte Kryepeshkop i Greqisë).
Në shtator 1943, pas bisedimesh me drejtuesit e ushtrisë gjermane në Epirin e Jugut-Çamëri, Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu u bëri thirrje publike të krishterëve për të mos përkrahur guerrilasit (fjala është për grupet e rezistencës), por të qëndrojnë të urtë dhe të bashkëpunojnë me pushtuesit gjermanë, sepse ata kanë marrë përsipër të ruajnë popullsinë besnike dhe të qetë. Kjo thirrje e Mitropolitit të Janinës, Spiridon Vllehu, mban nënshkrimin e tij dhe vulën e Mitropolisë së Janinës, datë 10 shtator, 1943.
Drejtuesi i EDES, Napoleon Zerva, në fillim të shtatorit 1943, ishte takuar me Komandantin e Përgjithshëm gjerman për Greqinë, Hubert Lanz, i cili kishte ardhur për operacionet kundër partizanëve grek ELAS. Pas këtij takimi u morën vesh që gjermanët dhe EDES të kenë një armëpushim 10 ditor. Më tej, Zerva sulmoi forcat partizane ELAS dhe liroi robërit gjermanë, me qëllim që EDES të sigurojë një armëpushim dhe bisedime me gjermanët13.
Më 24 Shtator në Shkallë të Paramithisë vriten gjashtë ushtarë gjermanë nga forcat e rezistencës.
Në zyrat e gjermanëve në Paramithi pati ardhur urdhëri i komandës gjermane se për një gjerman duhet të pushkatohen dhjetë grekë. Gjermanët arrestuan 52 banorë të Paramithisë për t’i pushkatuar si hakmarrje dhe më 29 shtator ata pushkatuan 49 shtetas grekë.
Pas vrasjes së 49 grekëve të Paramithisë, të afërmit e tyre kanë ngritur pikëpyetjen që nëse Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos po të ishte ato ditë në Paramithi dhe jo në Janinë, ndoshta të arrestuarit do t’i kishin shpëtuar ekzekutimit14.
Sido që të ketë qenë e vërteta ka një pjesë të errët për rolin e Mitropolitit Dhorotheos në ngjarjen e pushkatimit të 49 grekëve në Paramithi. Dosja e shënimeve për lëvizjet e Mitropolitit Dhorotheos nuk ekziston për publikun. Mosprania e Mitropolitit Dhorotheos pranë besimtarëve në ditët e tyre të vështira na lë të kuptojmë për rolin e tij të shumëfishtë.
Në fillim të nëntorit 1943, Mitropoliti Dhorotheos ishte në zyrat e gjermanëve në Paramithi dhe më tej e braktisi Mitropolinë e Paramithisë dhe ju bashkua forcave guerrilase të Napoleon Zervës, EDES duke veshur rrobat ushtarake të këtij grupacioni. Mitropoliti Dhorotheos, u bë krahu i djathtë i Zervës dhe u përfshi në bisedimet e EDES me gjermanët gjatë periudhës dhjetor 1943 – tetor 1944.
E premte, 27 qershor, 1944, rreth 2.500 forca të EDES, me në krye Zervën dhe të udhëhequr atë ditë nga Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, i veshur me tesha ushtarake kryen masakra kundër shqiptarëve, duke mos kursyer askënd. Pasi dogjën shtëpitë e shqiptarëve, vranë dhe përzunë ata që kishin shpëtuar, nëpër rrugët me kalldërma të Paramithës, Mitropolitit Dhorotheos, tashmë krah i djathtë i Napoleon Zervës, marshonte me ushtrinë EDES nëpër Paramithi.
Në tetor 1944, Mitropolitit Dhorotheos, përfaqësoi delegacionin e EDES në marrëveshjen me gjermanët për tërheqjen nga ishulli i Korfuzit. Atë ditë Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos mbajti një fjalim në krah të Napoleon Zervës.
Pasi përfundoi lufta dhe spastrimi i Çamërisë nga shqiptarët, dy Mitropolitët që kishin bashkëpunuar me gjermanët, tashmë kërkonin pjesën si shpëtimtar të grekëve nga çamët myslimanë në Epirin e Jugut-Çamëri. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, mbeti në këtë detyrë deri në vitin 1952 dhe më tej u dërguan si Mitropolit i Trikit dhe Stagon deri sa vdiq në vitin 1959.
Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu, në vitin 1949 u zgjodh Kryepeshkop i Athinës dhe i gjithë Greqisë, vdiq në vitin 1956. Pasi u zgjodh më 1949 Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu, vendosi Mitropolit të Artës, Serafeimin, i cili kishte marrë pjesë direkt në masakrat kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Nga gjaku i shqiptarëve të Çamërisë u shpërblyen për karrierë të lartë klerike projektuesit dhe pjesëmarrësit, të cilët lanë robën e fesë dhe veshën uniformën ushtarake të EDES për të spastruar Çamërinë nga shqiptarët më 1944-1945. Dy pjesëmarrësit në gjenocidin grek kundër çamëve Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos dhe prifti i thjeshtë Serafeim, i ngjitën shkallët e karrierës së tyre klerike, pikërisht falë pjesëmarrjes në masakrat kundër shqiptarëve të pambrojtur të Çamërisë.
Duke lidhur ngjarjen historike, aktivitetet e dy Mitropolitëve të Epirit të Jugut-Çamërisë, atij të Janinës, Spiridon Vllehu dhe të Paramithisë, Filatit, Gjiromeriu dhe Pargës, Dhorotheos Naskara, letrën sekrete të Kryepeshkopit Damaskino me anë të korrierit, të cilin e kishte veshur ai dhjak, Sarafeim që më tej do të bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop, nxjerrim përfundimin se projekti për spastrimin e Çamërisë nga shqiptarët është bërë pikërisht nga klerikët e lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë para se të ndodhte ekzekutimi i 49 grekëve në Paramithi nga gjermanët.
Mitropolitët Dhorotheos dhe Spiridon Vllehu e dinin gjuhën shqipe, sepse ata kishin jetuar me shqiptarë ortodoksë dhe myslimanë në Çamëri. Kryepeshkopi i Greqisë Spiridon Vllahu ishte shfaqur si pararojë e ushtrive greke gjatë luftërave në Janinë, shkurt, 1913 dhe në Gjirokastër, shkurt, 1914.
Mitropoliti i Janinës, Spiridon, më 1940, kishte udhëhequr një mbledhje në Gumenicë, ku u mor vendimi që të internohen të gjithë meshkujt shqiptarë të Çamërisë nga mosha 10 vjeç e deri 9515.
Në prill të 1941, Mitropoliti Spiridon Vllehu ishte në Gjirokastër për t’ju bërë presion oficerëve grekë për t’u dorëzuar pa luftë divizionet greke tek gjermanët.
Ngjarja e 29-30 Shtatorit 1943, ku u pushkatuan 49 grekë në Paramithi hedh hije dyshime që Mitropoliti Dhoroseos ka gisht direkt në këtë ngjarje, ndërsa Mitropoliti i Janinës më vonë Kryepeshkop i Greqisë, Spiridon Vllehu, indirekt. Që nga pushtimi i Greqisë nga ushtria gjermane 1941-1944, asnjë incident apo vrasje nuk kishte ndodhur në Paramithi midis banorëve dhe forcave gjermane.
Përse u dërgua Mitropolit i Paramithisë në Prill 1943, Dhorotheos (Dhimitër Naskara), njeriu që u shugurua nga Kryepeshkop Damaskino?
Përse i dërgoi letër në verë të 1943, Napoleon Zervës, Kryepeshkop Damaskino (Dhimitër Papandreu) me anë të njeriut të besueshëm priftit Serafeim (Visarion Tika), të cilin e kishte veshur ai dhjak?
Çfarë i shkruante në letrën sekrete Kryepeshkopi Damaskino, komandantit të EDES Napoleon Zervës?
Përse pasi i dorëzoi letrën Zervës, prifti Serafeim veshi robat e ushtrisë EDES?
Çfarë e shtyu Mitropolitin e Paramithisë të hiqte petkun e njeriut shpirtëror të besimtarëve ortodoksë dhe të vishte teshat ushtarake të EDES, kur dihet që gjermanët i mbronin drejtuesit e kishës greke, manastiret me urdhër direkt të Hitlerit?
Përse Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos hyri me EDES në Paramithi i veshur ushtarakisht për të kryer masakrat kundër popullsisë së pa mbrojtur shqiptare dhe nuk veshi petkat e Mitropolitit?
Në vend që Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos të përhapte zërin e Zotit, dashurinë e njeriut për njeriun, paqen midis njerëzve, ai ishte pjesëmarrës direkt i masakrave të ushtrisë EDES ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë-Epiri i Jugut.
Ashtu siç e kemi thënë në ushtrinë EDES që vepronte në Çamëri dhe që gjendeshin gjithnjë pranë Napoleon Zervës ishin klerikët ortodoksë si: Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, prifti Serafeim që pas lufte do bëhej Mitropolit dhe Kryepeshkop dhe prifti Spiros Zafeiris që u vra në janar 1944 nga ELAS.
Historia e ngjarjeve na çon në gjurmët antishqiptare të drejtuesve të lartë të Kishës Autoqefale të Greqisë. Udhërrëfyesi i masakrave kundër shqiptarëve në Çamëri është Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos, sepse ishte njohës i mirë i territorit, njihte personalisht të gjithë parinë e Çamërisë dhe e fliste gjuhën shqipe. Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos ishte krahu i djathtë e Zervës dhe e udhëzonte për çdo veprim që duhej të merrte në Çamëri, pasi Napoleon Zerva nuk e njihte territorin, njerëzit. Prifti Serafeim i ardhur në ushtrinë EDES të Zervës me letër të Kryepeshkop Damaskinos mori pjesë drejtpërdrejtë në masakrat kundër çamëve.
Çfarë i lidhte këta katër emrat Damaskinos, Spiridonos, Dhorotheos, Serafeim që ndeshim në ngjarjet e vitit 1943-1945 në Çamëri?
Mitropoliti i Janinës, Spiridonos (Spiridon Sito-Vllehu), që më 1949 u zgjodh kryepeshkop i Greqisë, është njeriu që bëri trysni tek gjeneralët grekë në prill 1941 për të nënshkruar aktin e kapitullimit. Mitropoliti Spiridonos ishte njeri i besueshëm i gjermanëve. Ai kishte shfaqur pas nënshkrimit të kapitullimit ambicie për kryeministër të Greqisë.
Kryepeshkop Damaskinos (Dhimitër Papandreu), ishte zgjedhur Kryepeshkop i Greqisë në 6 korrik 1941, me ndihmën e qeverisë kuislinge të Çolakoglu dhe gjermanëve nazistë. Ai kishte bekuar qeveritë kuislinge të Jorgo Çolakoglu, Konstandinos Logothetopulos dhe Joani Ralli. Kryepeshkop Damaskinos ishte njeri në shërbim të gjermanëve.
Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos (Dhimitër Naskari), është veshur dhjak nga Kryepeshkop Damaskinos në Korinthi. Ata njiheshin që në vitin 1929 dhe kishin lidhje të ngushta, Dhimitër Naskarin, emrin Dhorotheos e ka pagëzuar Kryepeshkop Damaskinos.
Priftin Serafeim (Visarion Tika) që më vonë do të bëhej Mitropolit i Artës, Janinës dhe Kryepeshkop më 1974, e ka veshur dhjak Kryepeshkopi Damaskinos më 1938 duke e pagëzuar me emrin Serafeim.
Dhorotheos dhe Serafeim ishin shok të vjetër që nga vitet 1932, kishin jetuar dhe punuar në Korinth afër Mitropolitit Damaskinos që më 1941 u bë Kryepeshkop i Greqisë.
Damaskinos, Spiridoni, Dhorotheos dhe Serafeimi e dinin gjuhën shqipe dhe ishin luftëtarë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë-Autonomia e Veriut të Epirit. Urrenin tej mase shqiptarët. Këto janë vërejtur ndër vite gjatë aktiviteteve të tyre.
Spiridonos dhe Dhorotheos ishin vlleh, pra ishin me origjinë nga vllehët e Pindit.
Nga të gjitha këto sa parashtruam dilet në përfundimin se projektuesit e gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri janë kisha greke, Kryepeshkopi Damaskinos, Mitropoliti i Paramithisë Dhorotheos dhe Mitropoliti i Janinës, Spiridon Vllehu, i cili nga viti 1949-1956, ishte Kryepeshkop i Kishës Autoqefale të Greqisë. Pjesëmarrës në këto maskara është edhe kryepeshkopi i Greqisë Serafeim, cili atë periudhë ishte ushtar i EDES të Napoleon Zervës.
Në qershor të 1993, Kryepeshkopi i Greqisë Serafeim takoi në Athinë udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe kur ky u përpoq t’i puthte dorën, kryepeshkopi e shtyu me butësi duke i thënë:- “Unë duhet të puth këmbët e tua”16.
Kjo dëshirë e shprehur në publik e kryepeshkopit Serafeim për t’i puthur këmbët Radovan Karaxhiç, njeriut që ka urdhëruar masakrat kundër myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe që gjendet i burgosur në Gjykatën e Hagës për Genocid 1992-1995, na lë të kuptojmë se kryepeshkopi Serafeim i urrente tej mase myslimanët, pavarësisht se kujt kombësie i përkisnin.
1 Shqiptarja.com, Tiranë, 29, gusht, 2014, fq.13
3 Petro Nini Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarëve, Tiranë, 1999, fq.36
4 Shqiptarja.com, Tiranë, 12, tetor, 2014, fq.20
5 www.sfeva.gr/
6 ΗΠΕΡΙΩΤΙΚΟΣ ΑΓΩΝ, Janinë, 20, shkurt, 2010
7 www.youthimdpk.blogspot.gr/2014/05/100-1914-2014.html
8 www.gazetatema.net/web/2014/08/01/fushebardha-memorial-laberie/
9 Τασου Κ. Κοντογιαννιδη, Ηρωες & Προδοτες Στην Κατοχη Ελλαδα, Αθηνα, 1998, fq.70
12 www.mixanitouxronou.gr/serafim-o-antartis-pou-egine-archiepiskopos
13 Χάγκεν Φλάισερ, Επαφές μεταξύ των γερμανικών αρχών κατοχής και των κυριότερων οργανώσεων της Ελληνικής αντίστασης. Ελιγμός ή συνεργασία», στο: Η Ελλάδα στη δεκαετία 1940-1950, Athinë, 1984, fq.100
14 www.lefterianews.wordpress.com/04/10/2015
15 SHQIP, Tiranë, 8, prill, 2007
16 www.athens.indymedia.org/post/1180941/