“A dëshironi të martoheni me burrin tim?”. Fjalë që në leximin e parë duken të çuditshme, por në fakt janë një deklaratë e vërtetë dashurie! Kjo është letra që ka bërë xhiron e botës dhe është publikuar në “New York Times” nga Amy Krouse Rosenthal, 52 vjeçe, nga Çikago.
Teksa Amy është në fund të jetës si pasojë e një sëmundje të rëndë, ajo është duke menduar për të ardhmen e njeriut që dashuron.
“U bë pak kohë që dua ta bëj këtë, por morfina dhe mungesa e hamburgerëve me djathë të shijshëm ndërhyjnë në energjinë time…”, shkruan Amy, autore e librave për fëmijë.
“Prej 26 vitesh jam e martuar më një burrë të jashtëzakonshëm. Mendoja se do të jetonim bashkë edhe për të paktën 26 vite të tjera. Por në vend të kësaj, a dëshironi të dëgjoni një shaka të hidhur?”, shkruan ajo në letrën e botuar në gazetën amerikane.
“Një burrë dhe gruaja e tij, ecnin në dhomën e urgjencës në një mbrëmje të vonë të 5 shtatorit 2015. Disa orë kontrolle dhe pak më vonë mjeku shpjegon se dhimbja e pazakontë e gruas në anën e djathtë nuk lidhej me një apendesit të dyshuar, por me një kancer të gjerë ovarian. Një diagnozë që vjen pikërisht në ditën kur vajza largohet për në universitet, duke lënë prindërit ‘vetëm’”., tregon ajo.
Amy thotë se nuk ka qenë kurrë e regjistruar në Tinder ose e-Harmony, por sipas saj tani kjo është një mundësi për të krijuar një profil për Jason, bazuar në 9.490 ditët e jetuara së bashku, ku dhe e përshkruan bashkëshortin e saj si një njeri të shkëlqyer, 80 kg, 1.78 cm i gjatë, i bukur, elegant, kuzhinier shumë i mirë, mjeshtër i gjërave të vogla që ka pasion lulet dhe muzikën.
Ata u takuan 26 vite më parë, e tani Amy dëshiron të “kombinojë” të ardhmen e burrit të saj, pa të. Në letër ka pasazhe të dhimbshme, si “ai udhëtimi në Afrikën e Jugut që nuk do ta bëjmë dot së bashku” dhe shumë fjalë dashurie: “Ai është një burrë me të cilin mund të biesh lehtësisht në dashuri – shkruan ajo- mua më ka mjaftuar vetëm një ditë!”
“Dëshiroj të kaloja më shumë kohë me Jason-in. Dua të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi. Do të doja më shumë kohë duke pirë Martini në “Green Mill Jazz Club” të enjteve në mbrëmje. Por kjo nuk do të ndodhë!”, përfundon Amy.
“Ndoshta kanë mbetur vetëm disa ditë që unë të jem ende një person në këtë planet, pra, përse jam duke e bërë këtë? Sepse shpresoj që personi i duhur të lexojë këtë letër, ta gjejë Jason-in dhe të filloni një histori…Po lë qëllimisht këtë hapësirë bosh, si një mënyrë për t’ju dhënë ju të dyve fillimin e ri që meritoni”.
(Letër e botuar para pak kohësh)